E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku industrial i Durrësit do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit

 - Pavarësisht nga përmasat e saj modeste gjeografike, Shqipëria është e vendosur në zonën e një tregu të madh dinamik dhe paraqet interes të madh investimi.

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë Konferencës për prezantimin e projektit për parkun industrial të Durrësit, se ky park do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit.  

“Ky park, së bashku me Porto Romanon që është pak kilometra më në veri, do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit,” tha Kryeministri.

Duke përshëndetur Konferencën ndërkombëtare për zhvillimin e zonave industriale dhe promovimin e projektit për parkun industrial të Durrësit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 70 bizneseve, të huaj e vendas, Kryeministri Berisha tha se qeveria është e angazhuar për krijimin e një seri parqesh industriale, që do të shërbejnë si baza të fuqishme të zhvillimit rajonal e kombëtar të vendit.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në parkun industrial në Spitallë të Durrësit, Kryeministri vuri theksin në kushtet e favorshme që ky park ofron për  biznesin, që e bëjnë atë një nga vendet më të përshtatshme për investime në rajon. 

“Cilido që vështron vendndodhjen e parkut industrial të Durrësit gjen një nga sitet më të përshtatshme për investime në mbarë rajonin tonë. Ai rrethohet me infrastrukturë moderne, në një anë me portin më të madh të vendit, në anën tjetër me aeroportin, ngjitur me të ndodhet nëncentrali elektrik, ndërkohë vetëm pak minuta distancë hekurudha do të shkojë deri në zonë, korridori Durrës-Prishtinë e më tutje, krahu i punës më i leverdishmi në Europë. Pra, ka një kompleks rrethanash që e bën këtë vend vërtet jashtëzakonisht të favorshëm për park industrial. Ndërkohë parku është i mbështetur nga një zonë e madhe industriale që shtrihet nga Tirana në Durrës. Në qoftë se vendndodhja do të vlerësohej me pikë më lejoni të shpreh bindjen time se ky park nuk mund të vlerësohej me më pak se 100 pikë.”

Krahas vendndodhjes së zonës industriale, Kryeministri vlerësoi si faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe të investimeve ekzistencën e një kuadri të favorshëm fiskal dhe kushteve të përshtatshme që ofron Shqipëria.

“Dy vjet më parë, - u shpreh Kryeministri - ne përcaktuam objektivin madhor, Shqipëri vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe këtë e realizuam. Vetëm 6 muaj më parë, teksa inauguronim së bashku me presidentin e Cottonela-s, fabrikën e tij të madhe në Shkodër, ai do ta konsideronte këtë një lloj parajsë fiskale. Unë e di që nuk është parajsë, por një klimë shumë e favorshme. Shqipëria po punon për të reduktuar në maksimum barrën burokratike ndaj jush dhe natyrisht brenda zonës industriale ajo do të jetë inekzistente. Në tërësi, ne po ecim drejt procedurave elektronike, më të shpjeta dhe më të mira. Kjo është realizuar për regjistrimin e bizneseve dhe së shpejti do të realizohet për licencat dhe lejet, ato që mbeten do të grupohen në One Stop Shop.”

“Shqipëria, - theksoi më tej Kryeministri - ka stabilitet makroekonomik të admirueshëm, rritje ekonomike mbi 6 për qind, inflacion plotësisht nën kontroll, muajin e kaluar ishte 4.2 për qind, me tendencë rënie, në një kohë kur era është inflacioniste, po ashtu me një monedhë që është ndër më të qëndrueshmet në rajon, me një kurs këmbimi më të favorshmin që ka pasur ndonjëherë në dy dekadat e fundit, me një sistem bankar qartësisht të zhvilluar, që po rrit me shpejtësi ritmin e kreditimit të ekonomisë.”

Kryeministri Berisha theksoi se interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë është rritur, edhe për shkak se ajo ndodhet në zonën e një tregu të madh e dinamik, si dhe të potencialeve të mëdha e pasurive natyrore të saj. 

“Shqipëria ka nënshkruar një seri marrëveshjesh të tregtisë së lirë në kuadrin e  CEFTA-s nga Kroacia në Moldovë, ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë. Pavarësisht nga përmasat e saj modeste gjeografike, Shqipëria është e vendosur në zonën e një tregu të madh dinamik dhe paraqet interes të madh investimi. Ajo ofron potenciale shumë të mëdha. Në Shqipëri mund të gjejnë veten kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të turizmit dhe ato energjetike. Në një studim të Komisionit Europian, Shqipëria citohet si një nga vendet më të rëndësishme për investime në hidroenergji. Shqipëria është e hapur për të gjitha format e tjera të energjisë. Ajo është shumë e pasur në minerale, me rezerva në krom, bakër, nikel, ferrokrom, baokside, ku me tre mineralet e parat, vendi renditet ndër vendet e rëndësishme në kontinent.”  

Kryeministri shprehu bindjen se të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një histori të vërtetë suksesi për çdo investitor.

Parku industrial në Spitallë të Durrësi do të ketë një sipërfaqe 850 hektarë dhe infrastrukturë moderne e lehtësuese për bizneset. Një numër kompanish të mëdha kanë shprehur interes për ngritjen e këtij parku. Në Konferencën e zhvilluar sot, ku u promovua projekti për parkun industrial, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të 20 kompanive të huaja që vinin për herë të parë në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›