Kryeministri Berisha: Ne jemi burrat dhe gratë e fjalës së mbajtur, ne nuk punojmë për pushtetin, por për vlerat, për zhvillimin, për integrimin
Sot pasdite Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 18 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në Durrës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të PD-së në nivel qendror dhe lokal, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes të gjithë qytetarët e Durrësit kudo që ndodhen në këtë ditë të shënuar, në të cilën ne kremtojmë së bashku ditën e pluralizmit politik, ditën e lindjes së lirive tona individuale, ditën e lindjes së dinjitetit tonë kombëtar, ditën e themelimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në historinë e vendit.
18 vjet më parë, të rinj e të reja, burra e gra, qytetarët e Durrësit, themeluan këtu në Durrës, qytetin mijëra vjeçare, Partinë Demokratike, si partinë e lirive të tyre, si partinë e çështjes kombëtare e interesit kombëtar, si parti të shpirtit perëndimor të Durrësit, si parti të integrimit evropian dhe euroatlantik të tij, si parti e cila do të rikthente në Durrës e në mbarë Shqipërinë lirinë dhe të drejtat e ndaluara me Kushtetutë, dinjitetin njerëzor të merituar nga çdo qytetar, do të rikthente shpresën e besimin, do rikthente vlerat, pluralizmin politik, pluralizmin fetar, pluralizmin ekonomik, do të rikthente vendin drejt Europës e botës së qytetëruar.
Sot, në këtë 18 vjetor, ne, mbi të gjitha, nderojmë njëri-tjetrin, nderojmë guximin, kurajën, përpjekjet dhe sakrificat që ne bëmë për t’u bërë të lirë, nderojmë mundin, djersën dhe përkushtimin që ne dëshmuam çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për të ndërtuar lirinë që meritojnë.
Ne u themeluam 18 vjet më parë në kushtet e një diktature më të egër në Europë, të një terrori të vërtetë, të një monizmi ekstrem dhe absolut. Por ne sërish, së bashku, me guximin, përkushtimin e kurajën tonë krijuam një uragan të vërtetë, lëvizjen demokratike, uraganin që më 22 mars do të përmbyste diktaturën më të egër, do të hapte për ne, për çdo qytetar shqiptar mundësinë të niste ndërtimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipërisë.
18 vjet më parë, ne ishim burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që nuk kishin jetuar qoftë edhe një ditë të vetme në liri, por në shpirt, në zemër, ne kishim vendosmërinë, vullnetin për ta ndërtuar atë. Pas zgjedhjeve, me reforma të thella, të gjithanshme, e nxorëm Shqipërinë nga bunkeri i izolimit dhe e lidhëm atë me vende të mëdha dhe mike në mbarë botën, e anëtarësuam atë në Këshillin Europës, ekonominë më të centralizuar të Europës e shndërruam në ekonominë më private të kontinentit. Me një shpejtësi marramendëse ne bëmë pronarë 220 mijë familje qytetare në qytetet e vendit, 500 mijë familje fermerësh në fshatrat e vendit.
Shqipëria, me reformat e tregut mori një zhvillim që nuk e kishte njohur ndonjëherë. Kriza financiare favorizoi rebelimin komunist në vitin 1997, ne dorëzuam pushtetin, por nuk dorëzuam parimet, nuk dorëzuam vlerat, nuk dorëzuam besimin, nuk dorëzuam idealet. Në opozitë ne u vramë por nuk u dorëzuam, u burgosëm por nuk u dhamë dhe vazhduam rrugën tonë. Asgjë nuk na mposhti. Ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë ishit dëshmitarë se opozita shqiptare u shndërrua në forcën e saj të pakthyeshme morale, në garantin kryesor të vlerave të lirisë.
Sërish, ne erdhëm në pushtet në vitin 2005. Qytetarë të Durrësit, ju sot duhet të ndiheni krenarë, sepse ju i sollët Shqipërisë në parlament të gjitha avanguardet. Pavarësisht nga bandat, nga krimi, asgjë nuk e mposhti moralin tuaj qytetar dhe u shndërruat në këtë mënyrë në një faktor udhëheqës të fitores sonë.
Durrësi e mbarë Shqipëria votoi për ndryshimin, votoi për të shembur muret e turpit, me të cilat regjimi kleptokratik rrethoi Shqipërinë, votuat për të shembur murin e korrupsionit, murin e kleptokracisë, murin e krimit.
Sot në 4 vjet, ju duhet të jeni më krenarë se kurrë me votën tuaj. Sot në 4 vjet, Durrësi e Shqipëria ndryshuan më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre. Sot, në 4 vjet përpjekjesh të përbashkëta, ndërtimit të lirisë së lirisë së bashkë, në 4 vjet ndërtimi të tregut të lirë së bashku, ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në një kohë kur ata që u larguan nga pushteti me votë futën në parlament bori e bilbila vetëm e vetëm, për të bllokuar procesin europian të Shqipërisë, kurse ne së bashku firmosëm në Luksenburg MSA-në, kontratën historikë të Shqipërisë me Europën. Këto ditë përfundoi ratifikimi i kësaj kontrate. 27 vende anëtare firmosën mbi veprën tuaj, mbi djersën e përkushtimin tuaj, reformat që ju mbështetët, sakrificat që ju bëtë.
Jam këtu për t’u zotuar se, së bashku, Shqipërinë do ta bëjmë kandidate të Bashkimit Europian, së bashku do ta çojmë atë drejt anëtarësimit të plotë, së bashku do të lëvizim të lirë në mbarë Europën, pa viza, si qytetarë të saj.
Ëndrra jonë perëndimore, ëndrra jonë euroatlantike, këto vite u shndërrua në realitet dhe ne morëm në Bukuresht ftesën për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, një akt madhor, historik, në fushën e sigurisë së këtij vendi. Pas kohërave të Skënderbeut, ftesa për anëtarësim në NATO ishte akti më kulmor. Unë ju garantoj se, ne së bashku do të bëjmë çdo përpjekje ta bëjmë atë anëtare të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Vitet tona të dyta ishin vitet e ndryshimeve më të mëdha, këto ishin vitet në të cilat Kosova u bë e pavarur. Partia Demokratike u themelua këtu në Durrës, në Tiranë e kudo, si parti e çështjes kombëtare, si parti e interesit kombëtar. Sot Kosova është e pavarur, e lirë. Rroftë Kosova.
Qytetarë të Durrësit,
Shqipëria këto katër vite ndryshoi sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Qytetarët e Durrësit, Vlorës, Shkodrës e mbarë Shqipërisë sot janë më të sigurt për jetën dhe pronën e tyre, sepse me luftën tonë me zero tolerancë ndaj krimit ne çmontuam dhe vendosëm para ligjit një e nga një bandat e organizatat kriminale. Shqipëria sot ka treguesit e kriminalitetit qartësisht nën mesataren e vendeve të BE-së. 3 vjet më parë në Shqipëri korrupsioni ishte shndërruar në sistem. Së bashku ne shembëm sistemin e kleptokracisë.
Para jush jam zotuar në mënyrë të përsëritur se, me gërshërët e ligjit do të presim duart e atyre zyrtarëve që i zgjasin ato në xhepat tuaj. Me dhjetëra e qindra e kanë provuar atë që meritojnë. Të tjerë sërish do ta pësojnë.
Unë ju jap fjalën se, sot më shumë se kurrë, vullneti im është i hekurt për të mbrojtur paratë tuaja, buxhetin tuaj. Ne duhet të krenohemi, sepse vitin që kaloi qeveria që ju votuat, u vlerësua si kampione në luftën kundër korrupsionit, se në 3 vjet ne ia dolëm të nxjerrim nga kthetrat e tij të zeza 3.2 miliardë dollar, se sot ne ecim me shpejtësi drejt goditjeve të vendosura të tij. Në rast se ne 3 vjet më parë grupoheshim në një nga 24 vendet më të korruptuara të botës, sot kemi lënë pas 95 vende. Unë ju jap fjalën se vrapi ynë nuk do të ndalet, se përpjekja jonë do të jetë; të kapim 20 vendet e para.
Shpirti i qytetit tuaj të lashtë është shpirti i tregut të lirë. Çfarë bëmë ne për tregun e lirë. Ne e ngjitëm Shqipërinë në çatinë e botës për suksesin e reformave. Shqipëria, në një turravrap të paparë në historinë e saj, brenda një viti la pas 52 vende të botës. Unë garantoj qytetarët dhe biznesmenët e Durrësit se mandati i dytë do të jetë mandati i tregut të madh e të lirë.
Durrësi ndryshoi dhe po ndryshon. 3 vjet më parë premtuam këtu në Durrës Universitetin dhe unë sot kam kënaqësinë t’ju pohoj se ju keni një nga universitetet moderne të vendit. Së shpejti do të inaugurojmë portin modern të Durrësit, parkun më të madh industrial të vendit, Parkun më të madh Energjetik të vendit. Durrësi epiqendra e zhvillimit kombëtar në Shqipëri.
Këtu në Durrës e në mbarë Shqipërinë, kam premtuar se arsimi do të jetë përparësia madhore e qeverisë sime. Sot vij këtu para jush krenar, sepse në datën 1 maj të vitit 2009 të gjithë mësuesit e Durrësit, mjekët, infermierët e Durrësit, marrin një rrogë 2 herë më të madhe sesa e merrnin 45 vjet më parë. Ne ende nuk jemi vend i pasur por unë ju jap fjalën se do të bëj çdo përpjekje, do të bëj gjithçka që pasuritë përrallore të këtij vendi të shndërrohen në vlera për ju, në pasuri për ju. Ndaj rritja e rrogave, dyfishimi i tyre për arsimin, shëndetësisë, dyfishimi pensioneve në fshat, rritja e madhe e pensioneve në qytet, këto katër vjet, janë hapi i parë i madh, për të ndërmarrë hapa të tjerë të mëdhenj, derisa shqiptarët të shpërblehen me rrogat e pensionet që meritojnë. Në 4 vjet, ne kemi lënë pas vende shumë më të fuqishme se ne, ne kemi lënë pas në rroga e pensione Bullgarinë, Rumaninë, disa vende baltike. Në 4 vjet, ne jemi me vetëm 30 për qind larg rrogave të çekëve e polakëve. Ne do t’i arrijmë ata.
Kudo që unë shkoj, këdo që takoj, jam i qetë, sepse unë ju përfaqësoj me dinjitet, sepse kam mbajtur fjalën, premtimet në çdo qoshe të këtij vendi, në çdo skaj të tij, në çdo shtëpi, kudo ne kemi mbajtur premtimet tona. Ne jemi burrat dhe gratë e fjalës së mbajtur, ne nuk punojmë për pushtetin, por punojmë për vlerat, për zhvillimin, për integrimin.
Një ditë dëgjoja kryetarin e opozitës tek u deklaronte fermerëve në Gruemirë se, nëse fiton Sali Berisha, humbi gjenerata ime. Me lejoni t’i them këtu se; Edi, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të ndërrosh emrin, bëju Edvin, sepse unë me ju s’po punoj për karrige, por po punoj, për rrugë, për ujësjellës, po punoj për të ardhmen, po punoj për Europën, për mirëqenien, për rrogat, pensionet, për rininë.
Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria”.
16/01/2009