Kryeministri Berisha: Qeveria do të investojë masterplanin për zhvillimin e gjithanshëm të Bajzës
Kryeministri Berisha, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, u ndal sot në një takim me banorë të Malësisë së Madhe në Bajzë. Në këtë tur, Kryeministri shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe të Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Pas inaugurimit të rikonstruksionit të plotë të shkollës së mesme të Bajzës, Kryeministri Berisha, duke u drejtuar banorëve, u shpreh:
“Kam ardhur sot tek ju me kënaqësi, për të inauguruar rikonstruksionin e kësaj shkolle, e cila me financimin e bërë, shndërrohet në një shkollë moderne, në një shkollë të pajisur me të gjitha mjetet, ashtu siç e meritojnë fëmijët tuaj. Bajza e meriton këtë shkollë dhe shumë më tepër se kaq, sepse është qendër e fuqishme zhvillimi e Malësisë së Madhe dhe qendër e hershme tregtare.
Ju garantoj se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt që kryetari juaj dhe këshilli i komunës do të hartojnë, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj.
Në gjysmën e dytë të nëntorit të këtij viti hapet tenderi për rrugën që lidh Bajzën, Koplikun, Shkodrën, me Hanin e Hotit. Gjithashtu, përfundon së shpejti projekti për rrugën që lidh Vermoshin me boshtin e rrugëve kombëtare. Ne do të bëjmë çdo gjë që rrugën për në Vermosh ta përfundojmë, në mënyrë që, jo vetëm ju që e njihni atë, por edhe shqiptarët dhe gjithë bota. të njihen me bukuritë mahnitëse të Vermoshit dhe të të gjithë zonës së Malësisë së Madhe.
I kam kërkuar kryetarit të komunës suaj të përgatisë masterplanin e Bajzës, të shndërrimit të saj në një qytezë të bukur, në të cilën qytetarët e saj të kenë të gjitha shërbimet, infrastrukturën, si një lagje e vërtetë qyteti. E tillë ka qenë Bajza në të gjitha kohërat. Ndaj, mirëpres sa më shpejt përfundimin e masterplanit dhe ju garantoj se do të investojmë në çdo projekt, në rrugë e rrugica, lulishte, ujësjellësa, kanalizime, qendra shëndetësore, spitale dhe në çdo gjë që ka nevojë kjo komunë.
Gjithashtu, ne jemi të vendosur të mbështesim fermerët e kësaj zone. Qeveria ka një fond me të cilin nxit vreshtarinë dhe ky fond vjen gjithnjë duke u rritur. Qeveria ime ka pasur një përqendrim të madh te mbështetja për fermerët e Bajzës dhe në të gjithë zonën rurale të Shqipërisë.
Në tre vjet ne kemi investuar në rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore në fshatrat e vendit 1.2 miliardë dollarë. Rrugët rurale të Shqipërisë janë me mijëra kilometra, por në tre vjet, ne kemi asfaltuar 1600 kilometra dhe unë ju garantoj se kjo qeveri do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën, në Bajzë, Vermosh e kudo, derisa ajo të jetë e përshtatshme, njësoj si për qytetarët e tjerë.
Ne nuk mund të bëjmë dot punën që bëjnë fermerët, por ne synojmë t’u japim atyre mundësinë që fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla të njëjta me qytetin, që rrugët e tyre të jenë të asfaltuara njësoj si lagjet e qytetit, që ata të furnizohen me ujë njësoj si lagjet e qytetit, që pensionet e tyre të barazohen me ato të qytetit. Këto janë angazhimet dhe premtimet tona për Bajzën dhe gjithë Shqipërinë rurale. Deputeti juaj është një avokat i vendosur i halleve derteve dhe problemeve tuaja. Unë ju siguroj se bashkë me qeveritarët vendorë, deputetët, ministrat, Bajza dhe Malësia e Madhe në tërësi, do të ketë përparësi të mëdha në rindërtimin e një infrastrukture moderne.
Edhe njëherë, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj gëzuar shkollën e rindërtuar”.
19/10/2008