Kryeministri Berisha pret Ipeshkvin Josef Homeyer, ish President i Komisionit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore në vendet e BE-së
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ipeshkvin Josef Homeyer, ish President i Komisionit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore në vendet e Bashkimit Europian (COMECE).
Ipeshkvi Josef Homeyer e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, si dhe shprehu konsideratat e larta për arritjet e qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve. Qeveria, u shpreh ai, po hedh hapa shumë të mirë e të sigurt në rrugën e reformave.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, duke e falënderuar Ipeshkvin Josef Homeyer për vizitën në Shqipëri, e njohu atë me ecurinë e reformave në vend, veçanërisht me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë së vendit, krijimin e një klime mbështetëse për biznesin, etj.
Në Shqipëri, u shpreh Kryeministri Berisha, ekziston një tolerancë e shkëlqyer ndërfetare. Ai theksoi se në kuadër të procesit të nisur në vend për kthimin dhe kompensimin e pronave, qeveria shqiptare e ka përparësi të saj kthimin dhe kompensimin e pronave të komuniteteve fetare. Gjithashtu, qeveria po mbështet financiarisht restaurimin e monumenteve të kultit, me vlera të mëdha kulturore dhe historike në trashëgiminë e kombit.
Ipeshkvi Josef Homeyer i beri të ditur Kryeministrit se vizita e tij në Shqipëri ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes Konferencës Katolike Ipeshkvnore dhe qeverive të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, si dhe inkurajimin e dialogut ndërfetar në këto vende. Në këtë kuadër, Ipeshkvi Josef Homeyer, vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfetare në Shqipëri dhe vlerat e tolerancës fetare të popullit shqiptar. Gjithashtu, Ipeshkvi Josef Homeyer shprehu konsideratat edhe për qëndrimin e qeverisë shqiptare, si dhe për angazhimin personal dhe mbështetjen që Kryeministri Berisha u ka dhënë komuniteteve fetare në Shqipëri.