E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, e angazhuar për krijimin e një tregu pune të aftë e dinamik

Kryeministri Berisha, i pranishëm në Konferencën vjetore për “Krijimin e një tregu pune konkurrues në Shqipëri”, e organizuar sot nga Banka Botërore, tha  qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për krijimin e një tregu pune dinamik dhe të aftë për t’iu përgjigjur dinamizmit të admirueshëm të ekonomisë. 

“Tregu i punës është pa mëdyshje aspekti më themelor që ka të bëjë me punësimin, aftësimin e trajnimin, pra, me një kompleks të gjerë procesesh dhe problemesh, zgjidhja drejtë e të cilave është përcaktuese për akselerimin e procesit të zhvillimit,” u shpreh Kryeministri.

Shqipëria dhe rajoni, - shtoi Kryeministri - në tërësi dalin nga një periudhë 15-vjeçare hijesh e konfliktesh, që kanë qenë një faktor real shkurajues dhe i pafavorshëm për vlerësimin (rating-un) e tyre, për aq sa ka vlerë dhe peshë stabiliteti në procesin e vlerësimit dhe të investimeve. Në këtë kontekst, unë shoh një perspektivë të madhe të vendit dhe rajonit në rrugën e zhvillimit të shpejtë.

Kryeministri theksoi se ekonomia shqiptare, që po bëhet çdo ditë e më shumë tërheqëse për investimet e huaja, me stabilitet makroekonomik të qëndrueshëm dhe me ritme në rritje të rritjes ekonomike, kërkon zhvillimin edhe të tregut të punës.

“Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - po bëhet çdo ditë e më shumë më tërheqës për investitorët e huaj. Stabiliteti makroekonomik është i qëndrueshëm, ritmet e rritjes ekonomike janë në rritje, eksportet po rriten me shpejtësi, vitin e kaluar eksportet kanë qenë 28 për qind më shumë se në vitin 2006, këtë vit eksportet “made in Albania” janë 32 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Duke theksuar se në 2-3 vitet e fundit, qeveria ka bërë përpjekje serioze të mëdha për zhvillimin e këtij tregu, Kryeministri konsideroi të rëndësishëm në këtë drejtim përshtatjen e sistemit arsimor dhe orientimin e krahut të punës me kërkesat e tregut.

“Qeveria ka mbajtur në paketën fiskale një qëndrim shumë agresiv në lehtësimin e biznesit, duke e bërë Shqipërinë, vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, ka mbajtur një qëndrim agresiv në reduktimin e burokracisë mbi biznesin, duke vendosur One Stop Shop për regjistrimin e tij dhe po shkojmë drejt One Stop Shop për licencat dhe lejet, pasi gjatë këtij muaji ne do të heqim nga lista mbi 50 për qind të tyre, sërish nevojitet një përqendrim shumë më i madh në drejtim të përshtatjes së tërë sistemit arsimor drejt tregut, i cili në disa sektorë ka uri të madhe. Qeveria që unë drejtoj ka katërfishuar penetrimin e Teknologjisë së Informacionit në shoqëri, por nuk mund të them se është katërfishuar shkalla e përgatitjes së operatorëve dhe punonjësve të fushës. Kjo ndodh edhe me sektorë të tjerë. Ndaj detyre kryesore është përqendrimi, orientimi me shpejtësi i resurseve drejt përshtatjes së krahut të punës, aftësimit të tij me kërkesat e kushtet e tregut, vendosjes së standardeve më liberale të mundshme.”

Duke theksuar se disa vende të Azisë janë konkurruese në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se Shqipëria gëzon avantazhin e prodhimeve evropiane, të cilin duhet ta shfrytëzojë. ““Made in Europe” është “Made in Europe”, ndaj ne duhet të shfrytëzojmë këto avantazhe që ofron prodhimi në kontinent.”

Kryeministri shprehu optimizmin se Shqipëria dhe rajoni së shpejti do të jenë vend dhe rajon i rritjes së shpejti ekonomike, me resurse të jashtëzakonshme e potenciale të mëdha të pashfrytëzuara.
“Tani, rajoni ka gjetur paqen e stabilitetin e domosdoshëm, ka të gjitha marrëveshjet për një hapësirë tregu të lirë. Ndaj unë e shoh me optimizëm si stabilitetin, rritjen e shpejtë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të rajonit.”

Konferenca ka për qëllim të analizojë çështje të tregut të punës në Shqipëri, ofertës, aftësive, rritjes urbane, migrimit, politikave sociale dhe punësimit. Në këtë Konferencë dy ditore marrin pjesë Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta Kosta Barka, ekspertë të Bankës Botërore, studiues shqiptarë të këtyre fushave, përfaqësues të rretheve shkencore, qeverisë, shoqërisë civile, medias, etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›