Kryeministri Berisha takon Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Hashim Thaçi

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi, me të cilin zhvilloi më pas një konferencë për shtyp mbi temat e diskutuara mes tyre.
Kryeministri Berisha: Patëm një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe në Shqipëri, diskutuam gjerësisht dhe mbi procesin shumë të rëndësishëm të dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Brukselit, midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, dialog i cili del jashtë suazës së rëndësisë bilaterale, e cila është sigurisht e madhe, por ka dhe një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin.
Unë e informova Kryeministrin Thaçi për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor, të lirë të ndershëm e dinjitoz për shqiptarët, vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka për një proces të civilizuar, të denjë, gjithashtu e njoha me reformat që po ndërmerr qeveria në mënyrë që të përballojë më tej, me sukses krizën dhe të garantojnë rritjen ekonomike dhe të punësimit të qytetarëve.
Kryeministri Thaçi më njohu mua me zhvillimet në Kosovë, përpjekjen e madhe të qeverisë për të bërë Kosovën me një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe më gjerë, por edhe me progresin e pamohueshëm që po arrihet falë një vendosmërie të dyanshme dhe ndërmjetësimit të baroneshës Ashton në Bruksel, progres ky duhet të theksoj, shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin tonë, pasi zgjidhja e një problematike të shumtë, e trashëguar nga një e kaluar shumë e afërt midis republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë, është një arritje e rëndësishme për këto dy vende të pavarura dhe mbarë rajonin.
Është shumë e rëndësishme pozicioni dhe roli i Kosovës në rajon dhe më gjerë, rol i cili po bëhet gjithnjë e më i madh. Njohjet më të fundit kanë hapur, do të thosha kanë zgjeruar rrugën për njohje të tjera dhe Kosova ecën e sigurtë drejt objektivit të saj, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare siç ka ndodhur deri tani. Kosova është anëtare e të gjitha organizatave më të rëndësishme financiare të botës dhe ka garantuar në tërësi njohjen nga bota e lirë, 95% e këtyre shteteve ose më shumë dhe e vërteta është që predispozita është qartësisht pozitive dhe kjo në meritën më të madhe të popullit të Kosovës, qeverisë dhe autoriteteve të Kosovës, të cilat kanë faktuar se pavarësia është interesi më i mirë i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Edhe njëherë duke ju uruar mirëseardhjen shpreh kënaqësinë për këtë vizitë dhe shpreh mbështetjen time të plotë për proceset pozitive që zhvillohen në Bruksel dhe përpjekjet që bëhen për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO, si një proces të bazuar tërësisht në meritën.
Ju faleminderit!
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Thaçi: Ju faleminderit, kryeministër Berisha. Ishte një kënaqësie e veçantë të takohem me kryeministrin Berisha për të diskutuar për zhvillimet e reja në Kosovë, në rajon, për të diskutuar për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit tonë ndërshtetëror, një bashkëpunim ky, i cili ka arritur kulmin dhe natyrisht do të punohet edhe më tej në këtë drejtim në të gjithë sferat institucionale.
Gjatë këtij takimi e informova kryeministrin Berisha për punën e institucioneve të Kosovës, në këtë periudhë të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku edhe sapo kemi përfunduar kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Sot, Kosova si shtet sovran është njohur prej afro 100 shteteve më të fuqishme botërore. Sot, Kosova po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, po integrohet në të gjitha organizmat financiare dhe ndërkombëtare qoftë BB, FMN , si dhe me organizata të tjera rajonale. Kosovë, pavarësia e saj ka dërguar mesazhin më të mirë për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë për të gjithë rajonin.
Unë dua të falënderoj kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij në këtë proces konsolidues dhe forcues për shtetin e Kosovës, për këtë proces integrues të rajonit. Kosova ka një qëllim dhe një vizion, integrimin në NATO, BE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara në të ardhmen e afërt. Ne jemi duke përmbushur detyrimet tona për reformat politike qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë dhe në kuadër të obligimeve tona ndërkombëtare që kemi informova edhe kryeministrin Berisha për procesin e bisedave që po zhvillohen në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të një niveli më të lartë mes këtyre dy vendeve, në një nivel të barabartë, për herë të parë, mes dy kryeministrave. Mund të them se këto takime për normalizimin përfundimtar mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë janë në një frymë konstruktive dhe pozitive. Deri tani, siç e informova kryeministrin Berisha janë zhvilluar 5 takime. Kemi arritur disa pajtueshmëri verbale që presin në të ardhmen të zyrtarizohen. Ajo që është me shumë rëndësi është se Serbia më në fund është pajtuar për shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe këtu përfshihen edhe mekanizmat e ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe në të njëjtën kohë edhe të Inteligjencës serbe BIA dhe të mekanizmave të tjerë që i kanë të instaluar në terren dhe punojnë për destabilitetin e vazhdueshëm të asaj pjese të Kosovës dhe të gjithë Kosovës.
Nga ana tjetër Serbia ka rënë dakord që më në fund, sistemi i drejtësisë brenda pjesës së Kosovës të funksionojë sipas të gjitha ligjeve të republikës së Kosovës, ndërsa duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për vetëqeverisjen lokale, dokumentin bazë mbi të cilin kemi shpallur dhe Kosovën e pavarur dhe sovrane, si dhe dokumentin e presidentit Ahtisari, kemi njësuar dhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që do të jetë një mekanizëm integrues, po kushtetues dhe ligjor, mekanizëm integrues ky për qytetarët serb që jetojnë atje, të Kosovës dhe ne si institucione legjitime kemi obligim të punojmë dhe shërbejmë të gjithëve.
Ky mekanizëm është një mekanizëm fakultativ, në kuptimin e pjesëmarrjes së kryetarëve të komunave me shumicë serbe, por me kushtetutë dhe ligje në Kosovë, çdo komunë ose dy komuna mund të formojnë një mekanizëm të tillë, por gjithmonë duke patur parasysh se tani ka filluar edhe implementimi i plotë, siç e informova edhe kryeministrin Berisha, i 6 pikave doganore mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, pra një menaxhim i integruar i kufirit dhe mendoj se kjo është ajo çka po e konsolidon edhe integritetin territorial të Kosovës.
Ndërsa dua të theksoj se ky dakordim, pret që në takimet e ardhshme në mes shtetit të Kosovës, Serbi të ndodhë marrëveshja e domosdoshme politike për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe se do të jetë në garantim të plotë të BE dhe në mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve, sic konkluduam bashkërisht edhe me kryeministrin Berisha, normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit, në interesin e përshpejtimit të integrimit të vendeve tona në NATO dhe në BE, të atyre që kemi mbetur ende mbrapa në NATO, ndërsa me BE natyrisht duhet të punojmë edhe më tepër që të lëvizim edhe më shpejt.
Natyrisht biseduam edhe për çështje të tjera për sa i përket bashkëpunimit tonë ekonomisë, edukimit, etj.
Pyetje: Cila është pritshmëria e qeverisë shqiptare për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kur Beogradi dihet se shpeshherë u bën bisht marrëveshjeve që arrihen atje?
Kryeministri Berisha: Së pari, personalisht mendoj se paragjykimi nuk shërben. Së dyti këto bisedime dhe marrëveshjet që arrihen mendoj se kanë për ndërmjetës fuqinë politike të BE-së. Ato po ndërmjetësohen nga baroneshë Ashton, e cila është zv/presidente e komisionit dhe si të thash dhe është përfaqësuesja më e lartë në politikën e jashtme të BE. Nuk është ndonjë arsye që të vihet në dyshim vendosmëria e BE për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Natyrisht, nuk mund të injorohet se faktorë të shumtë kanë ndikimin e tyre në zbatim. Por unë jam optimist dhe besoj se ajo që do të arrihet në Bruksel, do të mund të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dy vendeve. Psh, po marrim kontrollin e integruar të kufijve. Është vendosur kalueshmëria në 6 pikat kufitare mes dy vendeve, është vendosur njohja e targave, pra përbën kjo një normalitet të madh në drejtim të lëvizjes. Unë gjykoj se çështjet për të cilat është rënë dakord janë çështje shumë të rëndësishme dhe natyrisht nuk duhet të merrem me përgjigjen që do të japë kryeministri Thaçi, por janë absolutisht interesi më i mirë i funksionimit të shtetit ligjor në Kosovë. Në tërësinë e vet këto masa
Pyetje: Ju gjithmonë pas bisedimeve me homologun tuaj serb keni deklaruar se qëllimi i këtyre bisedime është funksionalizimi i shtetit të Kosovës në të gjithë hapësirën e vet. A mendoni se kjo mund të arrihet, në se Serbia vazhdon dhe nuk ka një presion më të qartë të BE-së, që ajo Kosovën ta trajtojë si pjesë të territorit të vet me dokumentin e saj të MSA-së?
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Thaçi: Aktualisht dialogu është e vetmja alternativë e problemeve ende të hapura që kanë mbetur mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi patur një armiqësi prej një shekulli mes shqiptarëve dhe Serbisë. Ne kemi zhvilluar kryengritje të ndryshme, deri në vitin 1998-99 për tu kurorëzuar me suksesin tonë të plotë, çlirimin e Kosovës, për të kaluar shumë etapa e për të ardhur deri tek dita e madhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Sot, Kosova është në një proces konsolidues dhe forcues, një proces për reformash të thella demokratike dhe zhvillimore. Kosova po ndryshon ashtu si gjithë rajoni dhe Shqipëria. Ne jemi dëshmitarë se në 13 vitet e kaluara , në atë pjesë të republikës së Kosovës nuk ka patur zgjedhje të lira, nuk ka patur lidership legjitim, janë 30 mijë qytetarë dhe ajo pjesë e territorit të Kosovës që kanë qenë të zaptuara prej strukturave ilegale, mund të them edhe kriminale, sot ajo që ka qenë e paimagjinueshme para 2 vitesh po bëhet realitet. E theksoi kryeministri, menaxhimi i integruar i kufirit ka qënë i paimagjinueshëm të realizohet para 2 vitesh, por ndodhi mrekullia më 25 korrik 2011 atë ditë kur policia e Kosovës vuri në kontroll pikat kufitare. Sot në 6 pikat kufitare, Serbi-Kosovë janë policia e Kosovës, doganierët e Kosovës dhe gjithë mekanizmi institucional shtetëror i Kosovës, natyrisht edhe me lehtësimin e EULEX për krijimin e ambienteve te sigurisë nga NATO. Tani ka ndodhur edhe njohja e kartave të identitetit, të diplomave, të targave të makinave, ndërsa jemi në një fazë shumë të rëndësishme për demokratizimin e rajonit dhe të asaj pjese, për rend dhe ligj. Unë kam kërkuar dhe kjo do të institucionalizohet me marrëveshjen përfundimtare që të punohet për krijimin e një ambienti integrues dhe ajo që ka munguar 13 vitet e kaluara tani do të bëhet realitet. Aty në 4 komuna do të realizohen në vjeshtën e këtij viti për herë të parë zgjedhjet e lira. Institucionet e Republikës së Kosovës do të ftojnë OSBE për menaxhimin dhe organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe qytetarët atje për herë të parë, pas 13 vitesh do të zgjedhin lidershipin e tyre legjitim lokal dhe qeveria e republikës së Kosovës do të punojë shumë ngushtë me këtë lidership lokal, në mënyrë që të ketë sa më shumë investime sociale-ekonomike. Ai rajon i destabilizuar politikisht dhe me njerëz të inkriminuar që kanë mbajtur peng dhe kanë frikësuar qytetarët atje, ka mbetur i pazhvilluar ekonomikisht, prandaj qëllimi ynë është që tu shërbejmë atyre qytetarëve përmes mekanizmave legal dhe legjitim dhe të ndryshojmë jetën e tyre për të mirë. Nuk është qëllimi i Prishtinës imponimi atje i lidershipit të Kosovës. Qytetarët atje, pavarësisht nacionalitetit kanë të drejtë si kudo në botën demokratike të zgjedhin liderët e tyre që i duan dhe që ju besojnë, ndërsa ne do ti respektojmë dhe do të bashkëpunojmë shumë ngushtë. Sot duhet të them atë që e përmendi dhe kryeministri Berisha, normalizimi i marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë apo ky proces e ka mbështetjen e plotë të BE-së. Baronesha Ashton është duke udhëhequr në mënyrë brilante marrëveshjen, ndërsa BE është unik në mbështetje të normalizimit të marrëdhënieve, madje edhe 5 vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të përshpejtojë njohjen nga ana e këtyre 5 vendeve. Ky angazhim i yni ka mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe të fuqishme të SHBA-ve, një konfirmim ky që ndodhi edhe ditë më parë në telefonatën që kisha me zv/sekretarin amerikan Burns dhe me mesazhin e dërguar nga Sekretari i ri John Kerry për mbështetjen e plotë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht me fqinjët.
Pyetje: Ka një projekt të kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë, shqiptarëve kudo që ndodhen. A jeni ju dakord me këtë projekt dhe për sa i përket Kosovës a e shikoni të mundur, kryeministri Berisha ka thënë që kjo mund të diskutohet dhe mund të ketë një marrëveshje mes dy qeverive?
Kryeministri Berisha: Lidhur me vizat , dua të bëj një qartësim. Për qytetarët e Kosovës qëndrimi im që në deklaratën e parë ka qenë dhe është, kjo do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Aktualisht konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve dhe nuk mund të mendohet që të bëhet një by-pass që këtej të negociohet me Brukselin për vizat dhe këtej të them –“Hajde se do tua zgjidh unë”. Kjo nuk mund të ndodhë. Ky është një proces, në të cilin qeveria e Kosovës është e angazhuar në mënyrën më serioze, është një proces certifikimi në të cilin paraqitet një listë prej 120 kërkesash dhe duhet të plotësohen. Dëshira ime është dhe duhet tu bëjmë thirrje që tua akordojmë sa më shpejt lëvizjen e lirë, por hapat të cilat ndërhyjnë në një proces, këto nuk mund të ndodhin nga Shqipëria.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Thaçi: Faleminderit shumë i nderuar Kryeministër. Unë sapo jam kthyer nga një vizitë në Bruksel, ku u takova me Presidenti Barroso, me zotin Fyle, e të tjerë personalitete. Kemi diskutuar për hapat konkretë të ardhshëm evropianë për Republikën e Kosovës. Ne jemi në një proces të sigurt të implementimit të shpejtë të të gjitha kritereve për çështjen e liberalizimit të vizave, gjithashtu edhe për procesin e MSA-së. Pra, Kosova është në rrugë të sigurt për të ardhmen evropiane. E ritheksoj dhe e kam deklaruar edhe më herët, qytetarët e Kosovës, qysh para dy vitesh, kanë merituar liberalizimin e vizave. Jam i vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër për reformat demokratike evropiane, sikurse çdo vend i rajonit. Duhet të jemi real në këtë drejtim. Por dua ta them përsëri, siç e kam thënë edhe në Parlamentin e Kosovës, edhe sot nga Tirana, siç e kam thënë edhe në Bruksel, se vonesa për liberalizimin e vizave në raport me qytetarët e Kosovës, po ndodh padrejtësisht në Bruksel nga mos - uniteti politik i vendeve të BE-së, për sa i përket statusit politik dhe jo nga mos implementimi i vlerave në Prishtinë. Qeveria e Kosovës i ka plotësuar ato kritere dhe mirëpret edhe të gjitha kriteret e tjera që vijnë. Pra, Kosova do t’i kryejë në afat rekord të gjitha obligimet që dalin para saj. Në të njëjtë kohë, unë dëshiroj të falënderoj të gjithë spektrin politik kosovar, mbështetës të këtij procesi, në veçanti për reformat elektorale dhe perspektivën evropiane. Në Kosovë ekziston një unitet i plotë qytetar, politik e ndëretnik, për të ardhmen evropiane. Prandaj presim përshpejtimin e vendimit për caktimin e datës për liberalizimin e vizave, nga Brukseli. Ne do t’i plotësojmë obligimet tona.
Kryeministri Berisha: Dua të bëj një shtesë në këtë pyetje. Kosova është vendi me shkallën më të ulët të kriminalitetit që mund të ekzistojë. Ka një nga kriminalitetet më të ulëta në Evropë. Kjo është meritë e autoriteteve të Kosovës, por edhe e autoriteteve ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe në këtë aspekt.
Pyetje: Kundërshtari juaj politik zoti Rama ju ka ftuar në një debat politik. A do të ishit i gatshëm të zhvillonit një të tillë në fushatën elektorale të 23 qershorit?
Kryeministri Berisha: Tani unë nuk e mora vesh më ftoi mua në debat Edi Rama apo ftoi zëdhënësen time Laura Vorpsi ?!Do ta diskutojmë me Laurën.
Pyetje: Zoti kryeministër Berisha, ju thatë se Shqipëria tashmë është në prag të zgjedhjeve elektorale. Çfarë të reja ka programi i PD-së lidhur me integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Kosovën. Psh. lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, ne kemi eksperiencën e bullgarëve, moldavëve e boshnjakëve, të cilët po marrin pasaporta të BE-së duke marrë shtetësi bullgare. Ndërkohë, ne nuk paskemi të drejtë që shtetasit shqiptar të Kosovës t’i pajisim me pasaportë? Pse ky qëndrim i dyfishtë për shqiptarët?
Një pyetje tjetër e kam për z. Thaçi. Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, pa u ndalur në kriteret politike, por thjesht në kriteret teknike, mos ndoshta po e komprometon disi këtë proces skandali i pasaportave në Kosovë?
Kryeministri Berisha: Është ndërkombëtarisht e pranuar dhe e promovuar edhe nga ne që Kosova është një rast “sui generis”. Mbi bazën e këtij gjykimi, ka qenë ky një argument nga më të rëndësishmit që solli mbështetjen masive nga bota e lirë të pavarësimit dhe pavarësisë së Kosovës. Kosova, si shtet i pavarur, në procesin e konsolidimit të rolit të saj dhe të pavarësisë së saj, zhvillon negociata me të gjitha institucionet ndërkombëtare, me të gjitha vendet mike dhe ky proces është në interesin e saj më të mirë.
Unë e kuptoj vështirësinë që ekziston sot për qytetarët e Kosovës dhe absolutisht kam bindjen e thellë se ata e meritojnë lëvizjen e lirë. Imagjinoni ju gra e burra të cilët para 20 viteve kanë lëvizur pa viza në Evropë, tashmë kanë mbetur të vetmit pa viza. Nuk më duket normale dhe e drejtë. Por nga ana tjetër, ky është një proces që kalon në disa faza. Në rastin tonë, ne kishim një udhërrëfyes të bazuar në 120 kërkesa. Ne na u dha kjo e drejtë kur dëshmuam seriozitetin më të madh dhe u faktuam partnerëve tanë, Brukselit, se ne i plotësojmë ato kërkesa. Ky është një proces pan-evropian, në kuptimin e institucioneve. Vendet mike dërguan këtu delegacione për t’i parë gjërat në vend dhe, në fund, konkluduan përfundimisht. Vendimi për heqjen e vizave nga vendet evropiane, bazohet në iluminizmin, është një vendim i shkëlqyer iluminist. Nëse do të bëhej një referendum për t’i hequr apo jo vizat, ju garantoj se nuk do të gjendej një vend në tokë që do ta bënte, pasi ka rrezik që të votohej ndryshe. Por elita politike gjykon se kjo është një e drejtë për të cilën duhet të bëjmë gjithçka.
Lidhur me shqetësimin tuaj, sa shkon kjo ide; nga njëra anë Kosova do t’u faktojë partnerëve, BE-së, përkushtimin dhe gjithë seriozitetin për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga lista që ata kanë paraqitur dhe, nga ana tjetër, me një by –pass, u thotë që këtë çështje e lini se po e zgjidhim me Shqipërinë. Kjo do të ishte e pa pranueshme për ta. Besoj se jemi dakord. Ky do të ishte një veprim shumë jo serioz nga ana e qeverisë shqiptare, por edhe e qeverisë së Kosovës. Kjo, pa një marrëveshje, nuk mund të bëhet. Ndaj nuk besoj se është kjo zgjidhja. Unë e kuptoj padurimin e qytetarëve të Kosovës dhe qëndroj në anën e të drejtës së çdo qytetari, por nga ana tjetër, kujtoj edhe interesin që ky të jetë një proces që Kosova e meriton plotësisht, i udhëhequr nga qeveria e Kosovës dhe i realizuar në marrëveshje me Brukselin. Pasi të arrihet ky proces, pastaj ne negociojmë për problemet të cilat kemi. Unë e kam theksuar dhe e theksoj, ne jemi një komb, dy vende, dy administrata, ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen 1, kudo që janë, do të bëjmë gjithçka që të bashkohemi me Evropën. Ky proces i BE-së i jep një përgjigje të shkëlqyer problematikës, sikundër, ka një hapësirë shumë të madhe për të bërë tërësisht të parëndësishëm kufijtë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Thaçi: Nuk do të shtoja më tepër nga ajo që tha edhe Kryeministri Berisha, por, kudo që ngrihet kjo çështje për diskutim, kudo, qoftë në Tiranë, Bruksel, Prishtinë apo kudo në rajon, dua të them se nga ajo që komunikojnë shqiptarët, kudo që ata jetojnë në rajon, por që edhe gjithë bota e di, është se shqiptarët janë popull evropianizues. Nëse bëhet ndonjë referendum, si në Shqipëri, në Kosovë, e kudo që shqiptarët jetojnë, përqindja më e lartë për perspektivë evropiane bazohet te vullneti i qytetarëve shqiptarë që jetojnë në rajon. Kjo është një garanci e fuqishme për të ardhmen e sigurt të shqiptarëve, por edhe një vlerë e jashtëzakonshme e jona. Për këtë duhet të ndihemi mirë dhe krenar, por në të njëjtën kohë, edhe shumë të përgjegjshëm, ne si lider e mbartës të institucioneve që udhëheqin vendet tona.
Nga ana tjetër, duhet të jemi edhe realistë, janë 100 vite që ndodhin padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. 100 vite na vonuan në përpjekjet tona për liri. Ndodhi mrekullia e lirisë së Kosovës, pastaj anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe tani jemi në rrugë shumë të sigurt. E vetmja alternativë për ne është integrimi evropian e në NATO. E tha edhe Kryeministri Berisha, kudo që ne të jemi, duhet të ndihemi si 1, do të jemi të bashkuar në familjen e madhe evropiane, në një rajon pa kufij. Shqiptarët jetojnë në një hapësirë territoriale të modelit evropian pa kufij, sikurse gjithë popujt e tjerë. Por, në të njëjtën kohë, roli i shqiptarëve në rajon është i jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Marrim shembullin e Maqedonisë, sot shqiptarët e Maqedonisë janë stabilizuesit e ruajtësit e Maqedonisë, jo të dy partitë qoftë në opozitë, qoftë në pushtet. Asnjëra, nuk interesohen për zgjidhjen e emrit dhe perspektivën për t’u integruar në NATO e BE, janë shqiptarët ata që po mbajnë edhe qeverinë në pushtet, edhe institucionet stabël, edhe vizionin e tyre për integrimin në NATO e Bashkimin Evropian. Ky është një konkludim i ndërkombëtareve të cilët diskutojnë me ne.
Edhe më parë se të rrëzohej lapidari me provokimin që ndodhi në Preshevë, edhe Kryeministri Berisha, edhe unë si Kryeministër i Kosovës, kemi ftuar bashkësinë ndërkombëtare në dialogun mes liderëve legjitimë në Preshevë dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Nuk ndodhi ai dialog, por ndodhi incidenti dhe u rrezikua stabiliteti në Kosovë, me provokimin e Beogradit, me kurthin e tyre. Sot, po ndodh ai dialog që kemi kërkuar ne para 1 muajsh. Prandaj mesazhet tona të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit, duhet të respektohen, sepse orientimi ynë është që të kemi një perspektivë të sigurt, të gjithanshme, me të gjithë të tjerët. Por, nëse unë si Kryeministër i Kosovës duhet të ulem me ata që deri dje na kanë vrarë dhe kanë ushtruar genocide në Kosovë, ndaj familjarëve tanë, ndaj qytetarëve tanë, shokëve, miqve, të ulem me Kryeministrin Daçiç, që nuk është një takim i vullnetshëm dhe i lezetshëm, siç mund të mendojë dikush, por është jashtëzakonisht i rëndë për mua personalisht, por edhe për popullin tim, atëherë edhe autoritetet e Beogradit duhet të ulen me përfaqësuesit legjitimë të zgjedhur në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, në mënyrë që të zgjidhen e tejkalohen ato probleme. Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet xhepa -xhepa, por duhet të ofrojmë një zgjidhje pak më të gjerë, në bazë të kritereve e standardeve evropiane.
Lidhur me pyetjen tuaj të drejtpërdrejtë për liberalizimin e vizave, e ritheksoj se vonesa për liberalizimin e vizave për Kosovë, nuk është teknike, është politike, në Bruksel, nga mos-uniteti politik i vendeve të BE-së. Unë i falënderoj për mbështetjen unike të tyre, por natyrisht i ftoj të tejkalohen ato divergjenca. Kosova është e pavarur, është sovrane dhe nuk mund të kthehet pas. Sa më shpejt të njihet Kosova edhe prej këtyre 5 vendeve, aq më mirë është edhe për investimet ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Natyrisht, Kosova është e bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, të rendit e ligjit dhe lufta që bëhet ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësohet nga ndërkombëtarët. Ajo, në asnjë rrethanë, nuk e dëmton perspektivën e Kosovës.
Pyetje: Lidhur me retorikat nacionaliste të shprehura së fundi, si i keni vlerësuar thirrjet e SHBA-ve, duke iu referuar këtu deklarimit të fundit të zotit Reeker dhe a do të ketë një reflektim nga ana juaj?
Kryeministri Berisha: Së pari, interesi kombëtar ka qenë, është dhe do të mbetet interesi suprem i çdo njeriu të qytetëruar. Së dyti, Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë pretendime territorial. Shqipëria ka qenë e angazhuar, në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në ruajtjen, respektimin e kufijve ekzistues në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan në tërësi. Shqipëria, bazuar në të gjithë të drejtën ndërkombëtare, konventat që ajo ka firmosur, si dhe Kushtetutën e vendit, do të qëndrojë e palëkundur në mbrojte të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, aty ku ata ndodhen, të cilat përbëjnë njëkohësisht vlera të sigurta euroatlantike. I tërë qëndrimi i Shqipërisë është ky. Të gjitha përpjekjet për të intimiduar shqiptarët, për të bërë presion mbi ta, për të frikësuar e trembur ata, janë të destinuara të dështojnë. E kam fjalën në vende të tjera. Shqiptarët duhet të jetojnë të lirë dhe të barabartë para ligjit, aty ku ata janë. Në qoftë se ky quhet nacionalizëm, unë mbetem shumë krenar dhe i vendosur në të. Kjo është vendosmëria ime. E kam theksuar dhe e theksoj se nuk ekziston në doktrinat kombëtare të shqiptarëve, të shkruara mbi 120 vjet më parë e në vazhdim, asnjë projekt, asnjë program, asnjë dokument, që të parashikojë eksterminimin, genocidin, shfarosjen e kombeve të tjera. Jo. Kjo nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. E theksoj këtë gjë, sepse ky është një nacionalizëm i bazuar në vlera qytetare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Thaçi: Në fakt, një ditë para se zoti Reeker të vizitonte Shqipërinë, jemi takuar në Bruksel dhe kemi diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe një shqetësim të tillë as e kam dëgjuar dhe as është diskutuar. Por më lejoni të falënderoj edhe njëherë, sot këtu, nga kryeministria në Tiranë, SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që u kanë dhënë shqiptarëve në rajon, për paqen e stabilitetin, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës, që në fillimin e viteve ‘90 nga ish presidenti Bush, i vjetri, i cili foli i pari për “vijat e kuqe” që nuk duhet të ndodhin në Kosovë, që i çoi si mesazh Sllobodan Millosheviçit se nuk do të lejohej të përsëritej Bosnja në Kosovë, për të vazhduar me vendimet historike të Presidentit Klinton për bombardimet ndaj Serbisë, për të ndalur genocidin dhe deportimin e shqiptarëve nga Kosova dhe, për të vazhduar gjithashtu me qëndrimin e qartë dhe shumë të vendosur të Presidentit Bush, të riut, i cili theksoi, po këtu në Tiranë, se Kosova duhet të pavarësohet. Dhe ndodhi mrekullia, Kosova u pavarësua, sot është sovrane, e njohur fuqishëm prej ndërkombëtarëve dhe, për të vazhduar sot me qëndrimet mbështetëse të SHBA-ve për Kosovën nga Presidenti Obama, Zëvendës presidenti Joe Biden, Sekretarja e Shtetit Klinton, të cilën e falënderojmë shumë për mbështetjen dhe për të vazhduar me përkushtimin e Sekretarit të Shtetit John Kerry. Kështu që marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe SHBA-ve janë jashtëzakonisht të mirë, të shkëlqyera, të përjetshme. Këtë respekt historik e shprehu dhe vet zonja Klinton, me fjalimin që mbajti këtu në Parlamentin shqiptar, ku tha; Kemi qenë me ju 100 vite, e do vazhdojmë të jemi edhe 100, edhe 100, dhe 100 vite të tjerë. Kështu që ato do të jenë përjetë raporte tepër të mira, të shkëlqyeshme.
Ndërsa, për sa u përket disa opinioneve që paraqiten aty këtu, nga ndonjë burokrat, kudo që paraqiten, dëshiroj të theksoj se kur Kryeministri Berisha filloi autostradën e Kombit, disa thanë se është nacionalist, kur ne e filluam atë nga Prishtina, thanë është nacionalizëm. Nëse dikush i sheh si nacionalizëm autostradat tona, gabohen. Nëse dikush e sheh si nacionalizëm ndërtimin e hekurudhës që kemi diskutuar, me kufirin e Shqipërisë, është një gabim. Ne duhet ta modernizojmë hapësirën tonë, kudo që jetojmë. Nëse dikush e sheh si nacionalizëm ndërtimin e Magjistralit të Prizrenit, prej 40 km, deri në Tetovë, është gabim, nëse dikush e sheh si nacionalizëm autostradën që lidh Prishtinën dhe Shkupin, është gabim. Ne duhet të investojmë kudo në hapësirat ku jetojmë, për t’i dhënë kuptim hapësirës sonë, jetës sonë të re. E theksoj se e ardhmja jonë evropiane është me autostrada evropiane dhe duhet ta harrojnë ata që mendojnë se aty ku jetojnë shqiptarët duhet të ketë vetëm shtigje, pasi do të ketë vetëm vlera evropiane të një shteti modern.
Pyetje: Në bisedimet tuaja, a pati edhe diskutime mbi zhvillimet ekonomike si pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve?. Ekspertë të ekonomisë kanë hedhur idenë se mund të krijohet një strukturë e përbashkët, sidomos në hartimin e një pakete ligjesh, kryesisht në sistemin fiskal, në ndihmë të zhvillimit të biznesit të të dy vendeve.
Kryeministri Berisha: Faleminderit. Natyrisht, intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik është një nga qëllimet kryesore dhe mendoj se në këtë aspekt, ka një hapësirë të gjerë. Ndonëse shkëmbimet po rriten, potenciali është shumë më i madh. Është një ujdi që të bëjmë gjithçka për njehsimin e normave dhe standardeve, në mënyrë që hapësira ekonomike të funksionojë me gjallërinë më të madhe.
01/03/2013