Kryeministri Berisha feston me fëmijët e komunitetit rom festat e fundvitit
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha, festuan sot paradite, së bashku me fëmijë të komunitetit rom, festat e fundvitit. Në një festë krejt të veçantë të organizuar në mjediset e Kryeministrisë, Kryeministri dhe Zonja e tij ndanë me fëmijët kënaqësinë dhe emocionin e festave, përmes vjershave të ndryshme të recituara nga ata, numrave magjikë dhe argëtimeve të tjera.
Kryeministri Berisha dhe Zonja e tij ndanë për fëmijët dhurata të ndryshme me lodra e veshmbathje, duke u uruar atyre por edhe gjithë fëmijëve të Shqipërisë, një vit të mbarë e të gëzuar, ashtu siç ata e meritojnë.
“Nga kopshti ju do shkoni në shkollë, nga shkolla në jetë, duke e ndjekur shkollën gjithnjë e më të sigurt”, u shpreh Kryeministri, i cili garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për kushte më të mira dhe për një të ardhme tjetër për fëmijët e këtij komuniteti, ashtu siç ata e meritojnë.
Fëmijët e komunitetit rom shoqëroheshin edhe nga Presidentja e Shoqatës “Gruaja Rome”, znj. Meleqe Renja.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Ju jeni vizitorët e mi më të dashur dhe më të bukur, me të cilët unë mbyll vitin që po përcjellim dhe festoj me ju ardhjen e Vitit të Ri. Ndaj ju falënderoj shumë që keni ardhur këtu, falënderoj shumë mësuesen tuaj, falënderoj prindërit tuaj dhe ju uroj shumë gëzime, shëndet, lumturi, juve dhe familjeve tuaja.
Dua t’ju siguroj se do përpiqemi bashkërisht me prindërit tuaj, me komunitetet tuaja, që ta bëjmë gjithnjë e më të mirë jetën tuaj. Unë e përshëndes shumë përzemërsisht mësuesen tuaj znj. Meleqe, që është edhe një frymëzuese për këtë veprimtari.
Nga kopshti ju do shkoni në shkollë, nga shkolla në jetë, duke e ndjekur shkollën gjithnjë e më të sigurt. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për kushte më të mira për ju, do bëjmë gjithçka që ju të keni një të ardhme tjetër, ashtu siç e meritoni, ndryshe nga prindërit tuaj.
Edhe një herë, ju përqafoj dhe ju uroj gëzuar Vitin e Ri”.
27/12/2011