Kryeministri Berisha: Obelisk për ata mijëra qytetarë shqiptarë që u martirizuan për liritë që gëzojmë sot
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin që i propozon parlamentit ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist.
Kryeministri Berisha udhëzoi Ministrin e Kulturës të hapë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur europianë e botërorë për ngritjen e obeliskut, që, theksoi Kryeministri, do të vendoset para piramidës së ish diktatorit.
“Ministria e Kulturës do të hapë një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, të rinj, të moshuar, të cilët u martirizuan për këto liri që ne kemi e gëzojmë sot. Ata nuk qenë qytetarët që u konformuan, por që qëndruan dhe në mënyrën e tyre dëshmuan rezistencën ndaj regjimit. Ndaj një obelisk madhështor do të ngrihet për t’i nderuar ata dhe duhet të jetë vepër e arkitektëve më të njohur të Europës e botës.”
07/01/2009