Kryeministri Berisha: Në 3 vjet qeveria ka siguruar për Tiranën 20 miliardë lekë investime
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në inaugurimin e përfundimit të punimeve për projektin e sistemimit të kanalizimeve të ujërave të zeza të zonës së Bregut të Lumit, në njësinë bashkiake nr.11, në Tiranë.
Ky projekt është financim i buxhetit të shtetit, me vlerë 36 .000.000 dhe përmes tij sigurohet përmirësimi i jetesës dhe kushteve higjienike për rreth 1.100 familje, me rreth 5 mijë banorë të zonës së Bregut të Lumit.
Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, Ministrja e Integrimit, njëkohësisht deputete e zonës, zonja Majlinda Bregu, kryetari i njësisë bashkiake nr.11 Haki Mustafa, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj vepre jashtëzakonisht të rëndësishme. “Vij sot për t’ju dhënë ju, banorëve të Bregut të Lumit, premtimin tim solemn se kjo qeveri do të ndërmarrë të gjitha investimet e nevojshme për një infrastrukturë moderne në të gjithë territorin e Bregut të Lumit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se në këto tre vjet qeverisjeje, në njësinë bashkiake nr.11 në kryeqytet janë bërë 5 herë më shumë investime se në 17 vjet të marra së bashku.
Ndërsa duke iu referuar investimeve të përgjithshme në Tiranë, Kryeministri u shpreh: “Dua t’i rikujtoj Kryetarit aktual me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, zotit Rama, por në radhë të parë dua të informoj qytetarët e Tiranës se, në këto 3 vjet, fondet që qeveria ime ka siguruar për Tiranën janë 240 milionë dollarë, janë 20 miliardë lekë”.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri tha:
“Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë për inaugurimin e kësaj vepre jashtëzakonisht të rëndësishme në përmirësimin e jetesës dhe kushteve higjienike të zonës së Bregut të Lumit. Gjithashtu, unë vij sot për t’ju dhënë ju, banorëve të Bregut të Lumit, premtimin tim solemn se kjo qeveri do të ndërmarrë të gjitha investimet e nevojshme për një infrastrukturë moderne në të gjithë territorin e Bregut të Lumit.
Një nga projektet madhore që po hartohet është projekti i një rruge të gjerë, me katër korsi, aks i cili do të përshkojë Tiranën nga verilindja në jugperëndimin e saj. Kjo është një vepër madhore që do të ndërtohet e tëra me financim të buxhetit të qeverisë qendrore.
Qeveria është e përqendruar me investime kudo dhe në mbarë vendin. Kryetari i njësisë suaj bashkiake, zoti Mustafa, ju njoftoi ju se këto tre vjet, në njësinë tuaj bashkiake kanë ardhur 3 herë më shumë investime se në 17 vite të marra së bashku. Por në të vërtetë, unë ju them se janë 5 herë më shumë, sepse janë edhe 3 milionë euro të tjera të kooperacionit italian, që qeveria shqiptare i ka adresuar në Laprakë. Ne vërtetë po investojmë në të katër anët e Shqipërisë, por unë ju garantoj se epiqendra e të gjithë investimeve tona është dhe do të jetë Tirana, sepse ajo është zemra dhe epiqendra e vendit.
Dua t’i rikujtoj Kryetarit aktual me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, zotit Rama, por në radhë të parë dua të informoj qytetarët e Tiranës se në këto 3 vjet, fondet që qeveria ime ka siguruar për Tiranën janë 240 milionë dollarë, janë 20 miliardë lekë.
Le t’i rendisim së bashku:
Janë 9 miliardë lekë kredi që qeveria shqiptare ka siguruar nga qeveria japoneze për kanalizimet e Tiranës.
Janë 2.2 miliardë lekë të investuara gjatë këtyre dy viteve në ujësjellës dhe kanalizime, nga buxheti i shtetit.
Janë 2.2 miliardë lekë, apo 18 milionë euro kredi e marrë nga qeveria shqiptare për shkollat e Tiranës. Ndërsa Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës, akoma nuk ka dorëzuar më shumë se 3 të tilla dhe përpiqet t’i shesë për të reja shkollat që i bojatis me bojërat që preferon vet. Dje, në një vizitë në një shkollë, ai thoshte se kam ndërtuar 30 mijë metër katror palestra. Ai mendon se banorët janë për t’u mashtruar. Por këtë shifër duhet ta pjesëtojmë me 10 dhe sërish jemi me rezerva të mëdha për shifrën që mbetet.
4 miliardë lekë është kredia që kemi marrë dhe po marrim nga Banka Europiane për Zhvillim e Rindërtim për unazën e madhe të Tiranës.
6 milionë euro, apo rreth 800 milionë lekë, është investimi që bëhet për sistemimin e Sharrës.
Ju jeni dëshmitar që kjo qeveri e bëri Tiranën me hyrje europiane. Kryetarit të Bashkisë mendja i ka mbetur te Zogu i Zi dhe te gropa që u mbyll pas Pallatit të Kulturës në kryeqytet. Por ne e kemi mendjen tek projektet madhështore, projektet që bëjnë Tiranën një qytet Europian. Ndaj, duke përgëzuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë projekt, dua të siguroj kryetarin e njësisë tuaj bashkiake se, qeveria, me përparësi të madhe, do të financojë çdo projekt të zonës së Bregut të Lumit, në mënyrë që jeta e këtyre qytetarëve të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”.
l