E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Sesionin Vjetor të 53-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

 
I nderuar zoti President,
 
I nderuar  zoti Sekretar i Përgjithshëm,
 
Të nderuar deputetë,
 
 
Është një kënaqësi e veçantë të ndodhem sot këtu para jush, dhe gjej rastin t'ju falënderoj përzemërsisht  zoti President dhe ju të nderuar deputetë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për mundësinë që më dhatë, për t’ju njohur me përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë, reformat e saj të gjithanshme, që kanë si qëllimin më madhor, integrimin e vendit tim në NATO dhe BE. Një falënderim të veçantë dua t’i bëj, Kryeministrit, Geir H. Haarde, Qeverisë dhe Parlamentit të Islandës për organizimin e shkëlqyer të këtij takimi.
 
Integrimi euroatlantik dhe evropian përbëjnë projektet më madhore të kombit tim për këtë shekull, me të cilat ai kërkon të rikthehet në gjirin e familjes së popujve, ku ai përket. Shqiptaret ndajnë me kombet tuaja, si besimin në vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ashtu dhe trashëgiminë kulturore shekullore dhe lidhjet e shkëmbimet e tjera të gjithanshme të qytetërimit tonë të përbashkët perëndimor.
 
Për këtë arsye anëtarësimi në NATO gëzon në Shqiperi mbështetjen e plotë të të gjitha forcave politike dhe të mbi 94% te qytetareve shqiptarë, të cilët shohin në këtë anëtarësim, të ardhmen e tyre më të sigurtë.
 
Të nderuar deputetë,
 
Rezoluta e e Parisit 2006 e Asamblesë Parlamenare të Atlantikut të Veriut dhe Deklarata e Rigës, e Samitit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s bënë të qartë se Shqipëria, si vlerësim për reformat e suksesshme që ka realizuar, është ndër vendet që mund të marrë ftesën në samitin e ardhshëm të zgjerimit të Aleancës. Por, në këtë deklaratë shprehet qartë se, ftesa për anëtarësim do të varet nga performanca dhe rezultatet konkrete e solide që vendet tona do të dëshmojnë, në kuadrin e MAP dhe reformave të tjera, përpara samitit të ardhshëm të zgjerimit.
 
Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj jush, qeverive të vendeve tuaja dhe NATO-s, unë dua t’ju siguroj se, ne shqiptarët, i morëm këto mesazhe me seriozitetin më të madh.
 
Më lejoni shkurtimisht t’ju prezantoj këtu reformat e thella, zbatimin dhe vazhdimin e tyre në Shqipëri.
 
Gjate këtyre 15 viteve të fundit, Shqipëria nga vendi i totalitarizmit Orëellian, i izolimit më të thellë, i ateizmit të imponuar, hiperkolektivizmit të plotë u shndërrua në vendin e pluralizmit politik të konsoliduar, lirive dhe të drejtave të individit dhe minoriteteve, mediave të lira, lirisë së besimeve fetare, tolerancës së shkëlqyer fetare, etnike, në vendin e inisiativës së lirë, në të cilin mbi 90% e prodhimit të brendshëm vjen nga sektori privat dhe ku të ardhurat për frymë janë sot 20 herë më të larta se në vitin ’92.
 
Zonja dhe zotërinj, 
 
 
Gjatë këtyre 2 viteve të fundit Shqipëria kaloi me sukses të plotë tri prova politike shumë të rëndësishme, duke dëshmuar qartësisht se demokracia jonë është vërtet e re, por ajo është funksionuese, me institucione të konsoliduara dhe me një ndarje e balancë të qartë pushtetesh.
 
Kështu, në 3 korrik 2005, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare prodhuan rotacionin paqësor të pushtetit.
 
Më 18 shkurt 2007, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet vendore. Pavarësisht nga disa vonesa, për shkak të mosmarrëveshjeve për çështje teknike dhe të infrastrukturës, rezultatet e zgjedhjeve u pranuan nga te gjitha forcat politike dhe u vlerësuan të lira dhe të ndershme nga udhëheqës të opozitës. Në asnjë rast nuk u vërejt apo raportua përpjekje e qeverisë për të ndikuar mbi rezultatin e tyre.
 
Më 20 korrik 2007, Kuvendi i Shqipërisë, ia doli që nëpërmjet bashkëpunimit të koalicionit në pushtet me opozitën, të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, me konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe nëpërmjet një procedure krejtësisht kushtetuese, që u mirëprit dhe u përshëndet nga partnerët, aleatët e miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të gjitha forcat politike të vendit.
 
Konsolidimi i një sistemi gjyqësor të pavarur e të paanshshëm janë kushte themelore për funksionimin e shtetit ligjor. Gjatë këtyre dy vjetëve, u realizua me sukses një ndryshim rrënjësor pozitiv në zbatimin e vendimeve të gjykatave duke arritur në këtë aspekt standardet e vendeve të NATO-s.
 
Në mesin e shtatorit 2007, udhëheqësit e të gjitha partive politike në parlamentin shqiptar u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët, me nismën e Presidentit të Republikës, dhe vendosën të krijojnë një komision të veçantë parlamentar, i cili, mbështetur nga një grup ekspertësh nga institucionet kushtetuese, të ekzekutivit dhe gjyqësorit, do të përgatisë dhe do t’i paraqesë parlamentit të gjitha instrumentet e duhura ligjore, që nevojiten për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor. Komisioni i Venecias dhe institucione të tjera ndërkombëtare, do japin ndihmesën e tyre të çmuar në realizimin e saj.
 
Për të garantuar zgjedhje, të cilat të përmbushin të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Parlamenti ka ngritur një Komision bipartizan, i cili punon për reformën e Kodit Zgjedhor. Përpjekjet e qeverisë tani janë përqendruar në projektin e regjistrit civil elektronik, të hartuar me ekspertizën e OSBE-së, zbatimi i të cilit fillon javën e parë të nëntorit. Së shpejti do të hapet dhe tenderi ndërkombëtar, për prodhimin e kartave të identitetit dhe të pasaportave dixhitale, nga më të sigurtat në Europë.
 
Për të koordinuar dhe promovuar sa më mirë reformat legjislative dhe dialogun e frytshëm politik, të domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në NATO, Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka një rol qendror në reformat e vendit, krijoi në maj të vitit 2007 një komitet bipartizan, ad-hoc, i cili bashkëkryesohet nga një deputet i mazhorances dhe nga përfaqësues të opozitës. Kurse pranë Këshillit të Ministrave filloi të funksionojë zyra e Koordinatorit Kombëtar për NATO-n, me qëllim një bashkërendim edhe më të mirë të veprimeve të të gjithë institucioneve të përfshira në këtë proces.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Në të kaluarën e afërt, krimi i organizuar shqiptar ishte ndër më të fuqishmit dhe më të dëmshmit për qytetarët shqiptarë dhe imazhin e vendit tim. Qeveria që unë kryesoj, shpalli dy vjet më parë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.
 
Unë kam kënaqësinë t’ju informoj ju se, në dy vjet, policia dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, kanë çmontuar rreth 202 grupe dhe organizata të fuqishme të krimit të organizuar të vendit dhe kanë vendosur para ligjit mbi 850 anëtarë dhe drejtues të tyre, kanë ekstraduar apo janë në proces ekstradimi, nga vendet e rajonit, të Europës dhe SHBA 191 anëtarë dhe drejtues të këtyre grupeve. Shqipëria nuk është më vend burimi ose transiti për trafikun e qenieve njerëzore. Ajo nuk është më as rruga e parapëlqyer e trafikut të heroinës ose kokainës, sic e dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të vendeve fqinjë.
 
Për një luftë më efektive kundër trafiqeve kriminale, ne miratuam në parlament, ligjin e moratoriumit 3-vjeçar të skafeve në ujërat tona territoriale, që në tërësi përdoreshin për trafiqe. Përveç kësaj, Kuvendi miratoi një ligj që ngarkon me përgjegjësi penale zyrtarët e qeverisjes vendore në rast të gjetjes në territorin e komunave të tyre plantacione apo bimë narkotike.
 
U miratua ligji i ri për Policinë e Shtetit, i përgatitur me ndihmën e PAMECA-s dhe ICITAP-it. Shqipëria vazhdon bashkëpunimin e saj, të ngushtë dhe frytdhënës, me fqinjët, BE-në, SHBA-në, dhe me agjencitë e tyre informative dhe autoritetet e ruajtjes së rendit.
 
Në bashkëpunim të ngushtë me FBI-në dhe Komisionin Evropian, ne krijuam një task forcë të përbashkët, për hetimin e krimit ekonomik dhe atij financiar. Puna e sektorëve të rinj ka dhënë rezultate të prekshme.
 
 Të nderuar deputetë, 
 
Një nga objektivat më madhore të qeverisë sime, ka qenë dhe mbetet lufta pa asnjë lloj dallimi partiak kundër korrupsionit, këtij fenomeni, që mund të konsiderohet si një kancer social tejet agresiv. Në një luftë me zero tolerancë ndaj tij, ne vendosëm standarte të reja në zyrat tona, të cilat nuk lejojnë që paratë e publikut të përdoren për qëllime private dhe personale. Kjo bëri të mundur shkurtimin e shpenzimeve operative të administratës qendrore me 40% dhe asaj lokale me 25%. Ne amenduam ligjin e konfliktit të interesit dhe nxorrëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Parlamenti miratoi ligjin që mbron denoncuesit e korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblen me 6% të vlerës së përfituar, hapëm linjat falas të denoncimit të korrupsionit, vendosëm , me ndihmën e projekteve të Llogarisë së Pragut të Mijëvjeçarit regjistrin elektronik të biznesit, prokurimin elektronik, taksën dhe doganat elektronike. Po në këtë kuadër, Parlamenti krijoi Ombudsmenin për Prokurimin Publik.
 Ndërkohë, organet e drejtësisë kanë penalizuar me dhjetra e dhjetra zyrtarë të të gjitha niveleve për akte korrupsionit dhe kjo, pa asnjë lloj dallimi partiak. Në javët e ardhshme, do të shqyrtohet në parlament ligji i ri për kufizimin e imunitetit për deputetet, për rastet ku ka të dhëna për korrupsion.
 
Rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë të prekshme dhe inkurajuese: janë ulur me 40% shpenzimet operative për administratën qendrore dhe 25% për atë lokale, është ulur me 23% kostoja e përgjithshme e prokurimeve të vendit, ndonëse ulja e taksave ka qenë drastike, të ardhurat në buxhet janë rritur nga 22% në 27% të GDP, dhe dy vite me rradhë ne kemi dërguar në mesin e vitit një buxhet të dytë në parlament.
 
Të nderuar deputetë,
 
Shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës të investimeve dhe rritjes së shpejtë, është qëllim madh i reformave tona ekonomike. Kështu krahas:
 
Liberalizimit të mëtejshëm të ekonomisë, privatizimit, zgjerimit të partneritetit publik privat, iniciativës “Shqipëria një Euro”, ne kemi ndërmarrë masa shumë të rëndësishme në lehtësimin e barrës burokratike të biznesit me regjistrimin elektronik, kemi shkurtuar kohën e regjistrimit të biznesit nga 42 ditë, në “One stop shop” -1 një ditë, dhe së shpëjti nisim procesin për One stop Shop për licencat dhe lejet. Qeveria ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal, duke vendosur pas uljes me 150% të tatim fitimit dhe me 130% taksës së të ardhurave personale, taksën e sheshtë me 10%. Ne kemi ulur me 30% kontributet me sigurimet shoqërore, 50% taksën e biznesit të vogël dhe 33% çmimin e energjisë për biznesin. Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë.
 
Lufta kundër informalitetit, ekstralegalitetit dhe reforma e pronësisë, kanë qenë dhe janë drejtime bazë të reformave tona.
 
Si rezultat i këtyre reformave, Shqipëria është tani nga vendet e rajonit me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik, me një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm dhe me një shpërthim të interesit të investitorëve vendas e të huaj për investim në fushat e energjisë, minierave, bankave, turizmit, infrastrukturave të rëndësishme, etj. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet me rreth 6 për qind çdo vit, inflacioni është i qëndrueshëm, rreth 2-4 % në vit, dhe deficiti i brendshëm buxhetor është rreth 2.6 për qind. Eksportet shqiptare u rritën me rreth 28% gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë. Investimet e huaja, vitin e kaluar, ishin tri herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditë bankare për ekonominë janë rritur dhe rreth 3 herë në dy vjet, kreditimi për biznesin është dyfishuar ndërsa turizmi që nga viti 2005 është rritur me 70 %.
 
 
Si vlerësim për progresin e bërë, BE nënshkroi  më 12 qershor 2006 Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë . Kjo ngjarje u pasua nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, në Bruksel, dy javë më parë. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, zbatimi i Marrëveshjes së Ndërmjetme te MSA, në rastin e Shqipërisë, ka qenë i suksesshëm.
Dëshiroj t`ju siguroj se qeveria që unë drejtoj është e gatshme të firmosë çdo marrëveshje dypalëshe me vendet tuaja, për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. 
 
Të nderuar parlamentarë,
 
Në bashkëpunim me NATO-n dhe ushtrinë e vendeve të tjera, Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella dhe të suksesshme në fushën e mbrojtjes. Ne kemi vendosur të krijojmë një ushtri të vogël profesioniste, të mirëstërvitur, të mirëpajisur dhe të  denjë të shpaloset përkrah ushtrive tuaja kudo në botë në misionet e NATO-s në ruajtje të paqes. Ne rritëm buxhetin e mbrojtjes në 1.84% në 2007 dhe kemi planifikuar një buxhet në nivelin 2% të PBB-së, në vitin 2008, ose dy vjet më herët nga sa ishte planifikuar dhe kemi avancuar nga 2013 në 2010, kalimin në një ushtri tërësisht profesionaiste.
 
Deri tani, Shqipëria ka hequr nga përdorimi të gjitha teknologjitë ushtarake të vjetra, ka eliminuar me sukses të gjithë agjentët kimikë dhe armët që ndodheshin në vend. Unë shfrytëzoj këtë rast të falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Zvicrën për ndihmën shumë bujare për realizimin e këtij projekti.   
Shqipëria ka marrë pjesë në operacione dhe iniciativa të aleancës në rajon e më gjerë si Bosnje, Afganistan. Vetëm tre muaj më parë, ne nisëm përveç njësive që kemi në Kabul, edhe një kompani në Herat.
 
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive Kartën e Adriatikut dhe ka arritur suksese të mëdha në bashkëpunimin me dy vendet e tjera të A-3-it. Ne vazhdojmë të mbështesim nismën e SEDM, SEEBRIG, RACVIAC, ADRION dhe South-eastern Europe Clearinghouse. Gjithashtu ne jemi anëtarë të koalicionit kundër terrorizimit në Irak dhe lufta kundër terrorizmit ka një rëndësi thelbësore.
 
 Bashkëpunimi ynë i ngushtë me NATO-n do të arrijë maja më të larta gjatë ciklit të nëntë dhe do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të falënderuar NATO-n, vendet anëtare, përfaqësuesit e tyre dhe, në veçanti, taksapaguesit e vendeve tuaja, për mbështetjen, që i keni ofruar Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Republika e Shqipërisë dënon të gjitha aktet terroriste dhe do të vazhdojë të mbështesë operacionet ndërkombëtare kundër këtij rreziku.
Bota pa Sadam Huseinin, Mullah Omarin dhe Sllobodan Millosheviçin është më e lirë dhe e sigurtë.  
 
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë anëtarët e rinj të Partneritetit për Paqe,  Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, në përpjekjet e tyre për t’u integruar.
 
Shqipëria ka kontributin e saj në paqen dhe stabilitetin rajonal, bashkëpunimin miqësor dhe të gjitanshëm, jo vetëm në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3, por me të gjitha vendet e Rajonit. Shqipëria ka mbështetur projektin e Presidentit Ahtisari, si dhe përpjekjet e Trojkës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve dhe minoriteteve të tjera në këtë vend, si dhe të vullnetit të shumicës për Pavarësinë e Kosovës. Zgjidhja e statusit final të Kosovës ka rëndësi përcaktuese për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë por dhe vendet e tjera përrreth. Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të çlirojë Beogradin nga hijet e Serbisë së madhe dhe do t'a nxjerrë atë jashtë pasojave të konfliktit që krijoi regjimi i Miloshevicit me genocidin dhe barbaritë e tij në Kosovë. Zgjidhja e statusit final te Kosovës hap për kombin serb perspektivën euroatlantike dhe europiane, bën të mundur një marrëdhënie të re ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në ballkan, të frymëzuar nga trashëgimia më pozitive e europës së pas Luftës së Dytë Botërore.
 
Zonja dhe Zotërinj,
 
Me 25 shtator 2007, ne i paraqitëm të gjitha këto arritje në takimin e zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel për prezantimin e dokumentit të ciklit të 9-të të MAP-it. Në këtë roadmap, ne kemi listuar një numër objektivash dhe angazhimesh të reja, të qarta, realiste dhe jashtëzakonisht të dobishme për proçesin e reformës, për periudhën deri në prill 2008.
 
Dy ditë më pare, ju të nderuar deputetë miratuat një rezolute të re, në të cilën ju i bëni thirrje qeverive të vendeve tuaja t`i ofrojnë Shqipërisë ftesën në Samitin e Bukureshtit për anëtarësimin e saj në NATO, mbi bazën e performancës dhe rezultatit të reformave të ciklit të 9-të MAP. Unë shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur ju mirënjohjen më të thellë dhe falenderimet më të përzemërta për besimin dhe vlerësimin që treguat ndaj kombit dhe vendit tim. Shqiptarët moralisht ndjehen anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
 
Fill pas rënies së perdes së hekurt, Shqipëria vendosi një bashkëpunim te ngushtë, të shkëlqyer e luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo është ndër vendet më të para ish-komuniste, që firmosi Partneritetin për Paqe. Në kohëra konfliktesh ne rajon, ajo shmangu çdo lloj nxitjeje të destabilitetit dhe me politikën e saj, u rreshtua në anën e atyre që sollën paqe, e stabilitet duke u kthyer ne një prodhues të sigurisë në rajon. Portet dhe aeroportet shqiptare, territori i saj u vendosen në disponim të plotë të aleancës për të gjitha misionet e saj në shërbim të paqes në rajon. Në spastrimet dhe deportimet masive të shqiptarëve të Kosovës nga falangat serbe të Miloshevicit, qytetarët e Shqipërisë hapën dyert dhe zemrat e tyre për mbi 800 mijë refugjatë kosovare dhe ndihmuan në dështimin e projektit të Miloshevicit për të transferuar krizën jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë.
 
Duke mbështetur ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ju mbështesni një vend mik, i cili pavarësisht nga vështirësitë që ka kaluar në udhëtimin e tij, ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër duke ndërtuar lirinë dhe vlerat e saj. Sot Shqipëria është një demokraci e re, por funksionale që garanton liritë dhe të drejtat e individit dhe standartet e konventave ndërkombëtare për minoritetet. Ajo është vendi ku konsolidohet gjithnjë e më shumë shteti ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, vendi me një ekonomi të lirë tregu, që ofron për investorët e vendeve tuaja klime ndër më miqësoret dhe shanse të sigurta për fitim. Shqipëria bashkëpunon ngushtë me vendet tuaja dhe kontribuon per paqen stabilitetin, luftën kundër terrorizmit nderkombëtar ne rajon dhe me gjerë. Une jam i sigurt se integrimi i Shqiperise, Kroacise dhe Maqedonise ben krahun juglindor të NATO-s më stabël dhe më të sigurt.
 
Deshiroj te mbyll këtë fjalë me zotimin përpara jush se Shqiperia dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë te vendosur te marrin cdo mase, te miratojne cdo ligj, dhe te paguajne cdo cmim qe nevojitet per suksesin e reformave te domosdoshme per anetaresimin e saj ne Aleancen e Atlantikut te Veriut.
 
Ju faleminderit për vëmendjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›