E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e fazës së parë të kampusit te ri te Universitetit Amerikan te Tiranës, (UAT)

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e fazës së parë të kampusit te ri te Universitetit Amerikan te Tiranës, (UAT) ne Lundër, investim prej rreth 3 milion eurosh. UAT është pjesë e dy rrjeteve universitare: UNIMED  (Rrjeti i Universiteteve të Mesdheut me qendër në Romë)dhe EUROAS ( Rrjeti i Universiteteve Euro-Aziatike me qendër në Stamboll)​.

Ky universitet ofron për 700 studentët e tij, mjedise nga më modernet dhe bashkëkohoret, ku përfshihen auditorët, laboratorët, mjediset sportive, restorantet, hapësirat e gjelbra, si dhe biblioteka e cila zë një hapësire prej 1000 m2. Kjo bibliotekë është më e madhja në Evropën Juglindore me një fond rreth 100 mijë libra me vlerë të përllogaritur mbi 4 Milion USD.  Ajo është mundësuar nëpërmjet një projekti me partner kryesor, donator nga SHBA.

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafai, administratori i përgjithshëm i Universitetit Amerikan te Tiranës, zoti Lulëzim Ndreu, si dhe nga drejtues të pushtetit lokal dhe përfaqësues të stafit akademik, vizitoi mjediset e brendshme ku u takua e bisedoi me studentë  e pedagogë.

Kryeministri përgëzoi zotin Ndreu dhe ekipin, për punën e tyre të palodhur, e cila ka bërë që në një hark kohor të shkurtër, ta rendisë ketë universitet, në programe të caktuara, me dinjitetin më të madh, përkrah universiteteve botërore të një niveli të lartë.

Kryeministri vlerësoi në mënyrë të veçantë bibliotekën, të cilën e cilësoi si Levën e Arkimedit, ku çdo student mund të rrisë në nivele edhe më të larta dijet e tij.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që universiteti ka vendosur me universitet nga më të njohurat në botë si Universiti i Sheffield, në UK Universiteti i Kentucky, në SHBA, Morehead State University, në SHBA, si dhe  Universiteti i Pisa, në Itali. “Ne do të mund të ndërtojmë një sistem universitar dinjitoz, vetëm e vetëm mbi baza ndërkombëtarizmi intensiv. Ora globale të cilën duhet ta ndjekin shqiptarët, fton ata të mendojnë gjithnjë e më shumë, të mendojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar. “  u shpreh kryeministri.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh për të pranishmit:

I nderuar zoti ministër, I nderuar zoti rektor, I nderuar Zoti Ndreu,

Zoti kryetar i komunës së Farkës që inauguron sot këtë korpus që do ta kishin lakmi të gjitha komunat e botës,

Të dashur miq, të ftuar, të dashur studentë dhe studente,

Së pari, dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht, të përgëzoj zotin Ndreu, për këtë iniciativë të shkëlqyer, i cili në një hark kohor të shkurtër, ëndrrën e tij për të drejtuar, për të ngritur një universitet në Shqipëri, e ka bërë realitet. Në një hark kohor të shkurtër, me fillesat e këtij universiteti, së bashku me ekipin që drejtoi ia doli ta rendisë universitetin, në programe të caktuara me dinjitetin më të madh. Sot, po në një kohë rekord 12 mujore drejton një nga korpuset universitare më të bukura që mund të shohësh.

Duke ardhur në këtë sallë u ndalëm në bibliotekën e cila ishte krenaria legjitime e lektorit, e drejtuesit, Ndreu dhe ekipit të tyre, në të vërtetë një bibliotekë e mrekullueshme, më e madhja siç më thanë në rajon. Duke vizituar bibliotekën shprehja e parë që të vinte në mend është  se, të dashur studentë dhe studentë, çdo gjë fillon nga biblioteka dhe ju keni aty një “levë Arkimedi” për të lartësuar dijet tuaja. Krahas kësaj ju keni dhe bibliotekën virtuale dhe keni akses në një sistem të pafund dijesh.

Zoti Ndreu, me të drejtë shpalli parimet mbi të cilat funksionon ky universitet. Konstatova me kënaqësi të madhe se vendos si parim të parë, internacionalizmin e tij. Nuk ka parim më të drejtë, më jetik, më të rëndësishëm se universitet tona. Ne do të mund të ndërtojmë një sistem universitar dinjitoz, vetëm e vetëm mbi baza ndërkombëtarizmi intensiv. Ora globale të cilën duhet ta ndjekin shqiptarët, fton ata të mendojnë gjithnjë e më shumë, të mendojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Sot, komunikimi ka bërë të mundur një partneritet të ngushtë, të frytshëm dhe shumë të rëndësishëm midis universiteteve të ndryshme. Ajo që është më parësore është se drejtuesit e këtyre universiteteve të kenë të qartë, të jenë të bindur në rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ndërkombëtarizimi i universitetit të tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Këto vite kanë qenë vite në të cilat sistemi i edukimit të vendit ka qenë në epiqendër të reformave të mëdha dhe se sistemi i edukimit të vendit do të mbetet për sa kohë do të qeverisë kjo parti, ky koalicion ,ose për sa kohë shqiptarët të na votojnë, do të mbetet në epiqendër.

Zhan Zhak Ruso thotë se nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë asgjë më serioze se sa arsimimi dhe jemi përpjekur këto vite të mbështesim fuqishëm reformat në arsim. Në arsimin parauniversitar, duke vendosur mësuesin në epiqendër, si në asnjë sektor tjetër, kemi rritur rrogat me 120 deri në 150 % sipas kategorive. Kjo ka sjellë një përkushtim të madh të madh të mësuesve ndaj detyrës së tyre dhe misionit të tyre. Ka sjellë një vullnet të tyre për tu trajnuar, për tu kualifikuar, për të përvetësuar metoda të reja të mësimdhënies dhe përkushtuar mësimdhënies. Pak vite më parë, në tërësi logjistika e arsimit, ishte e rrënuar, ndërsa sot janë ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla. Dhe do të ndërtohen dhe rindërtohen që të gjitha. Fëmijët shqiptarë do të ulen në banka dhe shkolla të njëjta me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e zhvilluara. Këtu, në këtë universitet, keni ndër standardet më të mira. Unë u gëzova shumë kur pash se ju keni 1 pedagog për 13 studentë. Jeni më mirë se optimalja e OECD-së, më mirë se norma që ka mesatarja e vendeve të zhvilluara. Ju keni një kompjuter për 6 studentë dhe ky është një standard i shkëlqyer që ju keni vendosur. Pra ju funksiononi mbi bazën e disa parametrave, të cilat duhet t’i lakmojnë universitet dhe shkollat e tjera.

Ndryshimin më të madh në këto vite e ka pësuar arsimi i lartë në Shqipëri. Ne përmbysëm një koncept të trashëguar nga kohërat, koncept i cili la Shqipërinë me numrin më të ulët, më përqindjen më të ulët në Evropë dhe në tërë botën perëndimore të të graduarve në universitete. Në rast se ne kishim gjithsej 3.4 përqind të popullatës me diploma universitare, vendet e tjera këtë përqindje e kishin afërsisht 24 - 25, Shtetet e Bashkuara e kishin 52 përqind. Nuk mund të vazhdohej më ashtu. Shqipëria do zhvillohet vetëm si Shqipëri e dijes. Përveç kësaj, ishte fatale për kombin, i cili ndrydhte dhe rrënonte më shumë se 2/3 e ëndrrave universitare të të rinjve shqiptarë. Ne hapëm dyert e universiteteve. U dhamë mundësi të rinjve të provojnë veten e tyre në kthimin në realitet të ëndrrës universitare. Vetëm në arsimin privat, në vitin 2005 ka pasur 900 studentë, ndërsa sot janë 32 mijë studentë. Sot janë më shumë në sektorin privat seç kishte sektori publik në vitin 2001. Nga 52 mijë studentë që ishin në vitin 2005 në rang vendi, sot kemi 162 mijë. Stafi i pedagogëve, nga 4100 që ishin në vitin 2005, sot kemi mbi 10 mijë. Çdo njeri mund të shtrojë pyetjen – po cilësia? Kjo është pyetja më logjike, më e drejtë. Por ne do të luftojmë më të gjithë forcën tonë që të rrisim cilësinë. Nuk duhet të na pengonte ne një politikë e re universitare për të ecur siç ecëm.

Zoti Nderu njoftoi këtu se në rating, në një program të caktuar, renditeni një nga pozicionet më të lakmueshëm. Dhe kjo është një arritje. Janë zëra, të cilën atakojnë në bllok arsimin privat, universitar apo para-universitar. Absolutisht, janë regresistë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për konsolidim e arsimit publik. Arsimin parauniversitar ta mbajmë falas, por, gjithashtu, jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm, pa asnjë hezitim, arsimin privat.

Jam i bindur se zoti Lulzim i ka blerë jo lirë këto 10 mijë m2 troje të këtij universiteti dhe më tha se ka ndërmend që Kampusi të jetë 40 mijë. Edhe unë dua ta njoftoj se brenda një harku shumë të shkurtër kohor qeveria do të miratojë ligjin “tokë për shkollë”. Ne do t’u japim tokë atyre që duan të ndërtojnë Kampuse dhe atë do t’ua japim me 1 euro ose falas fare. Në qoftë se themi se edukimi duhet të jetë çështja më serioze e kombit, ai mund të jetë i tillë vetëm atëherë kur të ketë, së pari, të gjitha burimet e nevojshme financiare. Dhe në rast se duam të marrim një shembulli, ka një që ndriçon në mbarë botën dhe ai është shembulli amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjënë më të mrekullueshme që kanë është arsimi. Levën e Arkimedit të zhvillimit të tyre kanë arsimin, kanë shkollën. Një nga shkaqet më themelore të saj është se mobilizojnë më shumë se gjithë bota e marrë së bashku fonde nga sektori privat për shkollimin dhe gradimin e fëmijëve të tyre.

Unë them se e kemi mirë fillimin, sepse në një hark të shkurtë kohor, sot arsimi privat në Shqipëri mbulon 20 përqind të arsimit të lartë dhe kjo është një arritje e madhe. Unë nuk dua të zgjatem më shumë, veçse t’ju përgëzojmë zoti Ndreu, të përgëzoj Rektorin, mikun tim të vjetër, të përgëzoj stafin akademik të këtij universiteti dhe t’ju uroj suksese të tjera më të mëdha në këtë rrugë. Ju garantoj se qeveria në katër vitet që vijnë, në reformën e financimit do të vendosë atë barazi qëndrimi që është e detyruar për çdo qeveri në aspektin e shërbimeve publike, në aspektin e arsimit dhe shëndetësisë.

Faleminderit!


04/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›