E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projekt i ri kombëtar për peshkimin

Kryeministri Berisha njoftoi sot zhvillimi i peshkimit dhe industrisë së detit do të jetë qëllimi i projektit kombëtar më të ri, që do të lancohet së shpejti. Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar konferencës ndërkombëtare “Industria e detit dhe perspektiva e saj”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe ku ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani, nënvizoi se ky sektor aktualisht është nën potencialet e tij të zhvillimit, ndaj është e rëndësishme “një ndërhyrje e fuqishme transformuese”.

“Unë jam këtu për t’ju garantuar se njëlloj siç ndërmorëm programet e mëdha kombëtare të zhvillimit, do të ndërmarrim programin kombëtar të peshkimit e peshkëzimit,” – shpreh Kryeministri.

Pjesë e programit për zhvillimin e këtij sektori është edhe mbështetja për industrinë e përpunimit dhe fuqizimit të flotiljes së peshkimit. Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të krijuar lehtësitë e nevojshme, për investimet në industrinë e peshkimit.

Në fjalën e tij mbi këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, unë dua të përshëndes përzemërsisht organizatorët e kësaj konference mbi një çështje shumë të rëndësishme. Tema e konferencës është shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria është një vend i vogël, por me potencial të madh në këtë fushë,. Shqipëria, me detet, liqenet e lagunat e saj, ka iktofaunën ndër më të pasurat që mund të ekzistojë. Në ujërat e kripura e të ëmbla të Shqipërisë rriten speciet më cilësore, më të rralla, të peshqve të Europës dhe më gjerë. Adriatiku e Joni janë të famshëm për peshqit pelagjikë, ndonëse kanë në brendësinë e tyre peshq të specieve më të rralla; në ujërat e ëmbla, koranin mbreti e salmonideve dhe peshq të tjerë si trofta.  

Ky sektor, i rëndësishëm në të gjitha aspektet, sot merr rëndësi të veçantë. Sot, kur kriza ka pllakosur vendet e zhvilluara, bëhet e qartë se beteja më themelore është beteja midis rritjes ekonomike dhe recesionit, nuk do të thosha një betejë midis jetës e vdekjes, por e një rëndësie të jashtëzakonshme, ndaj është në detyrimin e vendeve për të nxitur rritjen ekonomike. Unë ju garantoj se, në qoftë se hedhim një vështrim tek potencialet e këtij vendi dhe realitetin në të cilin jemi, Shqipëria ka potencial edhe për dhjetë herë më shumë, por kjo kërkon politika intensive, kërkon qëndrime tërësisht të reja ndaj këtij sektori, i cili mund të shndërrohet nga një sektor i skajuar, aktualisht, në një sektor të fuqishëm të rritjes ekonomike, të punësimit, në një sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Kjo temë ka rëndësi të madhe sot, edhe sepse ky sektor vjen në këtë tryeze si një sektor gjysmë i harruar. Duhet të jemi realistë se në tryezat tona peshku është një rishtar, pasi nuk ka ekzistuar një traditë e përhapur në vend. Imagjinoni kryetarë të bashkive që luftojnë kundër ngritjes së porteve të peshkimit, trashëgimi e një qëndrimi indiferent ndaj kësaj pasurie. Unë dhashë një shembull, por duhet të jemi realistë, peshkatarët janë heronj të vërtetë. Me një jetë të vështirë, jo pa rreziqe, mbajnë familjet e jetën e tyre, por pa mbështetjen që meritojnë.

Një industri e admirueshme është ngritur këto vite në përpunimin e peshkut, e cila, fatkeqësisht, nuk punon me lëndë të arë të vendit, por kryesish të importuar. Ky është realiteti, i cili kërkon një ndërhyrje të fuqishme transformuese. Unë jam këtu për t’ju garantuar se njëlloj siç ndërmorëm programet e mëdha kombëtare të zhvillimit, do të ndërmarrim programin kombëtar të peshkimit e peshkëzimit. Duhet detyrimisht të lancojmë një program kombëtar, i cili të përdorë të gjitha metodat, mundësitë e stimujt për ta zhvendosur këtë industri në nivele shumë më të larta se kjo që ekziston sot. Hidhni sytë tek flotilja  e peshkimit. Ata që punojnë me ato anije e kanë të qartë se çfarë janë mjetet që u ka kaluar koha me dekada.

Kanë filluar fermat e peshkut, por potencialet për to janë shumë më të mëdha. Shqipëria ka ujëra të brendshme të ëmbla, Shqipëria ka mbi 600 rezervuara, qindra liqene, por peshkëzimi i tyre bëhet me pikatore ose edhe fare. E një rëndësie të jashtëzakonshme është angazhimi i Universitetit Bujqësor të Kamzës, angazhimi në zhvillimin e teknologjive, një bashkëpunim i ngushtë intensiv në krijimin e rasateve, në përpunimin e ujërave.

Një rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe ripërtëritja me shpejtësi e flotës së peshkimit dhe unë ju garantoj se kjo do të jetë një nga projektet më të para, sepse jemi tejet të vonuar. Me specialistë e kemi biseduar disa herë këtë problem. Do të bëjmë gjithçka për të krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme, për investimet në industrinë e peshkimit. Paketa e re fiskale përfshin tërësisht të gjitha mjetet, makineritë dhe çdo gjë tjetër që nevojitet në këtë fushë dhe mendoj se kjo është një lehtësi.

Duke ju përgëzuar për këtë konferencë, dua t’ju siguroj se qeveria pret me shumë interes konkluzionet e propozimet e kësaj konference, pasi ne jemi të vendosur të bëjmë një përpjekje të madhe, të fortë, për ta vendosur këtë degë të ekonomisë në nivelit që ajo duhet të ketë.”


05/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›