Kryeministri Berisha u takua me përfaqësues të kompanisë së njohur holandeze “DAMEN”
Kryeministri Berisha priti sot në zyrën e tij ambasadorin e Holandës në Tiranë, Sweder Van Voorst Tot Voorst dhe një delegacion të Kompanisë navale “DAMEN”, kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Rene H. Berkvens.
“DAMEN” u përzgjodh si Kompania më e mirë navale për realizimin e projektit për patrullim-shpëtimin në bregdetin shqiptar. Projekti është një bashkëfinancim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë së Holandës.
Kryeministri Berisha pasi prezantoi klimën tërheqëse të biznesit, e krijuar nga reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, u tha përfaqësuesve të Kompanisë “DAMEN” se më këtë projekt kaq interesant, ata do të bëhen lajmëtarë të fuqishëm për investime të tjera holandeze në Shqipëri. Zoti Berisha theksoi se ky bashkëpunim i frytshëm mes dy vendeve për ndërtimin e anijeve në Pash Aliman do të shërbejë si një platformë për zgjerimin e projekteve në aspektin tregtar dhe turistik.
Përfaqësuesit e Kompanisë navale “DAMEN” njoftuan se anija e parë do të fillojë mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e bregdetit shqiptar në gusht të vitit 2008. Kompania “DAMEN” do të ndërtojë në Pash Aliman tre anije patrullim-shpëtimi dhe mbrojtje ambientale.