E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Procesi i decentralizimit fiskal, rrit kapacitetin investues të njësive të qeverisjes vendore

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se procesi i transferimit të pronave po ecën me shpejtësi në kuadrin e decentralizimit dhe do të kompletohet së shpejti në mënyrë përfundimtare, brenda një kohe të shkurtër.

Duke përgëzuar Ministrinë përkatëse, për punën e bërë, kryeministri theksoi se sipërfaqet e kthyera tek bashkitë dhe komunat e vendit, përbëjnë një potencial të lartë për zhvillim. “Në tërësi po përmbushni detyrën që morët dhe me këtë proces kthehen tek komunat dhe bashkitë e vendit mbi 600 mijë ha pyje dhe kullota të cilat përbëjnë një pasuri të madhe për njësitë e qeverisjes vendore dhe përbëjnë një potencial të madh zhvillimor. Mendoj se është bërë  një punë me të vërtetë këmbëngulëse, voluminoze, por që ka qenë e domosdoshme.”

Kryeministri theksoi se në sajë të  një pune të përbashkët të Bashkive dhe qeverisë, lidhur me taksat, do të thellohet edhe më tej, procesi i decentralizmit fiskal. “ Si rezultat i këtij procesi ne iu kalojmë taksa qeverive vendore, të paktën 12 miliard lekë të tjera dhe gjykoj se edhe ky është një zhvillim shumë pozitiv, që rrit kapacitetin investues të njësive të qeverisjes vendore.”

Kryeministri siguroi se procesi i decentralizimit fiskal sjell mundësi për një bashkërendim më të mirë të të gjitha përpjekjeve të qeverisë qendrore dhe asaj vendore për një infrastrukturë moderne evropiane, për qytetet dhe fshatrat e vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›