Kryeministri Berisha: Ne shkojmë drejt mandatit të dytë pasi premtimet tona i kemi bërë realitet
Në vazhdim të vizitës në Vorë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorët e kësaj zone në kudër të turit “Shqipëria po ndryshon”.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes vëllazërisht dhe t’ju uroj për shkollën dhe kopshtin e ri që sapo inauguruam. Dëshiroj të përgëzoj kryetarin tuaj të Bashkisë, i cili me ndjenjën më të lartë të ndërgjegjes, me vështirësi të jashtëzakonshme ia doli të udhëheqë bashkinë tuaj dhe të përcaktoj për këtë bashki vizionin e Vorës moderne, e Vorës së zhvilluar dhe të Vorës portë e mrekullueshme e kryeqytetit të vendit.
Vëllezër dhe motra,
Qeveria që unë kryesoj, në më pak se katër vjet dhe në përputhje me premtimet e saj, ka investuar në këtë bashki 1 miliardë e 640 milionë lekë, kundrejt 49 milionë lekë që ka investuar qeveria e mëparshme në bashkinë e Vorës. Vetëm në këto katër vite, në bashkinë tuaj janë ndërtuar dhe rindërtuar katër shkolla dhe një kopsht. Pra, janë ndërtuar dhe rindërtuar qartësisht 30 për qind më shumë se në bashkinë e kryeqytetit. Jo se atje ne nuk kemi dhënë fonde. Edhe aty ne kemi financuar ndërtimin e 8 shkollave dhe rindërtimin e 12 të tjerave, por ajo që populli e quan unjti e papërmbajtur apo babëzi e shfrenuar nuk lejon të gjinden troje për shkollat sepse tek shkollat nuk merret dot kati apo dy katet, nuk merret dot 20 për qindshi.
Ndaj dhe ne jemi të vendosur të financojmë në Vorë dhe në mbarë Shqipërinë çdo projekt që ndryshon për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Nën moton e plotësimit të interesave tuaja, ne kemi investuar në Vorë 1.6 miliardë lekë. Unë ju garantoj ju zoti Fiqiri, Kryetar i Bashkisë, se qeveria do të investojë dhe financojë çdo projekt tuajin në këtë zonë.
Vëllezër dhe motra,
Ne ecim drejt mandatit të dytë, pasi ne Shqipërinë e shkëputur nga Evropa e anëtarësuam në NATO, pasi ne Shqipërinë, të cilën muret e korrupsionit dhe të krimit e kishin ndarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ia dolëm që të ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që në Parlamentet e tyre të 27 vendet e BE-së të votojnë për Shqipërinë dhe në 28 prill të paraqesim kërkesën për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Ne shkojmë drejt mandatit të dytë, pasi kemi bërë realitet premtimet tona për pensionet dhe për pagat. Ne dalim sot ballëlart para të moshuarve të kombit dhe vendit tonë, sepse rritëm pensionet e tyre më shumë se çdo vend tjetër në Evropë. Kjo sepse rritëm pensionet e fshatit 100 për qind, rritëm pensionet e qytetit nga 50 deri në 70 për qind. Ne sot vijmë buzë mandatit të dytë pasi kemi 2 – fishuar pagat e mësuesve të vendit, infermierëve dhe mjekëve të vendit; pasi kemi ndërtuar apo rindërtuar 1012 shkolla në mbarë vendin dhe kanë mbetur më pak për katër vjeçarin që vjen. Ne vijmë sot në prag të mandatit të dytë pasi kemi shndërruar Shqipërinë në kantier ndërtimi nga Morini në Konispol. Ne vijmë drejt mandatit të dytë pasi siguruar rendin dhe shndërruar Shqipërinë në një nga vendet më të sigurta të Evropës; pasi kemi shumëfishuar në katër vite numrin e vizitorëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Vitin e kaluar, vetëm në Sarandë erdhën 300 mijë vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë vizitorë që erdhën në mbarë vendin në vitin 2004. Ndërsa vitin që kaloi Shqipëria u vizitua nga 2.7 milionë vizitorë. Ne vijmë drejt mandatit të dytë pasi kemi zgjidhur përfundimisht furnizimin me energji elektrike. Ne vijmë drejt mandatit të dytë pasi ia dolëm në një luftë të egër kundër korrupsionit; arrimë të kursejmë dhe të nxjerrim nga kthetrat e tij 4.2 miliardë dollarë. Ne vijmë drejt mandatit pasi investuam në mbarë fshatrat e Shqipërisë 1.6 miliardë dollarë, më shumë se kurrë në historinë e tyre.
Përballë kësaj alternative; për ndryshimin e jetës së përditshme, për përmirësimin e transportit, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kërkesës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, qëndron alternativa e nihilizmit, alternativa e mohimit, alternativa e blofeve, alternativa në bazë të së cilës Shqipëria meriton çdo të keqe. Ju e provuat më shumë se kushdo tjetër këtë alternativë, kur opozitarët u përpoqën duke manipuluar shpirtrat e të vdekurve tuaj për karriget e tyre, por ju, burra dha gra fisnikë, u treguat vendin atyre.
Alternativa e mohimit, alternativa sipas të cilës rroftë e keqja dhe poshtë Shqipëria, shtyn opozitarët e sotëm të transmetonin lajme se Shqipëria nuk do e marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në kohën kur merrnim ftesën në Bukuresht; në kohën kur ne shkonim të ftuar nga Presidenti Bush ata organizonin mitingje me portrete të Enver Hoxhës. Alternativa e tyre është alternativa e blofeve, alternativa e shpifjeve dhe trillimeve, alternativa me të cilën deklarojnë të vdekurit në aksident si të pushkatuar nga qeveria, alternativa në të cilën premtojnë ndalimin e rritjes së rrogave.
A ka opozitë në botë që ti thotë qeverisë mos rrit rrogat dhe mos rrit pensionet? A ka opozitë në botë që të thotë se do të anulojë me dhjetëra e dhjetëra koncesione, në të cilat do të krijohen dhjetëra e mijëra vende pune? A ka opozitë në botë që të thotë mos aplikoni për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian? Kjo është opozita e blofit, opozitë e cila ka një dhe vetëm një interes; karrigen dhe vetëm karrigen.
Qytetarë dhe qytetare të Vorës,
Jam sot për t’u zotuar para jush se interesat tuaja, interesat më të rëndësishme të fëmijëve tuaj, janë dhe do të jenë axhenda ime dhe qeverisë time. Unë programin tim e kam të thjeshtë, e kam bazuar dhe do ta bazoj tek ato çfarë ju interesojnë më tepër juve. Ju interesojnë rrugët e asfaltuara – unë do të çoj asfaltin në çdo fshat të këtij vendit; ju intereson uji i pijshëm – unë do të çoj ujin e pijshëm në çdo shtëpi të këtij vendi; ju intereson rritja e pensioneve – unë do të barazoj pensionet e fshatit me pensionet e qytetit dhe i rris ato edhe shumë më tepër; juve që intereson intereson rritja e pagave – ne këtë vit lamë pas dy vende të Bashkimit Evropian për pagat. Unë ju jap fjalën ju se në vitet që vijnë do të lëmë pas edhe disa vende të tjera. Rritja e pagave është dhe do të mbetet përparësi madhore e kësaj qeverie. Juve ju intereson lëvizja e lirë në mbarë Evropën dhe unë ju premtoj ju se vitin e parë të mandatit të dytë, qytetarët e Vorës dhe të mbarë Shqipërisë do të lëvizin pa viza në mbarë Evropën.
Dua të garantoj kryetarin tuaj të Bashkisë z. Fiqiri Ismajli dhe deputetin tuaj z. Astrit Patozi, i cili ka qenë avokati më i shkëlqyet i interesave tuaja në qeveri, se në katër vitet që vinë do të investohen nga qeveria pa asnjë hezitim dhe pa asnjë përjashtim të gjitha projektet e bashkisë së Vorës.
Rroftë Vora, rroftë Shqipëria!”
11/05/2009