E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Po bëjmë çdo përpjekje që celebritetet shqiptare të kthehen përkohësisht ose përfundimisht në Shqipëri

-       Qeveria do të krijojë një fond të ri për mbështetjen e studentëve që arrijnë të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në 10 universitetet më të vlerësuara.

Kryeministri Berisha takoi sot një grup të shkolluarish shqiptarë në disa nga universitetet më të njohura ndërkombëtare, pjesëmarrës në Konferencën e Bankës Botërore për tregun e punës, të cilët i shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për interesin që ata mbajnë gjallë për Shqipërinë, theksoi se qeveria po bën çdo përpjekje që celebritetet shqiptare të mund të kthehen përkohësisht ose përfundimisht dhe të mbajnë lidhje me vendin, në fushat në të cilat ata punojnë. “Sidomos tani, në “on-line time”, mundësia e bashkëpunimit është e madhe, pavarësisht nga distanca e largët,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha i njohu me disa nga projektet e qeverisë për thithjen e trurit dhe promovimin e më të mirëve, duke përmendur projektin e “Brain Gain”, të fondit të ekselencës dhe krijimin e një fondi të ri për mbështetjen e studentëve që fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në 10 universitetet më të vlerësuara ndërkombëtare.   

“Ne kemi një projekt për thithjen e trurit (“Brain Gain”) në funksion të këtij procesi. Po ashtu kemi vendosur fondin e ekselencës, me të cilin ne mbështesim të gjithë studiuesit e rinj që aplikojnë e fitojnë të drejtën në studimet pasuniversitare, për të mbrojtur masterin ose doktoraturën në universitetet perëndimore. Tani, ne do të krijojmë një fond të tretë, me të cilin do të mbështesim të gjithë ata që arrijnë të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në 10 universitetet më të vlerësuara, kundrejt një kontrate. Ne po përqendrohemi në materien e përhimë,” u shpreh Kryeministri.

Të diplomuarit jashtë vendit u shprehën se ishin të interesuar e të gatshëm të përfshihen e të kontribuojnë me njohuritë e tyre, në fusha të ndryshme të zhvillimit të jetës ekonomike dhe sociale të vendit. Duke përshëndetur vendimin e qeverisë për hapjen e 400 vendeve të reja të punës në universitetet e vendit, ku, në mënyrë të veçantë, janë të mirëpritur të diplomuarit shqiptarë në universitetet jashtë vendit, ata u shprehën  të gatshëm të jenë pjesë e kësaj nisme.

Kryeministri Berisha theksoi se me reformën në arsimin e lartë, universitetet shqiptare do të dalin nga një stad konservatorizmi të pajustifikueshëm dhe do të bëhen më të hapur. “Shqipëria, - tha Kryeministri, ka gjithashtu një seri universitetesh private, që, gradualisht, do të shkojnë në një garë shumë të fuqishme me ato publike dhe unë i mbështes. Ne i dhamë universiteteve 400 vende shtesë, në mënyrë që ato të mund të rekrutojnë më të mirët.”  

Duke  u bërë të njohur se qeveria ka përcaktuar stimuj për të gjithë të diplomuarit që kthehen të punojnë si në universitete, ashtu edhe në administratën publike, Kryeministri i konsideroi këto si hapa fillestar, që do të vazhdojnë. “E rëndësishme është që të dyja palët të persistojnë,” u shpreh Kryeministri, duke i përgëzuar që me punën e tyre ata kanë arritur të mirë vendosen në vendet ku ata punojnë dhe shprehu besimin se ata do të japin gjithashtu ndihmesën e tyre edhe në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›