Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Alabdulkarim
Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Alabdulkarim.
Kryeministri Berisha i uroi ambasadorit mirëseardhjen dhe suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke shprehur besimin se gjatë mandatit të tij ai do të japë një kontribut të ri në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite.
Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, Alabdulkarim, i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vullnetin e vendit të tij për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin se investitorët e Arabisë Saudite janë të mirëpritur në Shqipëri, duke theksuar se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për krijimin e një klime sa më miqësore dhe mbështetëse për investimet në vend.
Të dy personalitetet diskutuan në takim edhe për Kosovën dhe zhvillimet e tjera në rajon. Kryeministri Berisha i kërkoi ambasadorit mbështetjen e qeverisë së vendit të tij për njohjen e shtetit të ri të Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.