Kryeministri Berisha përkujton 15-vjetori i masakrës së Prekazit: Guximi dhe trimëria e Adem Jasharit shndërroi Prekazin, në Krujë të dytë për shqiptarët

15-vjetori i masakrës së Prekazit është përkujtuar sot edhe në Tiranë. Në ceremoninë e organizuar nga bashkia e kryeqytetit pranë bustit të Adem Jasharit, mori pjesë edhe kryeministri Berisha.
Pas vendosjes së kurorës me lule pranë bustit të Adem Jasharit, kryeministri Berisha u shpreh se në këtë ditë mbarë kombi shqiptarë përulet me nderimin me të thelle para komandantit legjendar Adem Jashari, i cili me burrërinë, trimërinë dhe guximin mbinjerëzor, e shndërroi Prekazin në Krujën e dytë për shqiptarët.
Në këtë ditë përkujtimore, kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me figurën e Adem Jasharit, nderohen dhe mijëra e mijëra, vajza dhe djem, burrë dhe gra të Kosovës, të cilët bënë luftën më të vështirë, më të pabarabartë, por dhe më heroike, me të cilën çliruan Kosovën, me të cilën i dhanë fund sundimit barbar të Millosheviçit dhe vendosën Kosovën në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Europian.
Në një prononcim për mediat kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot mbarë kombi shqiptarë përulet me nderimin më të thellë para komandantit legjendar Adem Jashari, burrit që me trimërinë, guximin mbinjerëzor, shndërroi Prekazin në Krujën e dytë të shqiptarëve. Në këtë 15-vjetor, veprën e ndritur të Adem Jasharit e familjes së tij, shkëlqen më shumë se kurrë.
Shqiptarët festuan 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me kokën lart, me ndjenjën e krenarisë së ligjshme, gjë e cila pa veprën, pa heroizmin, pa sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë familjes së tij do të ishte e pamundur.
Kosova festoi 5- vjetorin e Pavarësisë së saj, në themel të së cilës qëndron sakrifica e burrit, që ra për tu bërë i pavdekshëm, komandantit dhe krye heroit të kombit shqiptarë, që pasuroi aq shumë altarin e lirisë së kombit tonë.
Sot, nderimi është për ata mijëra e mijëra vajza dhe djem, burra dhe gra të Kosovës, të cilët bënë luftën më të vështirë, më të pabarabartë, por dhe më heroike, me të cilën çliruan Kosovën, me të cilën i dhanë fund sundimit barbar të Millosheviçit dhe vendosën Kosovën në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Europian. Aspirata këto, të cilat qytetarët e Kosovës vendosmërisht po punojnë që ti realizojnë.
Edhe njëherë nderimin më të madh për komandantin legjendar, për burrin që e shndërroi në Krujë të dytë Prekazin. Nuk ndodh në historinë e kombit tonë, nuk gjendet në historinë e luftërave për liri të Europës një sakrificë kaq madhore, kaq sublime, sa kjo e Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Nder për jetë kujtimit të tyre.”
05/03/2013