E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon të Ngarkuarin me Punë të Kosovës në Shqipëri, z. Gazmend Pula

 Kryeministri Berisha priti sot në një takim të Ngarkuarin me Punë të Kosovës në Shqipëri, z. Gazmend  Pula

Pasi i uroi mirëseardhjen z. Pula, Kryeministri Berisha u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë të priste sot përfaqësuesin e Kosovës së pavarur dhe t’i uronte atij suksese  në misionin e tij diplomatik në Shqipëri. 

Zoti Gazmend Pula falënderoi Kryeministrin për pritjen, duke theksuar se e konsideronte një nder të madh dhe një moment historik takimin e tij, në cilësinë e Përfaqësuesit të Kosovës së pavarur, me Kryeministrin Berisha.

Pasi i përcolli përshëndetjet më të përzemërta dhe vëllazërore të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi, ministrit të Jashtëm Hyseni, i Ngarkuari me Punë i Kosovës falënderoi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që, ai personalisht dhe qeveria shqiptare, i dhanë rrugëtimit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Në vijim, zoti Gazmend Pula i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për projektin e rrugës Durrës Kukës – Morinë,  të cilën ai e cilësoi si një projekt madhështor për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve vëllazërore mes qytetarëve të të dy vendeve tona, por edhe si një projekt shumë i rëndësishëm për promovimin e integrimit rajonal dhe euroatlantik të Ballkanit.

Të dy palët shprehën vendosmërinë për thellimin dhe zgjerimin e  bashkëpunimit në të gjitha fushat, si dhe për ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, në veçanti, për sa i përket transportit rrugor dhe rrjeteve energjetike, të cilat do t’i shërbejnë interesit ekonomik dhe zhvillimit të të dy vendeve, por edhe rajonit.  

 I Ngarkuari me Punë i Kosovës, z. Gazmend Pula, shfrytëzoi rastin të falënderonte Kryeministrin Berisha edhe për sigurimin e mjediseve për vendosjen e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, duke e cilësuar atë si një simbolikë tjetër të përkrahjes së veçantë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij japin Kosovës.  

Kryeministri Berisha dhe i Ngarkuari me Punë i Kosovës vlerësuan si jashtëzakonisht pozitive zhvillimet e fundit në rajon, ku Maqedonia dhe Mali i Zi njohën pavarësinë e Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë se njohja e pavarësisë është kusht thelbësor për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë.  


24/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›