Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së
“Sot është ndërmarrë hapi i dytë jashtëzakonisht i rëndësishëm në reformën e gjendjes civile dhe identitetit të qytetarëve shqiptarë. Në gazetën ekonomike “Financial Times” dhe në media të tjera ndërkombëtare dhe të vendit është publikuar dosja e plotë e çeljes së tenderit për kartat e identitetit. Në datën 5 nëntor filloi procesi i regjistrit elektronik, sipas një projekti të hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të OSBE-së.
Përgatitja e dokumentacionit për tenderin e kartave të identitetit nuk ka qenë një proces i thjeshtë, por ky proces i ka kërkuar qeverisë sonë të angazhojë një konsulencë të gjerë ndërkombëtare. Një ndihmë shumë të veçantë dha në këtë proces ish Sekretari për Çështjet e Sigurisë dhe Këshilltari i qeverisë shqiptare për këto aspekte, zoti Tom Ridge, me grupin e tij të punës. Krahas kësaj, janë konsultuar në mënyrë të përsëritur ekspertë dhe agjenci të tjera. Në të gjitha vlerësimet, tenderi ndërkombëtar i shpallur sot bën të mundur që Shqipëria të ketë kartat më moderne të identitetit.
Dua gjithashtu t’ju bëj me dije se këto ditë, pranë grupit të punës që drejtohet nga Zëvendëskryeministri, fillon punën një nga ekspertët më të shkëlqyer në Evropë, që ka asistuar mbi 20 qeveri në dokumente të kësaj natyre. Kjo përbën një garanci për suksesin e këtij procesi të shumëpritur prej 8 vitesh nga shqiptarët. Është shumë normale ta kërkosh nga qeveria në dy vitet e para të qeverisjes së saj, por është shumë e ndershme të shtrosh pyetjen përse 8 vite qeverisje nuk u bë as veprimi më i vogël.
Ky është një proces i hapur dhe në çipin e kartës së identitetit do të sintetizohen një numër i madh të dhënash për qytetarët. Në këtë çështje ka një mbarësi të madhe, sepse fillimi i punës për regjistrin elektronik, në datën 5 nëntor, bën të mundur që brenda muajit shkurt, në Tiranë dhe në rrethinat e saj, në këtë regjistër të jenë të vendosur 700 mijë qytetarë, çka i jep mundësi të plotë kompanisë fituese që të gjithë punën ta bazojë në regjistrin elektronik të gjendjes civile, si një nga kushtet më të rëndësishme për suksesin dhe saktësinë e këtij procesi. Regjistri elektronik mbyllet nga muaji korrik. Prodhimi dhe pajisja me karta do të vazhdojë edhe më tutje, por ai do të vazhdojë tashmë mbi bazën e regjistrit elektronik të gjendjes civile, e cila është dhe forma më e sigurt dhe më e mirë e procedimit.
Ka zhvllime shumë të rëndësishme në fushën e investimeve. Janë gati për t’u miratuar në qeveri projekte të tjera të mëdha në hidrocentrale. Ka përfunduar tërësisht studimi i projekteve të disa hidrocentraleve të mesme dhe të mëdha.
Po ashtu, janë një seri projektesh për fabrika çimentoje, të cilat miratohen gjatë javës që vjen por edhe në muajt në vijim.
Janë projekte të shumta në fushën e turizmit. Tani publikohet edhe masterplani i bregut Jon dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ky plan u përsërit, sepse ai ishte keqpërdorur aty ku donin ata që e kishin në dorë. Ndërkohë, tani ky masterplan ripërcakton zonat ku ndërtohet dhe ku nuk mund të ndërtohet, madje edhe ato që mbrohen. Ky është një koncept krejt i ri që ka sjellë ky masterplan.
Po zhvillohet një debat normal dhe i shëndetshëm për energjinë bërthamore. Kjo qeveri nuk mund të marrë kurrë përsipër përgjegjësinë për të privuar Shqipërinë nga burimi më kryesor energjetik, ashtu siç është për Francën dhe për shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Është e vërtetë që janë disa vende të Bashkimin Europian që nuk ndërtojnë dhe për këtë kanë vendosur me referendum. Por, t’i kundërvësh Çermobilin Westinghouse është njësoj si të të ketë mbetur ora, ose vazhdon të funksionosh me orën sovjetike. Westinghouse është teknologjia më e shkëlqyer centrale bërthamore në botë. Të kundërshtosh apriori këtë mënyrë tregon se, në variantin më të pafajshëm, je një antiglobalist. Është për të ardhur keq që opozita shqiptare t’i lejojë vetes të identifikohet me variantin e sotëm të marksizëm – lenilizmit që është absolutisht antiglobalizmi. Antiglobalët ngrihen kundër çdo lloji vepre madhore dhe nuk dihet nëse e bëjnë këtë sepse kanë armiqësi ndaj kompanive të mëdha botërore, multinacionale, apo e bëjnë këtë sepse nuk kanë ku të kapen me rendin demokratik. Antiglobalizmi është sinonim i anti alternativave.
Prandaj, nuk është synimi ynë që ne të operojmë me buxhetin publik, pasi dihet nga të gjithë që këto janë investime që kërkojnë 3-4 miliardë dollarë dhe buxheti ynë, edhe për shumë vjet nuk do të jetë në gjendje të përqendrojë në një projekt të vetëm kaq shumë para. Por ne do të krijojmë të gjithë kuadrin ligjor, me ndihmën e ekspertëve më të mirë të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore në Vjenë, që është njësi e OKB-së, do të hartojmë ligjin nuklear, do të ratifikojmë të gjitha protokollet për garancitë për transportin dhe për të gjitha proceset që duhen. Në rast se Westinghouse gjen interes tregtar për të prodhuar në Shqipëri energji, me këtë teknologji, ajo është shumë e mirëpritur. Antiglobalët mund të mbledhin firmat dhe të shkojnë në referendum për këtë çështje, nëse dëshirojnë. Ne jemi promotorë të zhvillimit. Por Shqipëria është një vend demokratik, një vend i lirë. Ne nuk mund të imponohemi. Opozita mund të na tregojë nëse ka ndonjë burim tjetër konstant dhe më të pastër se ky burim për prodhimin e energjisë. Por të marrësh kohën sovjetike si dëshmi për t’ju kundërvënë kësaj çështjeje, të marrësh për bazë faktin se disa vende nuk e kanë, ndërkohë që 2/3 e vendeve të Evropës e kanë, kjo nuk qëndron. Projekte të tilla ka në Ballkan, si në Slloveni, Kroaci, Rumani, Bullgari. Kjo e fundit madje po ndërton një impiant shumë të madh, pasi mbylli një të tillë me teknologji sovjetike dhe po ndërton një tjetër me teknologji moderne.
Gjithsesi, ne jemi një vend i lirë dhe nëse dëshirojnë, përfaqësuesit e opozitës mund të mbledhin firmat, mund të dalin me referendum dhe le të pyesin popullin. Ne vazhdojmë ndërkohë miratojmë ligje dhe shtrojmë të gjithë bazën ligjore, për të proceduar mbi bazën e interesit të tregut privat”.