Kryeministri Berisha: Procesi i dekoncentrimit, delegon kompetencat nga ministritë tek prefekturat dhe i fuqizon realisht ato
Kryeministri Berisha vuri theksin në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, në ecurinë procesit të dekoncentrimit, për të cilin kryeministri u shpreh se do të njohë zhvillime të shpejta. Kryeministri sqaroi se ky proces ka të bëjë me zgjerimin e kompetencave nga ana e prefekturave, nëpërmjet delegimit të kompetencave nga ministritë tek prefekturat. “Në qoftë se qeveria ka instaluar prefektura dhe ata janë të njohura me kushtetutë dhe me ligjet e vendit, nuk ka diskutim që kompetencat e tyre do të zgjerohen dhe do tu mirren ministrive. Ky quhet dekoncentrim.”
Kryeministri u shpreh se prefekturat duhet të njohin një fuqizim real, i cili arrihet nëpërmjet marrjes së kompetencave, pushtetit qendror. “Pushteti ekzekutiv ka përfaqësuesit e vet dhe këta janë prefektët, të cilët janë detyruar të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe të udhëzimit të qeverisë, por prefekturat duhet të njohin një fuqizim real dhe ky fuqizim vjen në radhë të parë, duke marrë kompetencat e pushtetit qendror. Unë e kuptoj se ligji i prefektit është gati, por edhe para ligjit ne mund të përcaktojmë vendimet, sepse ligji ka procedurën e vet. Ne mund të përcaktojmë vendimet në frymën e ligjit dhe vendimet hyjnë në fuqi më shpejt.” tha Kryeministri.