E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Interesi qytetarëve është integrimi në BE dhe të lëvizin lirisht, pa viza në mbarë Europën

Kryeministri Berisha inauguroi sot shkollën e mesme të përgjithshme në komunën Thumanë, në Krujë. Në takimin në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Është një kënaqësi e veçantë për mua të ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të shkollës së mesme të përgjithshme në Thumanë dhe t’ju uroj gëzuar këtë shkollë të mrekullueshme, të standardeve më të mira, me kabinete informatike. Mësuesit e fëmijëve tuaj, duke filluar nga data 1 maj, marrin një pagë dy herë më të lartë, sesa e kishin në vitin 2005.

Gëzohem që sot festojmë inaugurimin e shkollës në një datë të madhe të historisë sonë kombëtare, në ditëlindjen e heroit tonë, e prijësit legjendar të të gjitha kohërave të shqiptarëve, ditëlindjen e Skënderbeut.

Vëllezër e motra,

Këto janë javët e fundit të një mandati, në të cilin ne ju kemi vërtetuar juve, fëmijëve tuaj se për këtë qeverisje interesat tuaja kanë qenë përparësia më madhore e saj. Unë besoj se për ju dhe për çdo shqiptar anëtarësimi në NATO ka qenë një interes madhor strategjik. Nga koha e Skënderbeu gjer më sot, ne udhëtuam në rrugët e shtigjet më të vështira, por sot liritë tona janë më të sigurta se kurrë. Anëtarësimi në NATO u bë e mundur nga ne që i besojmë reformave, u bë i mundur nga të gjithë ne, të cilët integrimin në NATO e kishim një ëndërr. Ne realizuam një ëndërr të çdo shqiptari. Ne realizuam rikthimin e shqiptarëve, pas shekujsh që nga koha e Skënderbeut, në gjirin e familjes së kombeve të qytetëruara.

Por në qoftë se 94 përqind e shqiptarëve ishin dakord, kanë vlerësuar dhe kanë mbështetur anëtarësimin në NATO, me anëtarësimin në NATO nuk ishin dakord dhe mbetën zemërthyer një grusht i vogël njerëzish, të cilët, në orën kur ne merrnin ftesën në Bukuresht, mashtronin shqiptarët, me mediat e tyre, se ftesa nuk do të merret dhe me portretet e Enver Hoxhës, organizonin në Tiranë, mitingun e protestës për ftesën e marrë në NATO. Nuk ishin dakord ata, të cilët përdornin mediat e tyre për të zhvlerësuar, për të denigruar legjendën e qëndresës sonë, Skënderbeun. Po ato media, po ata persona që shpikën trillimin me orën e George W Bush, do të hapeshin me titujt denigrues kundër heroit tonë kombëtar, qenies, identitetit, thelbit të vokacionit tonë perëndimor, Skënderbeut. Këta shokë apo zotërinj kanë vetëm një alternativë, alternativën e karriges së tyre.

Të nderuar qytetarë,

Në 4 vite, ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur dhe për të plotësuar interesat tuaja. A nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pensionit në fshat; a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të mësuesve; a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të infermierëve; a nuk ishte interesi juaj rritja e pensioneve në qytet 48 deri më 70 përqind. Ky është interesi i çdo shqiptari të ndershëm që do të shohë vendin të zhvillohet. Por ky nuk është interesi i një grupi të vogël njerëzish, të cilët një muaj më parë, paçka se për veten e tyre firmosin në bordero mbi 1.5 milion lekë në muaj pagë shtetërore, i kërkonin qeverisë të mos rriste pagat e pensionet, kërcënonin me krizën. Më thoni në është alternativë kjo. Jo, kjo është nihilizëm, është zili. Interesi juaj, të dashur qytetarë, është që ne të integrohemi në BE, që ne të marrim statusin e kandidatit, që ju të lëvizni të lirë, pa viza në mbarë Europën. Por ky nuk është interesi i atyre, të cilët udhëhiqen vetëm nga karrigia e tyre. A nuk ishin ata, drejtues të opozitës, që bënin thirrje të mos aplikonim për statusin e kandidatit. I pyesim pse e keni këtë zili për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, pse ju doni që ne të mos bënim hapin e aplikimit, pse ju, që lëvizni me pasaporta diplomatike, nuk doni që këta qytetarë të lëvizin si të gjithë qytetarët e Europës, të vizitojnë fëmijët e tyre kudo, ku i kane në mërgim, apo me kursimet e tyre t’i bëjnë pushimet aty, ku duan. Alternativa  e tyre është "mirë jeni ju, rroftë karrigia ime!" Jo zotërinj.

Më lejoni të shtrojmë së bashku pyetjen, a mund të pranohet si alternativë mohimi, a mund të pranohet si alternativë denigrimi i Skënderbeut, a mund të pranohet si alternativë mitingu për të protestuar për NATO-n, a mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos rritur pagat e pensionet, a mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos aplikuar për statusin e kandidatit në BE. Jo dhe jo.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Thumanës,

Këto 4 vite, ne ia dolëm të ndryshojmë Shqipërinë dhe për çdo shqiptar që e do këtë vend dhe mendon për veten dhe fëmijët e tij, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate e BE-së, Shqipëria me 1012 shkolla të reja apo të rindërtuara në 4 vjet, Shqipëria me mësues, infermierë e mjekë me paga të dyfishuara, me pensionet e fermerëve të dyfishuara, është një Shqipëria tjetër. Por tjetër është edhe Shqipëria në infrastrukturën e saj. Le të marrim vetëm një krahasim. Në rrethin e Krujës, në 4 vite, janë ndërtuar 7 shkolla të reja. Pyesni sa janë ndërtuar në kryeqytetin e vendit prej 700 mijë banorësh? Janë ndërtuar gjithsej 3 shkolla të reja, sepse shkollat nuk japin dot 20 përqindëshin apo një kat gjobë.

Vëllezër e motra,

Kudo që shkoj kam para një listë të investimeve lokale. Këtu, më informojnë se në 8 vitet që shkuan të qeverisjes socialiste, në këtë komunë janë investuar gjithsej  13 milion lekë, kurse ne kemi investuar 335 milion lekë. Kemi asfaltuar rrugën autostradë-fshati Dukagjin i ri me vlerë 23 milion lekë, ndërtimin e shkollës së mesme në Thumanë me 50 milion lekë, ndërtimin e ujësjellësit në Thumanë me 47 milion lekë, rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në fshatrat Dukagjin, Kodër Derven, Sukth dhe Borizanë me vlerë rreth 10 milion lekë, rruga autostradë-Kodër Derven, me trotuare, me vlerë 16 milion lekë, sistemim asfaltim autostradë-Qendër Gramëz me vlerë 18 milion lekë dhe së shpejti tenderojmë rrugën Fushë Krujë-Milot me një shumë prej rreth 40 milion lekë për rindërtimin e saj. Nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë të asfaltuar dhe tani janë asfaltuar 12 kilometra rrugë. Jam këtu për t’ju dhënë fjalën e nderit se në mandatin e dytë nuk do të ketë metër linear rrugë të paasfaltuar në këtë fshat dhe në mbarë rrethin e Krujës.

Zoti kryetar i komunës, ju kërkoj juve dhe Këshillit të komunës të bëni të gjitha projektet, me të cilat Thumana të ketë shkollat, ujësjellësit, rrugët, kanalizimet e një lagjeje të qytetit të Tiranës. Ne ia dalim. Ne e mbajmë fjalën tonë. Ne bëjmë një luftë të madhe kundër abuzimeve, kundër korrupsionit. Aty është miniera e të gjithave parave të kësaj qeverie. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Shqipërisë do të jenë të reja apo të rindërtuara, çdo familje do të ketë ujë të pijshëm, pensionet e fermerëve do të barazohen me pensionet e qytetit, sepse ata e meritojnë plotësisht.

Pra, le të vazhdojmë së bashku më 28 qershor, të ripërsërisim edhe një herë ’92-in, fitoren më të thellë, t’i rikthehemi ’92-it, sepse në vitin ’92 të gjithë së bashku brohorisnim “Shqipëria në NATO” dhe ne realizuam të ëndrrën tonë, të përsërisim sërish ’92-in për të integruar Shqipërinë në BE, për të lëvizur ju të lirë, në mbarë Europën.

Rroftë populli i Thumanës, Krujës dhe mbarë Shqipërisë!


06/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›