E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Islandës, zotin Geir H.Haarde

- Shqipëria dhe Islanda kanë potenciale të mëdha për bashkëpunim të frytshëm

Kryeministri Berisha pati sot, në Reikiavik të Islandës, një mëngjes pune me Kryeministrin e Islandës, z.Geir H.Haarde.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin e Islandës për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri islandez e pranoi me kënaqësi.

Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin islandez për mikpritjen, si dhe vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimi mes Islandës dhe Shqipërisë në këto 15 vite, në projekte të ndryshme ndërkombëtare.  Të dy kryeministrat ndanë vullnetin për forcimin më tej të këtyre marrëdhënieve në nivele më të larta.

Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fusha si turizmi, agrobiznesi, shfrytëzimi i pasurive minerale të vendit, energjitika, etj.

Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella për  krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin e huaj dhe kjo është shoqëruar me reforma te thella në ekoniminë e vendit. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi nismën “One stop shop”, taksën e sheshtë, prokurimet elektronike, tatimet elektronike, etj.

Kryeministri gjithashtu siguroi vullnetin e plotë të qeverisë në vazhdimin me zero  tolerancë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri islandez ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe Islanda kanë risorse të mëdha dhe potanciale që duhet të shfrytëzohen.

Kryeministri islandez u shpreh mjaft i kënaqur me ecurinë e reformave të gjithanshme në Shqipëri. Ai tha se ka shumë fusha ku Islanda mund të bashkëpunojë në mënyrë të frytshme me Shqipërinë dhe ku mund të investohet. Në këtë drejtim, Kryeministri islandez tha se afrimi i disa kompanive të mëdha të Islandës për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë është një shenjë optimiste. Të dy vendet tona, tha ai, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje që të mbrojë investimet dypalëshe dhe të lehtësojë ecurinë e këtyre investimeve.

Në mënyrë të veçantë, Kryeministri i Islandës, zoti Geir H.Haarde, vuri theksin mbi potencialet e mëdha hidrike që ka Shqipëria dhe për mundësinë e investimeve të rëndësishme të kompanive të fuqishme islandeze në fushën e prodhimit hidroenergjitik, hidrotermik, duke ndihmuar kështu në balancimin e prodhimit të energjisë në vend.

Të dy Kryeministrat u ndalën edhe në çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria e sheh Planin e Presidentit Ahtisari si të vetmen mundësi që respekton vullnetin e popullit kosovar për pavarësi, si dhe garanton të drejta të plota për pakicat serbe në Kosovë. Edhe Kryeministri islandez tha se stabiliteti i Kosovës është stabiliteti i rajonit dhe se Islanda përkrah projektin Ahtisari për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në ecurinë e proceseve të integrimit euroatlantik të vendit tonë, ku Kryeministri Berisha nënvizoi se dy prioritetet kryesore për Shqipërinë janë integrimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Zoti Berisha siguroi se qeveria po ndërrmerr çdo reformë dhe çdo hap për të merituar ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Në kuadër të reformave në këtë fushë, Kryeministri Berisha  tha se po bëhet kalimi gradual në një ushtri të vogël dhe të pajisur me një teknologji bashkëkohore, ndërkohë që buxheti për ushtrinë do të ketë 2 për qind të GDP-së në vitin 2008. Shqipëria gjithashtu është pjesë e misioneve ndërkombëtare në shumë vende, si Afganistan, Irak, Bosnje.

Duke u ndalur në rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit  me Bashkimin Europian në 12 qershor 2006, Kryeministri Berisha bëri të ditur se deri tani MSA është ratifikuar nga 10 vende të BE-së, ndërkohë që pritet të ratifikohet edhe nga disa të tjera shumë shpejt.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›