E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit : BE-ja besoi te Shqipëria Europiane.

  Kryetarja e Kuvendit : BE-ja besoi te Shqipëria Europiane.   Shqipëria përfundoi ratifikimin e MSA-së në një kohë rekord duke faktuar se BE-ja besoi tek Shqipëria Europiane. Kjo është një ditë, kur ajo që pak vite më parë ishte një ëndërr kaq e largët për prindërit tuaj, sot të jetë në dorën tuaj. Por puna e prindërve tuaj, sakrifica, reformat që ky vend ka bërë, bënë të mundur që kjo ëndërr të bëhet realitet."   Kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në seancën e posacme parlamentare me të rinjtë, në përfundim të ratifikimit të MSA-së, nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.   Në këtë takim të veçantë me studentë të universiteteve të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe universitete jopublike, Kryetarja e Kuvendit ndër tjera tha: Sot është një ditë e veçantë për Shqipërinë, për ju për të gjithë ne.   Shqipëria përfundoi ratifikimin e MSA-së. Vendet anëtare të BE-së me votën e tyre, në një kohë të shkurtër, rekord, na besuan që Shqipëria është europiane; 27 vendet e BE-së besuan që Shqipëria bën reforma, besuan që Shqipëria ka ndryshuar.   Por e veçanta e kësaj dite është, se nuk ka gjë më të bukur për mua personalisht, që ta ndaj këtë arritje të jashtëzakonshme, këtë ëndërr kaq të madhe të brezit tonë, me brezin tuaj, sot.  
Në fakt kjo është një ditë, kur ajo që pak vite më parë ishte një ëndërr kaq e largët për prindërit tuaj, sot të jetë në dorën tuaj. Por puna e prindërve tuaj, sakrifica, reformat që ky vend ka bërë, bënë të mundur që kjo ëndërr të bëhet realitet.   Unë jam e sigurt se jo shumë vite pas, ju do të jeni deputetët realë, jo vetëm senatorë të universiteteve. Ju do të jeni përfaqësues të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, jo vetëm në Parlamentin e Shqipërisë; disa prej jush do të jeni përfaqësues në Parlamentin Europian.   Me  këtë hap të ratifikimit të MSA së, finalizimit  të këtij procesi, Shqipëria ka shkurtuar me një shpejtësi rekord rrugën dhe  kohën për të arritur në Bruksel.   Unë besoj se për një periudhë 6 -7 vjeçare, Shqipëria do të jetë e pranuar si anëtare me të drejta të plota në BE, dhe ju do të jeni si të gjithë të rinjtë e Francës, Gjermanisë Italisë.   Do të lëvizni lirshëm , do të jeni të barabartë për të qenë në garë si gjithë të tjerët.   Unë kam takuar shumë studentë si ju që studiojnë në universitete të ndryshme të Europës, dhe të botës. Janë më të mirët, më të shkëlqyerit, më këmbëngulësit më të përgjegjshmit.   Janë avokatë të shkëlqyer të imazhit të Shqipërisë në botë. Kjo është njëra anë, pjesa tjëtër e rëndësishme është se për një periudhë  jashtëzakonisht të shkurtër, Shqipëria po bën të mund ratifikimin e Protokollit të NATO-s dhe deri më sot janë 18 Parlamente dhe Senate, duke filluar nga SHBA, Kanadaja, Turqia dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, që na kanë dhënë besimin, ne si shqiptarë, që i ka dhënë besimin transformimit dhe reformave të Shqipërisë.   Na kanë mbetur vetëm 2 muaj e gjysëm afat, për të cilin ne po vrapojmë fort, për të bërë të mundur që Parlamentet, që kanë mbetur dhe që e kanë në në axhendën e tyre parlamentare, ta mbyllin ratfikimin brenda muajit mars.   Kjo është sfida më e jashtëzakonshme që ne kemi përpara.Ky është aktualisht dhe objektivi ynë kryesor, bashkë me kolegët deputetë të këtij Parlamenti,   Përmbyllja e ratifikimit të Protokollit të NATO-s, do të bëjë që në Francë, në muajin prill, ku do të zhvillohet Samiti i NATO-s, ne të bëhemi anëtare të Aleancës.    Kjo do të thotë siguri për ju, siguri dhe perspektivë për Shqipërinë, kjo do të thotë zhvillim ekonomik, kjo do të thotë se ne do të pranohemi si partnerë me vendet që janë faktor politik, ekonomikë globalë, me SHBA, Kanadanë, Gjermaninë dhe vendet e tjera.   Rruga nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi ka qenë e vështirë, që kërkonte sakrificë, vizion, por mbi të gjitha kërkonte lidership të fortë   Në këtë sallë, ku jeni ulur ju keni ndjekur debate, opionione mendime, mbi bazën programit që ka secila parti.    Nuk  ka sallë tjetër më të rëndësishme sesa kjo sallë , nuk ka nder më të madh, sesa të përfaqësosh popullin tënd, të kesh mundësi të ndryshosh gjërat.   Unë ndihem krenare që gjatë kësaj periudhe kam qenë Kryetare e Kuvendit dhe kam pasur mundësi, që bashkë me kolegët e mi, të mbroj reforma që kanë bërë të mundur që buxheti i shtetit të dyfishohet, dhe në asnjë vend tjetër të botës, asnjë qeveri nuk ka arritur të dyfishojë buxhetin në një periudhë kaq të shkurtër .   Na thanë që është e pamundur të ratifkojmë Brenda këtij harku kohor MSA-në dhe ne ia dolëm  mbanë, na thanë që është e pamundur të ratifikojmë në një periudhë kaq të shkurtër Protokollin e NATO-s dhe ne e bëmë.   Na thanë se nuk ka logjikë ekonomike, që kur ul taksat, rrit të ardhurat, por  ne mundëm që buxhetin nga 2 milard e gjysëm dollarë e rritëm në 5 miliard dollarë.   Në fakt ky vend ka potenciale edhe më të mëdha, mjafton që të kesh këmbëngulje, vullnet, të punosh me pasion dhe çdo gjë mund ta realizosh.   Ju nga kjo sallë keni dëgjuar dhe keni parë debate të mëdha për reforma të mëdha, sepse këto reforma kërkojnë ndryshime në themel.   Dhe kur kërkon ndryshime në themel, ka shumë interesa që lëvizin.  
Ne kemi ndryshuar shumë gjëra, jashtëzakonisht shumë. Nuk ka vend tjetër që në 17 vite të ketë patur transformim kaq të madh sa Shqipëria, e cila ndryshe nga shumë vende të tjera, ka filluar procese në historine e saj demokratike pas viteve 90'.   Ne si shqiptarë ndoshta si asnjë komb tjetër kemi treguar se jemi një popull me energji të pashtershme, me një optimizëm të admirueshëm, me këmbëngulje të madhe, por kryesisht me një vokacion të palëkundur drejt përëndimit, drejt të ardhmes së globalizimit.   Dhe për këtë ju duhet ti jeni mirënjohës prindërve tuaj , është brez që ka sakrifikuar shumë.   Unë jam shumë e lumtur që sot jemi së bashku në këtë sallë për të ndarë kënaqësinë e kësaj dite të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›