Fjala e ministrit ne takimin me drejtoret e shendetit publik dhe te spitaleve rajonale

08/10/2007
Zonja e zotërinj administratorë,
Takimi i sotëm ka në fokus një analizë të rezultateve të arritura, të gjendjes aktuale dhe të sfidave të mëtejshme në fushën e shëndetësisë. Ky është edhe një rast i mirë për të shprehur vizionin tonë për sistemin shëndetësor të së ardhshmes, vizion që synon të sigurojë një shërbim shëndetësor shumë më cilësor, më të shpejtë dhe më rezultativ për qytetarët në nevojë.
Parë me këtë rëndësi, dëshiroj të deklaroj këtu se gjashtë muajt e përvojës time në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më kanë dhënë shumë raste të kuptoj rëndësinë e madhe, madje jetike, të reformave të thella, efektive dhe afatgjatë në shëndetësi. Kudo flitet për reformë zgjedhore, për drejtësinë, për kulturën, për emigracionin, etj, por bindja ime është e mbetet se reforma shëndetësore mbetet më e nevojshme dhe më e rëndësishmja. Fusha e jonë e punës ka të bëjë në mënyrë të përditshme me jetët e mijëra qytetarëve. Ne nuk na lejohet të vonojmë dhe as të gabojmë. Ne duhet të vizitojmë pacientin dhe menjëherë të marrim vendimin për trajtimin e tij të mëtejshëm. Në dyert e spitaleve tona troket cdo qyetar i republikës, që nga Presidentët e deri tek fëmija që sapo vjen në jetë. Duke qenë të tillë, pra në sytë e përditshëm të miliona njerëzve, të medias dhe të pacientëve që përjetojnë dhembje, ne kemi më pak se kushdo tjetër imunitet publik. Kushdo mund të na gjykojë, të na paragjykojë, të na akuzojë, të na këshillojë. Detyra e jonë është që pavarësisht presionit të kohës dhe publikut, të jemi në shërbim të vazhdueshëm profesional për të përballuar me sa më shumë aftësi këto situata.
Kërkesa për reforma në shëndetësi është mëse e nevojshme dhe buron prej shumë arsyesh. Pikëpamja e ime është se sistemi shëndetësor shqiptar vuan ende nga trashëgimia negative e të kaluarës, e mbështetur tek centralizimi shtetëror dhe mentaliteti i shërbimeve të papaguara. Ky model është jashtë kohe, i kushtueshëm dhe joefektiv.
Duke e ditur këtë gjendje prej kohësh kemi avancuar në përpjekjet tona për ndryshimin e situatës dhe hedhjen e hapave konkretë për treguesit e reformës. Sot ne kemi një dokument bazë, të gjithëpranuar dhe të miratuar, Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë për pesë vitet e ardhshme. Dokumenti është publik, është zyrtar dhe jep detajet për të gjithë hapat konkretë që duhet të ndërmerren nga të gjitha institucionet shëndetësore dhe afatet kohore përkatëse.
Në funksion të kësaj reforme Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt do të paraqesë ligjin e ri bazë për sistemin shëndetësor në Shqipëri, i pari ligj i plotë për këtë ceshtje prej mëse katër dekadash. Në plan konkret, Ministria vendosi të ndryshojë modelin tradicional dhe vetëm shqiptar, të drejtimit të institucioneve shëndetësore nga individë mjekë. Sot, shumica e institucioneve mjeksore administrohen dhe drejtohen nga menazherë ekonomistë e juristë, njerëz të paërshirë në konflikte interesi dhe që me punën e tyre kanë provuar se ndajnë një vizion bashkëkohor të menazhimit të këtij sektori kaq delikat.
Padyshim që në të gjithë paketën e reformave vendin më të rëndësishëm e zë reforma në sistemin e sigurimit shëndetësor. Prej kohësh dhe me sukses po aplikohet financimi i shërbimit parësor nga ISKSH-ja, por synimi ynë është që ky model të bëhet më i plotë dhe të jetë efektiv. Në vizionin tonë për reformat, ISKSH-ja ka rolin kryesor dhe të pazëvendësueshëm në financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë duhet ti largohet rolit tradicional të shpërndarjes së shërbimeve dhe të fokusohet në politikbërjen, administrimin sektorial dhe në forcimin e aftësisë të saj rregullatore e mbikqyrëse. Decentralizimi i shpërndarjes së shërbimeve përbën thelbin e Strategjisë Kombëtare dhe ofron të gjitha garancitë e suksesit të reformave në shëndetësi.
Masë tjetër me efekte pozitive ishte përpjekja për decentralizimin e kompetencave dhe të shërbimeve. Ministria vazhdon të propozojë në qeveri projekt ligje dhe të nxjerrë urdhëra që synojnë të ndajnë përgjegjësitë e shërbimeve shëndetësore me partnerë të tjera, sic janë ISKSH, bashkitë, komunat, qarqet dhe institucione të tjera. Ne duam që të zgjedhurit vendorë të kenë një rol më të madh në përkujdesjen shëndetësore, sepse ata janë votuar për të qeverisur nga qytetarët që ne u shërbejmë, pra dy palët kemi përgjegjësi ndaj tyre.
Aspekt tjetër i rëndësishëm është zgjerimi i shërbimeve alternative dhe profesionale. Ministria është në përfundim të projektit të saj për krijimin e një Spitali të ri alternativ për Tiranën. Ai do të bëjë të mundur rritjen e hapësirës, mundësive dhe shumëllojshmërisë së shërbimeve ndaj qytetarëve të Tiranës dhe banorëve rreth saj, duke zgjidhur një problem të madh të krijuar prej vitesh në kryeqytet. E njëjta politike po ndiqet edhe në qytetet e tjera të mëdha, duke ecur me parimin se ruajtjes së balancace midis rritjes së popullësisë dhe nevojës për rritjen e institucioneve shëndetësore të shërbimit.
Gjatë kësaj kohe ka patur rezultate pozitive edhe në thithjen e projekteve të rëndësishme private e shtetërore të vendeve të tjera, duke shënuar dyfishimin e investimeve të huaja në shëndetësi. Kompani të njohura mjeksore nga Italia, Greqia, Turqia dhe deri nga Japonia e Koreja e Jugut kanë shfaqur interesin e tyre dhe ne jemi të gatshëm të marrim të gjitha masat për lehtësimin e hyrjes së tyre në Shqipëri, për ta bërë ofertën shëndetësore shumë më të plotë, më konkuruese dhe më profesionale.
Pjesë e cilësisë së shërbimeve është edhe projekti tashmë në realizim e sipër, për privatizimin e shërbimeve bazë ndaj pacientëve, një praktikë e njohur kjo e vendeve perëndimore. Nga masa të tilla qytetarët nuk duhet të keqkuptohen; ato bëhen për të mirën e tyre, për rritjen e cilësisë së shërbimit brenda të njëjtave kuota pagesë që kryhen edhe sot. Strategjia e jonë synon që reforma të tilla të shtrihen edhe në aspekte të tjera të punës së spitaleve dhe institucioneve të shëndetësisë, sidomos aty ku kritikat dhe kërkesat e pacientëve janë edhe më të mëdha.
Për të patur një sistem shëndetësor modern ne kemi nevojë për një sistem modern informatizimi për të dhënat mjeksore të cdo qytetari. Pikërisht për këtë, qeveria është në fazën e procedurave teknike për realizimin e Kartës së Shëndetit, një dokument me rëndësi, i cili i shoqëruar me një sistem informatizimi të brendshëm, do ti japë fund praktikave të deritanishme të vjetra të kartelave fiktive dhe mungesës së kujtesës mjeksore për qytetarët.
ashtu ne kemi arritur të bëjmë funksional konceptin e kontrollit të cilësisë, standartizimit dhe akreditimit të sistemit spitalor. Shumë shpejt do të kemi rezultatet e para të vlerësimit për dy institucione në Tiranë për ta shtrirë më pas punën në të gjithë vendin. Kjo do të bëjë të mundur që shumë shpejt, të gjitha spitalet dhe brenda tyre edhe personeli mjeksor, të klasifikohen dhe certifikohen jo për nga numri i kateve dhe bukuria e fasadave, por për nga aftësia profesionale dhe cilësia e shërbimeve mjeksore që ofron. Pjesë e reformave për rritjen e cilësisë është edhe nisma e ndërmarrë tashmë nga ministra, pas tre viteve ndërprerje, për rikthimin e kurseve të specializimit për mjekët, një masë që do të ndihmojë në plotësimin e nevojave për mjekë të kualifikuar në disa zona të vendit, sidomos në qytetet e periferisë.
Reformat kërkojnë edhe mbështetje të fortë financiare. Krahasuar me qeveritë e mëparshme, qeveria aktuale ka rritur ne një masë të madhe financimin në shëndetësi, por krahasuar me nevojat dhe me përqindjen që buxheti shëndetësor zë në buxhetin e shtetit mund të themi se Shqipëria ka koeficientin më të ulët të financimit se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe ato rajonale. Pacientët kërkojnë shërbime sa më cilësore, teknologji moderne, ndaj edhe kërkesa e jonë për shtesa buxheti në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të sistemit, mbetet edhe më tej konstante.
aq e rëndësishme sa vetë thelbi i reformave të premtuara, vlerësoj se është reagimi ynë profesional, qytetar dhe ligjor kundër atyre akteve të abuzimit, korrupsionit apo konfliktit të interesave në shëndetësi. Personalisht jam invendosur të vazhdoj rrugën e nisur kundër monopoleve politike në shëndetësi, dhe për të larguar nga sistemi cdo individ, kushdo qoftë ai, që abuzon me profesionin, ligjin dhe jetën e qytetarëve. Ju e dini se gjatë këtyre muajve kam penalizuar me largim dhe masa të tjera një numër të madh mjekësh, drejtuesish të shëndetësisë, infermierë, etj. Kjo nuk është fushatë, ky do të jetë qëndrim konstant dhe i vazhdueshëm. Sic e thashë edhe në fillim të fjalës time, ne nuk na lejohet të anashkalojmë asnjë sekondë detyrimin tonë për shërbim ndaj të sëmurëve. Natyrisht unë nuk dua tu jap ushqim mediatik atyre grupeve që gjithnjë të keqen e korrupsionit dhe gjendjes së vendit e shohin tek shëndetësia; sepse nuk mund të jetë kështu, shumica e mjekësve janë njerëz të ndershëm e profesionistë, që sakrifikojnë energjitë, kohën, familjet e tyre për tu qëndruar pranë qytetarëve në nevojë, por gjithësesi dua të paralajmëroj këdo që abuzon me profesionin human të mjekut: rrugët tona janë të ndara dhe për njerëz të tillë nuk ka nevojë shëndetësia shqiptare.
Ju faleminderit!
, me 08 Tetor 2007