Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i PDSH-së nënshkruan marrëveshjen elektorale me PBKD-në

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë nënshkroi sot marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me kryetarin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat (PBKD) , zotin Artur Roshi.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Kjo marrëveshje me Ballin Kombëtar Demokrat kompleton marrëveshjet e përbashkëta të dhjetë forcave politike parlamentare të mazhorancës elektorale më të gjerë që ka njohur vendi në këto 18 vjet. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat mbart vlera shumë të çmuara, mbart një martirizim të vërtetë për idealet kombëtare, për vlerat kombëtare dhe individuale. Ndaj edhe unë shpreh kënaqësi të madhe që u bashkuam që të gjithë me vullnetin më të hekurt, me qëllimin më fisnik dhe me vizionin më të qartë të çojmë përpara këto arritje, të cilat unë do të thosha, para së gjithash dhe mbi të gjitha, kanë qenë plotësim i interesave të mbarë qytetarëve shqiptarë. I tillë është anëtarësimi në NATO, i tillë është aplikimi për në Bashkimin Evropian, e tillë liria e lëvizjes që ne do të marrim së shpejti, të tilla janë rritjet e pakrahasueshme të pagave dhe pensioneve, të tilla janë me qindra e mijëra kilometra rrugë që ndërtohen në mbarë vendin, të tilla janë shkollat, ujësjellësit, etj. Ne mbetemi një mazhorancë që kemi në epiqendër qytetarin dhe pa diskutim interesat e tij fisnike. Ne nuk mund të plotësojmë çdo interes të çdo individi, por ne plotësojmë interesat bazë. Të paktë kanë qenë ata që besonin se ne do ti bënim shqiptarët të harronin ndërprerjet shumëorëshe dhe torturuese të energjisë elektrike, por ne e bëmë këtë. Unë së bashku me zotin Lesi dhe me kryetarin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, kudo që shkonim na thoshin; a do të na bëni të kemi drita? Dhe ne ja që i bëmë me drita. Ne bëmë detyrën tonë, por dua të them që ne mbetemi një mazhorancë e halleve, e derteve dhe interesave të qytetarëve shqiptarë. Dhe mendoj se kemi një projekt shumë të mirë, të drejtë dhe jashtëzakonisht të mundimshëm. E them këtë sepse të marrësh përsipër të ndërtosh mijëra e mijëra kilometra rrugë, do të thotë buxhet dhe plus shumë gjera të tjera që ka në të. Por, ama këto lehtësojnë jetën e qytetarëve. Këto u kursejnë kohën dhe paratë qytetarëve, si dhe i bëjnë të ndihen të përfillur, të respektuar dhe jo të braktisur. Ne mbetemi një mazhorancë qeverisëse që kemi punuar dhe do të punojmë në mënyrën më intensive për të përmbushur interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë. Siç theksoj zoti Lesi pak më parë, ne jemi të sigurt në një fitore të thellë”.
06/05/2009