Kryeministri Berisha zhvillon bashkëbisedim me mësues e pedagogë të qarkut të Elbasanit

Kryeministri Berisha, takimin e radhës në kuadër të marrjes së mendimeve, opinioneve dhe sugjerimeve për programin Shqipëria e zhvilluar europiane, e pati sot me mësues dhe pedagogë të qarkut të Elbasanit. Kryeministri Berisha shpalosi idetë dhe vizionin për zhvillimin e sistemit arsimor në katër vitet në vazhdim, dëgjoi me interes dhe mirëpriti çdo mendim dhe sugjerim për konsolidimin dhe avancimin e arritjeve në fushën e arsimit.
Bashkëbisedimi i Kryeministrit me mësues e pedagogë në Elbasan.
Së pari dua t’ju falënderoj përzemërsisht, të nderuara mësuese e mësues të qytetit e qarkut të Elbasanit, të shpreh nderimin tim më të madh për punën tuaj të shkëlqyer, misionin tuaj fisnik, t’ju garantoj se në të gjithë përpjekjet tona për projektin Shqipëria-vend i zhvilluar, shkolla e edukimi, ju mësueset e mësuesit e këtij vendi jeni në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona. Kjo, sepse vetëm një Shqipëri e bazuar mbi dijen do të mund të jetë një Shqipëri e zhvilluar.
Shqiptarët si qytetarë janë ndoshta qytetarët e njerëzit me pasionin më të madh për arsimin. Shqiptarët janë njerëzit më arsimdashës. Prindërit në Shqipëri sakrifikojnë për edukimin, shkollimin e fëmijëve të tyre ndofta më shumë se kudo tjetër në botë. Megjithatë, siç e dimë, një punë e madhe duhet bërë për të dalë në nivelet më të larta cilësore të arsimit.
Në një hark kohor të shkurtër, shtatëvjeçar, ne kemi faktuar para jush, para fëmijëve të Shqipërisë, nxënësve, të rinjve e të rejave, prindërve të tyre, se ne si qeverisje nuk kemi asgjë më serioze, më të rëndësishme e më parësore, sesa edukimin e shkollimin e fëmijëve tanë, të reja e të rinjve të këtij vendi. Në këtë kontekst, në rast se rikthemi pak vite më parë, ne bëmë po këto deklarata, duke u zotuar solemnisht se do të vendosim mësuesin në piedestalin që meriton dhe se reformën në sistemin e edukimit do ta bazojmë para së gjithash e mbi të gjitha, tek mësueset e mësuesit e këtij vendi, roli, performanca e kushtet e tyre.
Ne takohemi sot në këtë sallë, pasi kemi rritur rrogat e mësuesve në një shkallë të atillë që nuk i ka rritur në përqindje asnjë vend tjetër në Europë e më gjerë; mësuesit e arsimit parashkollor, në vitin 2005 kishin një rrogë prej 200 mijë lekë, sot e kanë rrogën 480 mijë lekë; mësuesit e arsimit bazë nëntëvjeçar kishin një rrogë prej 220 mijë lekë, sot e kanë rrogën 517 mijë lekë; mësuesit e shkollave të mesme kishin një rrogë 260 mijë lekë, sot e kanë 560 mijë lekë. Në asnjë sektor tjetër, ne nuk kemi rritur rrogat në këto nivele dhe këto janë plotësisht të merituara nga ju. Unë ju garantoj se kjo rritje do të vazhdojë për sa kohë ne do të jemi në pushtet e do të votohemi nga shqiptarët. Për ne, shkolla është jetike, vendimtare në ndërtimin e një Shqipërie të bazuar mbi dijen dhe në këtë proces, mësuesi është lideri, udhëheqësi, arkitekti i tij procesi. Ndaj, ne do të përqendrohemi aty, me të gjithë potencialin tonë.
Kemi një rrugë jo të lehtë për të bërë, mangësi për të adresuar. Por të kthehemi pak vite mbrapa, në një moment kur Shqipëria, në raport me moshën dixhitale ishte pothuaj në errësirë të plotë, kur përdorimi i internetit në vend ishte vetëm 4.8 përqind, kur internet merrnin vetëm 40 shkolla në mbarë vendin. Atë kohë, ne u zotuan për të sjellë internetin në çdo shkollë, sepse donim që nxënësit tanë të lundronin në internet, pavarësisht nga kushtet e tyre familjare, që mësuesit tanë të lundronin në internet e ta kishin kompjuterin një mjet të zakonshëm në punën e tyre. Sot pas shtatë vitesh, nga 40 shkolla janë 2000 shkolla në mbarë vendin me internet; sot pas shtatë vitesh, nga 70 shkolla me kabinete informatike janë të gjitha shkollat me kabinete të tilla; sot janë trajnuar mijëra mësues - vazhdojmë të bëjmë përpjekje të mëdha në këtë drejtim - për të përdorur platformat e ndryshme të mësimit dixhital dhe ju garantoj se çdo sukses i teknologjisë së informacionit do të aplikohet para së gjithash, në shkolla.
Dje në gjimnazin “Sami Frashëri” inaugurimin e-Albania, portalin e shërbimeve qeveritare. Ky është padiskutim, hapi më i rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në moshën dixhitale, në kuptimin që në këtë portal dora-dorës do të lidhen të gjitha procedurat dixhitale të vendit. Në këtë mënyrë, qytetari shqiptar do të ketë në celularin e tij lidhjet me të gjitha proceset, të gjitha agjencitë që funksionojnë mbi bazën e dixhitalizimit, do të jetë një one stop shop i të gjitha shërbimeve që ofron kjo qeveri në procedurat dixhitale, por do të jetë edhe një burim konstant informacioni për 340 shërbime, të cilat ofrohen nga shteti shqiptar ndaj qytetarëve të vet. Edhe në këtë aspekt, hapin e parë e bëmë me maturën. Ne zgjodhëm maturën dhe aplikimin e maturantëve me formularin A1 dhe A1Z si momenti më kulmor e më i mirë për të inauguruar këtë portal.
Ne jemi marrë shumë me ndryshimin e infrastrukturës, por shkollat kanë qenë përparësia jonë madhore. Gjatë këtyre shtatë viteve, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në shkallë vendi mbi 1300 shkolla. Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Elbasanit janë ndërtuar e rindërtuar 63 shkolla, në qarkun e Elbasanit rreh 140 shkolla. Pra, më shumë se 1/10 e të gjithë shkollave të ndërtuara e të rindërtuara të vendit është bërë në qarkun e Elbasanit. Sërish, kemi shkolla të papranueshme për standardet që kanë, kemi shkolla të papërshtatshme për t’u ulur fëmijët tanë. Por cili është qëndrimi ynë për këtë? Qëndrimi ynë është: të gjitha shkollat, aty ku janë, do rindërtohen apo ndërtohen. Gjatë dy viteve të ardhshme, ne synojmë të kemi një infrastrukturë për shkollat ndër modernet e rajonit dhe me të njëjtat standarde si shkollat europiane.
Gjatë viteve që vijnë, ne kemi synimin më madhor, kemi ambicie të madhe që të ngjitemi në garën e cilësisë. Këto vite kemi arritur të kapin vendet më të zhvilluara në këto tregues: së pari, në ndjekjen e shkollës së mesme nga nxënësit që mbarojnë shkollën bazë. Gjashtë vite më parë ishte në nivelin 77 përqind, sot është 92 përqind. Unë ndjehesha shumë i lënduar me nivelin 77 përqind të ndjekjes së shkollës së mesme dhe disa herë kam diskutuar me bashkëpunëtorët e mi ta bënim arsimin e mesëm të detyruar, çka mund dhe të bëhej. Por, kur është mundur t’i realizosh synimet pa detyrim ligjor, mirë është ta bësh pa detyrim ligjor. Sot jemi në nivelet më të larta që ka një vend, 92 përqind dhe sot nuk shtrohet më ky probleme. Së dyti, shtatë vite më parë kishim nivelet më të ulëta në Europë të përqindjes së qytetarëve të diplomuar në universitete, 3.4 përqind, në një kohë kur ky tregues është mesatarisht 24-25 përqind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë 32 përqind, vende të tjerë 18-19 përqind, por në mesatare shkon në 25 përqind. Ne ishim katër herë nën nivelin mesatar europian të studentëve për njëmijë banorë. Europa kishte 43 studentë për njëmijë banorë, ne kishim 12 studentë; sot kemi 52 studentë për njëmijë banorë, duke tejkaluar edhe standardet europiane. Dhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë. Ne jemi kob i ri, ne kemi shumë të rinj. Natyrisht, kjo erdhi edhe falë politikës së qeverisë. Ne e bëmë këtë së pari, për Shqipërinë e dijes, por edhe sepse nuk është shoqëri e drejtë, ajo që ndrydh e shkelmon ëndrrën universitare. Çdo të riu duhet t’i jepej mundësia ta provonte këtë ëndërr, pasi është e drejta e çdo të riu, që merr maturën, të aplikojë e të ndjekë shkollat larta dhe universitetin. Sot, ky është realitet. Pak vite më parë, ne kishim gjithsej në arsimin e lartë, publik e privat, 4100 pedagogë, sot kemi mbi 10 mijë dhe sërish do të rritet ky numër.
Sot, imperative është të rendim pas cilësisë. Ne i kemi të gjitha mundësitë që në arsimin parauniversitar të ngjitemi me shpejtësi drejt niveleve të larta. Por kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis mësuesve, prindërve dhe nxënësve; kërkon një mbështetje të fuqishme dhe mbajtjen arsimit si përparësi nga qeveria; kërkon që të ndahemi nga praktikat e vjetra. Ashtu si përqafuam internetin, ashtu duhet të bëjmë gjithçka për të vendosur arsimin tonë mbi dy shtylla kryesore. E para, gjuha shqipe. Është detyra më parësore e shkollës sonë që t’i mësojmë nxënësve në mënyrë të përsosur gjuhën e nënës, t’i nxisë atyre dashurinë për të, t’i bëjnë ata, qytetarë dinjitozë në të folurën dhe në shkrimin e gjuhës së tyre. E dyta, një shkencë është nëna e të gjitha disiplinave teknike dhe kjo është matematika. Ndaj krahas gjuhës, shtylla e dytë duhet të jetë matematika e ne po punojmë në këtë drejtim. Por krahas tyre, është edhe gjuha e huaj. Sot, çdo qytetar i botës duhet të dijë gjuhët më të folura, por kur je anëtar i një kombi të vogël detyra është shumë herë më e madhe. Sot ka një kthesë të madhe në gjuhën e parë, ka një kthesë e përmirësim të madh në gjuhën e dytë, por ne duhet të nxisim nxënësit tanë, të rejat e të rinjtë të jenë poliglotë dhe këtë mundësi ua u jep në mënyrë të shkëlqyer aparati i mrekullueshëm i gjuhës së tyre amë.
Ne kemi arritur deri këtu, por ne kemi ambicie të madhe të ecim më shpejt e më lart. Kjo ambicie ka të bëjë me themelin e zhvillimit të këtij vendi. Kjo ambicie ka të bëjë me vendosmërinë tonë për ta shndërruar Shqipërinë, gjatë katër viteve që vijnë, në një Shqipëri të dijes, në një shoqëri të dijes, e cila është faktuar në mënyrën më të përsëritur se ka një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik. Vetëm një ekonomi që bazohet mbi dije arrin vlera të shtuara më të larta. Shqipëria e dijes ka një impakt të padiskutueshëm edhe kulturor, social e të gjithanshëm. Është faktuar se njerëzit e shkolluar gjejnë punë shumë më lehtë, se ata që nuk kanë ndjekur shkollat, është e faktuar se pagat e të shkolluarve janë së paku 50 përqind më të larta, se e atyre që nuk kanë ndjekur shkollat. Pra, është një kompleks faktorësh që na detyron të bëjmë gjithçka për avancimin e konsolidimin e arsimit në Shqipëri.
Të dashur mësuese e mësues,
Si qytetarë të këtij vendi, që përjetoni jo vetëm vështirësitë e jetës së përditshme, por që në punën tuaj të përditshme pasqyrohen në një mënyrë a tjetër edhe vështirësitë e prindërve dhe të familjeve të nxënësve tuaj, jam i bindur se të gjitha këto janë një burim i madh frymëzimi për ju, për të punuar me përkushtim të madh, për të dhënë kontributin tuaj në ndryshimin e vazhdueshëm, rrënjësor të këtij vendi. Këto që unë citova janë e shkuara. Kemi bërë mirë, që i kemi bërë, kemi hedhur baza të reja, por tani një horizont i ri shfaqet para nesh e për ta kapur këtë horizont, për të rendur pas tij, së bashku duhet të hartojmë programin më të mirë për arsimin në katër viteve që vijnë. Program, i cili do të qëndrojë në bazë të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Euroiane. Kam admiruar gjithë jetën time mësueset e mësuesit e mi. Ndaj sot nuk ulem këtu si kryeministër, por si ish nxënës, ish student, ish pedagog, si prind, si gjysh, si qytetar dhe unë dua të dëgjoj mendimet tuaja. Sot ju jeni kryeministrat e mi. Unë jam i hapur të dëgjoj çdo mendim, opinion, sugjerim, vërejtje a kritikë tuajën. Duhet të jetë një debat tërësisht i hapur, se vetëm i tillë mund t’i shërbejë qëllimit, për të cilin takohemi sot. Ju faleminderit.
Zoti Kryeministër përshëndetje. Ne sot e prekim internetin në çdo shkollë, por dua t’ju pyesja a është menduar shfrytëzimi i këtij resursi në dixhitalizimin e orës së mësimit, veçanërisht të orës së gjuhëve të huaja.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për pyetjen. Po, është menduar dhe ka filluar. Projekti ynë në katër vitet që vijnë është kalimi nga kabinet informatike, në të gjitha klasat informatikë. Nga praktika internet dhe kompjuter në dy a tre kabinete që ka shkolla, në aplikimin e-learning në të gjitha kabinetet. Pak më shumë se dy muaj isha në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë. Një nga gjërat më mbresëlënëse, për mua, ishte kabineti i informatikës për gjuhën angleze. Mësuesja më shpjegoi se kjo platformë ishte e re dhe me sinqeritet më tha: në fillimin nuk kisha një pasion për këtë, përkundrazi, një hezitim e ndrojtje, por tani nuk shkëputem dot prej kësaj metode, sepse kjo platformë u jep mundësi nxënësve jo vetën në orën mësimit, por të qëndrojnë në lidhje on line edhe nga shtëpitë, për gjuhën angleze. Ne do të bëjmë gjithçka jo vetëm për gjuhën angleze, por për përdorimin më të thellë të metodave dixhitale në kurrikulat e lëndëve të ndryshme në shkollat e mesme dhe në shkollat nëntëvjeçare. Mësimi dixhital ka meritë të jashtëzakonshme, sepse qartëson në kohën në të shkurtër fenomenin a procesin, i cili më parë i kërkonte nxënësit mundim për ta imagjinuar dhe ndofta nuk arrinte ta imagjinonte ndonjëherë. Po në shkollën “Ismail Qemali”, në orën e biologjisë, natyrisht, duke ditur se unë jam kardiolog, kishin programuar funksionin e zemrës. Unë u mahnita sesi nxënësit mund të merrnin në një orë mësimi, pa asnjë vështirësi mësime, të cilat mua si student në mjekësi më janë dashur muaj të tërë për të kompletuar në mendjen time të gjithë rrugët e kalimit të impulseve, rrugët e kryqëzimit të kalimit të impulseve, rrugët e kalimit të gjakut në zemër etj..E vërteta është se duhet të bëjmë gjithçka për ta shtrirë metodën dixhitale në çdo qelizë të mësimdhënies dhe ne i qëndrojmë kësaj.
Në periudhën që zoti Luan Memushi ishte ministër i Arsimit u bë kalimi i ciklit fillor në sistemin pesëvjeçar dhe kjo nuk kaloi pa probleme. Tani po përgatitet kalimi në sistemin gjashtëvjeçar. A është menduar mirë ky kalim?
Kryeministri Berisha: Këtë kalim që po bëhet këtu, e ka bërë shumica e vendeve. Përse po i grupojmë gjashtë klasat e parë në një cikël? Kjo, sepse shëmbëlltyra psikologjike e tyre është më e ngjashme dhe kjo grup moshë përbën një komunitet më të përafërt njëri me tjetrin. Ata dallohen pas klasës së shtatë e tutje, kur edhe sjellja, edhe qëndrimi, edhe shoqërimi e të gjitha janë më të ndryshme. Pra, nuk është bërë për asnjë lloj qëllimi lokal, por është bërë kryekëput për të adaptuar një model, të cilin e kanë gjetur të përshtatshëm shumica e vendeve të zhvilluara dhe vende, të cilat prej disa vitesh kryesojnë me cilësinë e arsimit, në mbarë botën. Një nga këto vende është Finlanda. Ne po përpiqemi shumë të marrim nga ai model. Finlanda është një vend i pasur sot, por tre dekada më parë nuk ka qenë absolutisht i tillë. E vërteta është se në rreth pesë vitet e fundit, ajo qëndron në vend të parë apo të dytë në të gjitha vlerësimet, përsa i takon arsimit pasuniversitar. Qëllimi ynë është që të marrim sa më shumë nga ky model, sepse besoj se kemi çfarë të mësojmë prej tij. Unë e kuptoj se kjo për mësuesin përbën një risi, por, ashtu siç përbënte interneti, siç përbën e-learning, siç përbëjnë të gjitha risitë e detyrueshme, unë kam besimin e plotë se mësuesit tanë do të mund të përshtaten shumë mirë me këtë sistem. Është e vërtetë se tani, mësuesit do ta marrin një nxënës nga klasa e parë në të gjashtën, në tërësi ku është e mundur, por ata do të kenë të gjitha mundësitë për t’u përgatitur e për të përballuar me sukses të plotë programin e këtyre viteve.
Jam një drejtues i një shkolle profesionale në qytetin e Cërrikut. Ndjej admirim se janë bërë shumë arritje për arsimin, por më duhet t’ju kujtoj, a do jetë në vëmendje arsimi profesional në katër vitet e tjera, në rast se fitoni?
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj për problemin madhor që ngritët. Në rast se vështrojmë sistemin tonë parauniversitar, problemi më madhor i tij është raporti i papranueshëm i nxënësve në shkollat e përgjithshme me ata në shkollat profesionale. Në vendet e zhvilluara, ky raport është një me një. Dua të them se kjo krizë ekonomike botërore ka evidentuar si një nga problemet më madhore të shoqërisë së sotme perëndimore, me gjithë këto nivele që ka, mospërshtatjen në shkallën e duhur të forcës punëtore me kërkesat e tregut. Vend model në Europë e në botë, në këtë drejtim, është Gjermani, e cila mund t’i japë mësim gjithë botës me modelin e saj të shkollimit profesional. Por ata, krahas shkollës, kanë edhe një mençuri tjetër të madhe, që i detyrojnë ndërmarrjet, kundrejt shpenzimeve të njohura, t’u japin të drejtën e shkollimit profesional punëtorëve në cilëndo shkollë që duan. Ky është një shembull i shkëlqyer, që sa më parë ta ndërmarrim, aq më mirë do të jetë. E tërë jeta në kushtet e tregut, i cili ka një dinamizëm të pa imagjinueshëm, është një përshtatje e njeriut me kërkesat e tij dhe e tillë duhet të jetë. Ne jemi përpjekur shumë në këtë drejtim. Kemi marrë vendimin për të garantuar bursë për cilindo që çon fëmijën në shkollë profesionale dhe vetëm këtë vit ka një kthesë. Këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, kemi një rritje me 20 përqind të nxënësve që hyjnë në shkollat profesionale. Dje një sipërmarrës i njohur në fushën e minierave më shkruante në një mesazh, se hapja e shkollës së mesme të minierave dhe gjeologjisë në Bulqizë është një domosdoshmëri e madhe. Dhe kjo është e vërtetë. Ne do të përqendrohemi me të gjithë potencialin tonë në arsimin profesional dhe zhvillimin e tij. Me ndihmën e qeverisë gjermane e zvicerane janë hapur disa shkolla shumë të mira dhe do të bëjmë çmos që këto modele t’i shtrijmë edhe në qarqe e qytete të tjera. Ne jemi të gatshëm të heqim çdo lloj shpenzimi për familjet që dërgojnë fëmijët në shkolla profesionale. Për fat të keq, një koncept jo favorizues ekziston tek prindërit, por edhe ne duhet të punojmë më shumë për t’i qartësuar ata se vërtet fëmijët e tyre mund të mbarojnë për elektricist, por ata do të ketë të drejtën të ndjekin 15 apo më shumë degë të universiteteve dhe nuk do të kufizohen me degën, me të cilën marrin maturën e shkollës profesionale. Shkollimi profesional mbetet një problem madhor, jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin tonë arsimor.
Përshëndetje profesor Berisha. Po ju drejtohem me këtë titull, pasi jemi para 7 marsit dhe ju bëni pjesë edhe në këtë armatë të madhe të arsimtarëve. Siç thatë më parë, i premtuat arsimtarëve rritjen e rrogave dhe e realizuat. Elbasani ndjehet krenar dhe i nderuar që ngriti shkollën Normale, që nuk i përket vetëm Elbasanit, por të gjithë kombit shqiptar dhe arsimtarët e saj kanë punuar me kulturë e pasion për të përcjellë dituri e shpërndarë arsimtarë në të gjithë skajet e Shqipërisë. Pyetje ime është: arsimtarëve që kanë punuar në Normalen historike, do t’i përkasë pension i posaçëm?
Kryeministri Berisha: Së pari, pikërisht për arsyet që ju cituat, unë zgjodha Elbasanin për debatin e diskutimin tim mbi arsimin. Normalja ka qenë pa diskutim, universiteti i parë i kombit shqiptar. Sa herë e rimendoj, si kjo shkollë, në një hark kohor të shkurtër, brenda 10-15 viteve, arriti në ato kushte të përgatisë atë numër misionarësh, që bënë të mundur në vitet 1920-1921, të hapeshin 520 shkolla, për një vend që numëronte as një milionë banorë dhe jashtë Shqipërisë, aq sa janë lejuar në trojet shqiptare në Maqedoni, Kosovë etj.. Me të vërtetë, Normalja u bë burimi i dritës për mbarë kombin. Absolutisht, unë do ta shqyrtoj sugjerimin tuaj. Për mua, ata janë njerëzit, mësuesit më të nderuar që themeluan këtë sistem që ne kemi sot.
Do të doja të bëjë një pyetje në lidhje me shkollën nëntëvjeçare “Xhaferr Hakani”, ku unë jam drejtuese. Prej vitesh nuk ka përfunduar godina e shkollës, për shkak të një konflikti midis Bashkisë së Elbasanit dhe Ministrisë së Arsimit. Si mendoni se do të jetë zgjidhja e këtij probleme?
Kryeministri Berisha: Duke mos pasur njohuri konkrete për këtë problem, ju siguroj se, sapo të kthehem në Tiranë, do t’i kërkoj ministrit të Arsimit dhe bashkëpunëtorit e këshilltarit tim Bardhyl Musai, të më japin të gjithë informacionin dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zhbllokuar një bllokim disavjeçar, të pamerituar, për shkollën tuaj.
Zoti Kryeministër, shqetësimi im lidhet me transportin e mësuesve. Është një pagesë që bëhet duke iu dhënë mësuesve dhe nxënësve, ndërsa me skemën e paorë, ajo i adresohej agjencisë apo mjeteve të transportit. Si mendoni të zgjidhet në të ardhmen?
Kryeministri Berisha: Cili është varianti më i mirë për ju? Unë pres mendimin tuaj. T’u paguhet juve apo agjencisë?
Mësuesi: Unë, për vete, them mësuesve.
Kryeministri Berisha: Edhe unë do të mbështes variantin që u intereson më shumë mësuesve. Në qoftë se është bërë me agjenci, kjo është bërë për të lehtësuar një shërbim, por jam plotësisht dakord me atë që thoni ju. Edhe për qeverinë është më e thjeshtë të paguajë mësuesin.
Zoti kryeministror, së pari ju falënderoj për këtë takim informal, i cili tregon një për shkallë të lartë emancipim politik. Ju falenderojmë gjithashtu që u treguat kaq i hapur me ne. Unë jam mësuese e letërsisë dhe duke pasur informacion mbi pasionin tuaj për letërsinë, që ju keni qenë një lexues i pasionuar...
Kryeministri Berisha: Dhe mbetem i tillë. Ju garantoj edhe sot jam njëlloj. Nuk jam lëkundur nga pozicioni i një lexuesi.
[Vazhdimi i pyetjes] Shkollat tona janë bërë shumë të bukura, interneti ka sjellë një emancipim të jashtëzakonshëm, por kërkesa ime për katër vitet në vazhdim do të doja të ishte një shtim në fondin për bibliotekat e shkollave. Ato duhen pasuruar, sepse fëmijët më shumë se kurrë kanë nevojë edhe për librin, krahas dixhitalizimit. Libri është domosdoshmëri.
Kryeministri Berisha: Është domosdoshmëri jetike. Ne kemi një fond të përvitshëm, kemi një komision me personalitete të shquara të letrave dhe të tjerë që përzgjedhin një listë librash. Ju garantoj se ky fond do të vijë në shtim dhe vetëm në shtim, sikundër do të bëjmë gjithçka edhe për shtrirjen e librarisë virtuale, në të cilën ju do të gjeni mijëra e mijëra tituj. Ka një gjë shumë interesante libraria virtuale. Së pari, fondi i tërë, kundrejt detyrimeve, bëhet disponibël. Së dyti, për hir së vërtetës, edhe jashtë saj në qoftë se merr e-librin, një listë prej dhjetëra mijëra librash të shkëlqyer janë falas, mjafton vetëm të shkarkohen. Kështu do të ecim në të dyja drejtimet: drejt pasurimit të bibliotekave me titujt më të mirë që sugjeron ky komision dhe shtimit të fondit, si dhe drejt shtrirjes së librarisë virtuale në të gjitha shkollat, gjatë katër viteve që vijnë. Kjo e bën aksesin tek libri, universal. Në këtë mënyrë do të lexohet duke e pasur librin në dorë (hard copy), do të lexohet në internet, pra, në të gjitha format.
Përshëndetje zoti Kryeministër dhe kam nderin të komunikoj me ju si drejtor i shkollës nëntëvjeçare në Bradashesh. Njëkohësisht sjell edhe përshëndetjet e komunitetit ku jetoj e punoj, si dhe një kërkesë të këtij komuniteti: a do të ketë një gjimnaz në Bradashesh?
Kryeministri Berisha: Përgjigjja është qartësisht pozitive. Një përshëndetje të përzemërt komunitetit në Bradashesh dhe garanci të plotë se gjimnazi do të bëhet. Një gjimnaz shumë i mirë.
Jam doktor në shkencat politike. Do të doja të bëja një pyetje, pasi shoh se në lëndët në gjimnaz nuk ka shkenca politike apo diplomaci. Mendoni se duhet të futet si lëndë? Gjithashtu, lidhur me historinë, në një farë mënyre ende vazhdon të flitet për Enver Hoxhën dhe komunizmin dhe akoma shohin shtrembër busti e Ahmet Zogut apo Lef Nosit.
Kryeministri Berisha: Natyrisht, njohuritë politike janë shumë të rëndësishme. Njeriu, në mënyrë të padiskutueshme është politik. I çfarëdo bindjeje qoftë, edhe ai që është i vendosur të mos anësojë me ndonjë parti politike, sërish ka qëndrimet e veta politike ndaj tyre dhe ndaj zhvillimeve. Në këtë kontekst, njohuritë politike duhet të jenë pjesë e njohurve në shkencat shoqërore. Këto shkenca si psikologjia, sociologjia kanë pasur një fat të veçantë: më parë kanë qenë në tërësi doktrina të ndaluara. Por tani, ato po zënë vendin e tyre. Në kuadrin e shkencave shoqërore jam dakord me ju, të jepen edhe njohuri politike.
Përsa u përket qëndrimeve ndaj historisë, në disa çështje është e vështirë të bësh përgjegjës qytetarin, sepse përpjekjet e studiuesve nuk kanë qenë në nivelin e duhur për dokumentimin e historisë. Pak më parë, një zonjë më tha që unë lexoj. Po, kam pasion leximin dhe historinë dhe për shumë kohë kam ndjerë keqardhje të thellë në shpirt, pasi mund të njihesha shumë më mirë e më plotë me historinë e një kombi e vendit tjetër, sesa historinë e vendit tim. Kjo, sepse për periudha të tëra, ajo ishte e ndaluar. Dokumentet ishin të rezervuara, nuk jepeshin, nuk botoheshin libra. Unë doja të lexoja libra dhe nuk mund të kthehesha në studiues arkivi, pasi nuk isha historian. Po ashtu edhe qytetarët e tjerë. Por a po ndodh një ndryshim rrënjësor? Po, po ndodh një ndryshim rrënjësor. Të gjithë e kemi përjetuar me një ndjenjë legjitime krenarie 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kontributin e Elbasanit, kontributin e të gjitha trevave shqiptare. Por ju garantoj se një nga zhvillimet më pozitive të atij 100 vjetori janë dokumentet, artikujt, debati dhe librat që u shkruan për të vërtetat historike tonat. Të vërteta, të cilat do t’u shërbejnë shqiptarëve, sepse e shkuara ka anën e saj dhe të shërben për të nxjerrë mësime dhe për t’u përpjekur për një të ardhme më të mirë. Kështu që sot mund të themi se çdo njëri prej jush, në rast se do dhe e ka pasion, mund të ketë këndin e ngushtë apo të gjerë, sipas pasionit të tij, të librave të mrekullueshëm për historinë e kombit dhe vendit të tij, së paku të 100 viteve të fundit. Natyrisht, këto do të ketë efektin e tyre pozitiv, do t’i njohin qytetarët me të vërtetat historike të kombit, vendit, të krahinës së tyre dhe do t’i japin një kuptim të ri historisë së vendit tonë.
Zoti Kryeministër, kam një informacion se qeveria po ndërmerr një projekt për kualifikimin e mësuesve. Mendoni zoti Kryeministër, nëse keni informacion, se mund të ngrihet një qendër e tillë në Universitetin e qytetit tonë “Aleksandër Xhuvani”?
Kryeministri Berisha: Unë kam informacion dhe këtë e konsideroj një domosdoshmëri. Universiteti “Aleksandër Xhuvani” mund të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të vendit për kualifikimin, por që të them se kjo do të jetë qendër unike, këtë e kam pak vështirë ta pohoj tani, pasi duhet të shoh se ku janë projektet dhe ta studioj më me hollësi. Por që do të ngrihet në universitet, për këtë nuk ka asnjë lloj hezitimi.
Unë jam mësues në shkollën e mesme në Belsh. Për koincidencë, në fillim ju thatë se kishit bërë një vizitë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, por edhe gjimnazi ynë ka këtë emër, për të identifikuar këtë rilindës të madh që ka bërë të njohur edhe zonën e Belshit. Si person e kam ndjerë si përgjegjësi personale, por sot jam këtu edhe në emrin e të gjithë nxënësve e mësuesve të shkollës për një problem, atë të rikonstruksionit të shkollës së Belshit, që përfaqëson një trevë të madhe. Të gjithë nxënësit e mësuesit më kanë kërkuar që në këtë takim ta bëj këtë kërkesë. Besoj se mund të na premtoni diçka, pasi ndryshimi në zonën e Belshit duket, punimet që po bëhen në hyrjen e Belshit, por edhe në gjithë zonën, në Kosovë etj., në rrugët e kësaj zonës. Në emër të nxënësve na e merrni në konsideratë edhe këtë kërkesë.
Kryeministri Berisha: Plotësisht. Edhe unë ju përshëndes juve, kolegët e t’u dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe ju siguroj se do të bëhem avokat pranë Ministrisë së Arsimit, që ai gjimnaz të rindërtohet në parametrat më të mirë. Ne sot jemi mbledhur për arsimin, por siç e thatë vetë, ne po investojmë në të gjitha anët. Në zonën e Belshit dhe në të gjithë qarkun e Elbasanit, ne po bëjmë investime të shumta në infrastrukturë. Tuneli është në momentet e fundit dhe këtë pranverë inaugurojmë rrugën, e cila ndryshon shumë Elbasanin, por edhe Tiranën, pasi sjell Elbasanin afër Tiranës, por edhe Tiranën afër Elbasanit.
Përshëndetje. Jam diplomuar në konservatorin e Bolonjës, për piano. Sa hapësirë dhe mundësi kemi ne, për të ushtruar profesionin tonë, këtu, në shkollat e muzikës. Por edhe pse kam bërë kërkesë pranë Drejtorisë Arsimore, jam ende punë?
Kryeministri Berisha: Së pari, ju përgëzoj që jeni kthyer këtu, pasi keni studiuar në një konservator të njohur. Për rastin tuaj konkret nuk kam dijeni, por do t’u kërkoj autoriteteve vendore ta shqyrtojnë me përparësi problemin tuaj. Dua të jem i hapur, në këto shtatë vite, 70 përqind e të gjitha fondeve i ka marrë infrastruktura, në radhë të parë rrugët, sepse pa rrugë nuk ka zhvillim. Askush nuk mund të ketë iluzion, se, nëse rrugët nuk janë në standardet e duhura, mund të ketë zhvillim. Janë disa sektorë të tjerë që kanë merituar mbështetje më të madhe dhe ju garantoj se do të kenë mbështetje më të fuqishme gjatë katërvjeçarit që vjen. Nga këta sektorë, që do të kenë mbështetje më të fuqishme, do të jenë arti, kultura, sporti.
Zoti Kryeministër ju falenderoj që jeni sot këtu, që jeni jo vetëm si kryeministër, por edhe për faktin se keni ardhur si një qytetar i yni, për të treguar arritjet që keni pasur gjatë mandatit tuaj. Mësuesit jua dinë shumë për nder për rritjen e rrogave dhe kjo është kryesore. Duhet ta pranojmë se deri dje mendonim para se të dilnim për një darkë jashtë, sot e bëjmë këtë pa problem. Unë desha të di, nëse në mandatin tuaj të ardhshëm, a mund të futen qoftë edhe si orë fakultative, njohuritë për luftën kundër korrupsionit, të përparësive, të mirave e detyrimeve që ne kemi karshi statusit të BE-së. Ka ende shumë njerëz që janë të paqartë për këtë.
Kryeministri Berisha: Absolutisht është e domosdoshme, madje është detyrë që në shkollë të merret informacioni më i gjerë për standardet, normat, kërkesat që nevojiten për të qëndruar me dinjitet midis kombeve të qytetëruara. Ju prekët një nga çështjet më themelore, korrupsionin. Unë dua t’ju garantoj se në bindjen time më të thellë, më absolute, në luftën kundër këtij faktori qëndron çdo sukses tjetër dhe se ky faktor është nëna e të gjitha të këqijave të tjera. Por, meqenëse po e trajtoj këtë problem, unë e kam konsideruar dhe e konsideroj jetike luftën kundër tij. Po referohem të ardhurave. Këto kanë qenë vitet e krizës më të thellë që ka njohur bota perëndimore. Krizë, e cila ka ndikuar në ekonominë shqiptare, ndonëse ajo nuk ka rënë në krizë. Nga viti 2006 e deri më sot, ne edhe pasi përgjysmuam taksat, kemi mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë, sesa paraardhësit tanë. Ka një raport të Bankës Botërore që thotë se 1.4 miliardë dollarë nga taksat e tatimet çdo vit përfundonin në xhepat e zyrtarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Me këto 9.2 miliardë dollarë më shumë, ne ndërtuam rrugë, dyfishuam rrogat, zhvilluam shoqërinë dixhitale, pa të cilat nuk do mund t’i arrinim të gjitha këto, përndryshe, ambiciet tona do të ishin ambicie në letër. Duke theksuar këtë, a do të thotë kjo se kjo luftë mbaroi? Absolutisht jo! Përkundrazi, do të thotë se në këtë stad, një nivel shumë më i lartë, një përpjekje e re e madhe duhet bërë në luftën kundër tij. Ç’po bëjmë ne? Reformat tona, në mënyrë të veçantë ato bazuar në procedurat dixhitale, sjellin transparencë dhe bëjnë që procesi të jetë i dukshëm. Dua t’ju jap një të dhënë.
Para rreth 1 vit e gjysmë isha në Kombet e Bashkuara. Aty u bë një takim i veçantë me një grup vendesh, ndër to edhe Shqipëria, për një nismë të Presidentit Barack Obama dhe Presidentes së Brazilit Dilma Rousef, e quajtur: Qeveria e hapur. Kjo nismë ka rreth 46 objektiva. Në fakt, po t’i shohësh objektivat, ne kemi punuar në mënyrën më serioze. Në atë takim, një nga kërkesat ishte që thesari të botonte të nesërmen, çdo shpenzim që bën në shkallë vendi dhe vetëm dy vende e bënin këtë. U ktheva dhe i kërkova ministrit të Financave si ta realizojmë që edhe ne të botojmë në faqen zyrtare të thesarit, çdo qindarkë që shpenzohet sot në shkallë vendi. Ministri e mbështeti dhe brenda një muaji kjo u bë. Në fakt, ne e bëmë këtë, por nuk janë njohuritë se ai ekziston, nuk janë njohuritë për leximin e tij. Ndaj është e domosdoshme që të përpiqemi të japim çdo element që të fuqizojë qytetarin, se, në fund të fundit, kjo luftë është e vështirë dhe krahas vullnetit të hekurt të qeverisë dhe institucioneve, kërkon edhe një vullnet të hekurt të qytetarëve. Në rast se qytetari nuk e denoncon, por e përdor si një mekanizëm për të zgjidhur sot një problem, duke harruar se nesër kjo do të kushtojë shumëfishin, ky fenomen është vështirë që të zhduket. Në rast se qytetari qartësohet se çfarë rëndësie jetike ka kontributi i tij në luftën kundër korrupsionit, unë ju garantoj se ne mund të arrijmë në nivele korrupsioni ndër më të ulëtit që ekzistojnë.
Ne po vendosim praktikat më transparente që ekzistojnë. Ju shumë shpejt do të njiheni me një sistem tjetër, sistemin e ankesës së përgjithshme dhe i kërkesës së përgjithshme. Kjo do të thotë se çdo qytetar i këtij vendi, nga të katër anët, me celular, me e-mail apo telefon zanor do të bëjë kërkesën, denoncimin apo ankesën dhe do të ndjekë të gjithë rrugën e tyre deri në destinacion dhe do të ketë mundësi të verifikojë e të ndjekë se cili është qëndrimi i punonjësit a zyrtarit ndaj kërkesës së tij. Portali që inauguruam dje është hapi më i rëndësishëm që ne kemi bërë në raport me qytetarin drejt Shqipërisë dixhitale. Jo vetëm se aty do të jetë gjendja civile, do të jenë të gjitha agjencitë si procese, por dora-dorës do të krijojmë sistemin e gjurmimit në mënyrë që qytetari të gjurmojë deri në destinacionin e fundit, kërkesën, ankesën apo procesin që ai do. Por sërish këto nuk mjaftojnë. Pse? Sepse duhet që qytetari të denoncojë.
Ndaj e konsideroj shumë të rëndësishme këtë që ju thoni, sikundër i konsideroj shumë të rëndësishme njohuritë ekonomike. Po bëhen disa hapa, por ne duhet t’u japim nxënësve njohuri se ç’është buxheti, bilanci, si regjistrohet një sipërmarrje. Sot jemi në kohën e iniciativës së lirë, sot të gjithëve na duhet të jemi llogaritarë, buxhetbërës etj., ndaj këto njohuri duhet të shtrihen në shkolla dhe dora-dorës, ne po i shtrimë.
Zoti Kryeministër, jam psikologe në Qendrën e Autizmit në Elbasan. E mora fjalën për t’ju falënderuar dhe për të bërë një kërkesë. Në radhë të parë, falënderoj zonjën Liri Berisha që mori iniciativën e hapi një qendër të tillë në qytetin e Elbasanit, ju falënderoj juve për mbështetjen dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kjo Qendër ishte një ndihmesë e madhe jo vetëm për ne si psikologë, për punësimin tonë, pasi kjo qendër në fillim kishte 5 psikologë dhe tani ka 15, por kjo qendër u ka ardhur në ndihmë mjaft familjeve në nevojë, që kanë fëmije me këtë çrregullim. Ne jemi munduar që këto fëmijë t’i integrojmë edhe në kopshte. A do mundet që këto fëmijë të integrohen si fëmijët e tjerë edhe në shkolla?
Kryeministri Berisha: Përgjigja ime është pozitive. Unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju, për punën e madhe, të shkëlqyer, që bëni. Para një jave, unë prita në zyrë një nga shkencëtaret më të shquara të planetit në fushën e autizmit, e cila ka bërë studimin e fundit mbi të, studimi më shpresëdhënës në mjekimin e këtij çrregullimi. Është në sajë të punës suaj që në një kohë të shkurtër problemi u arrit të dalë në skenë, sepse fatkeqësia më e madhe ishte se ky problem nuk njihej, përfshirë këtu edhe kryeministrin e vendit. Unë dua të jem i sinqertë me ju. Kur Lili filloi të flasë për këtë çrregullim - unë e njihja si fenomen nga shkolla, por vetëm në libra, pasi nuk na ishte treguar as edhe një rast i vetëm - i thashë se mos po e ekzagjeronin, në mënyrë që të mos krijonin frikë tek nënat. Këto ishin njohuritë e mia shumë pak vite më parë, por sot ky është problem madhor dhe më vjen shumë mirë që keni arritur të ndihmoni e mbështesni familje nga të katër anët, edhe nga zonat e thella.
Siç e dimë, problemi më kardinal është diagnoza sa më e hershme e tij. kjo përbën edhe premisën më të shkëlqyer për normalizimin këtyre fëmijëve, ndjekjen e shkollës e të gjitha. Ministria e Shëndetësisë do të bëjë që çdo pediatër të ketë testin për autizmin, test që duhet t’i bëhet fëmijës që në fazën më të hershme, për ta konsideruar në ka apo jo një çrregullim të tillë. Të gjithë ata që kapen herët, absolutisht kanë shanse për shkollë normale. Në Tiranë, në mos gaboj, 13 prej tyre kanë shkuar në shkolla dhe sipas të dhënave që kam, po shkojnë shumë mirë. Duhet të bëhet gjithçka që të ndihmohen edhe mësuesit, pasi ata fëmijë kanë një problem por jo për mungesë intelekti, por se kanë një ngadalësim të madh në përcjelljen e impulseve. Unë them se duhet të shkojnë në shkolla dhe siç punoni ju, edhe mësuesit me humanizëm duhet ta dinë se shkollimi i një fëmije autist është shpëtimtar, pasi në rast se atë e lë në tunel edhe e përjashton, i bën një dënim të pamerituar një fëmijë. Ndaj, ne jemi për shkollimin e tyre. Po ashtu do të bëjmë gjithçka me pediatrit, të cilët në kontrollet e tyre periodike, që në moshën 18 muaj kur fillojnë bëlbëzimet e para, t’i kontrollojnë edhe për autizmin. E vërteta është se në një kohë të shkurtër është arritur të bëhet shumë në evidentimin dhe mjekimin e tij. Qendra të autizmit ka edhe në Shkodër, Vlorë, Korçë dhe do të hapen edhe në qytete të tjera. Ky çrregullim ka edhe një problem tjetër madhor: askund nuk është integruar plotësisht në sistemin shëndetësor. Ndaj duhet të gjendet mënyra e integrimit. Unë kam gjithashtu shumë mirënjohje për bzinesmenët që paguajnë për ata që nuk kanë, por edhe qeveria duhet të paguajë për ata që nuk kanë.
Dua të falënderoj për të gjitha arritjet që keni bërë, më shqetëson problemi i psikologut në shkollë. Janë pesë shkolla me një psikolog. Ne drejtuesit bëjmë edhe punën e psikologut. Është kohë humbur për ne. Në katërvjeçarin e ardhshëm, e keni menduar shtimin e psikologëve?
Kryeministri Berisha: Absolutisht mungesa e psikologut është mungesë e konceptit të drejtë për rolin e psikologut. Është jashtëzakonisht i domosdoshëm dhe ne do ta shqyrtojmë këtë. Do insistoj pranë ministrisë që t’i shtojmë. Kam bindjen më të thellë se psikologët kanë një rol shumë të rëndësishëm në komunitetet e nxënësve në shkolla dhe që mund të bëhen faktor i rëndësishëm i parandalimit, i kapërcimit të psikozave, por edhe i shpjegimit e zhvillimit në tërësi të fëmijëve. E theksoj, për mua kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe do t’i kërkoj ministrisë që ata të jenë të pranishëm në të gjitha shkollat, ku numri nxënësve është i konsiderueshëm.
Zoti Kryeministër, deri tani rritja e rrogave e pensioneve është e dukshme. Nëse fitoni, a keni një parashikim për rritje të rrogave deri në fund të vitit 2017. Pyetja e dytë, taksimi i saj do të bëhet me taksën e sheshtë apo progresive?
Kryeministri Berisha: Kam qenë në opozitë dhe kam deklaruar se do të rris rrogat. Jam në qeveri dhe kam mbajtur premtim. Sërish do ta mbaj. Unë besoj se investimi në kapitalin njerëzor duhet të jetë investimi i parë i çdo qeverie dhe çdo shteti. Një zonjë më parë, me shumë të drejtë u shpreh se pak vite më parë, ato e kishim të vështirë të uleshim me miqtë për një drekë. Nga ana tjetër, pak vite më parë nga arsimi ikte kush të mundte. Tani nuk na ikën më njeri. Mësueset e mësuesit, natyrisht, meritojnë shumë më tepër, por tani kanë përkushtim dhe mendjen të qëndrojnë në misionin e tyre, të punojnë e zhvillojnë shkollën. Kështu që në mënyrën më të padiskutueshme, sa herë që të më votojnë shqiptarët, unë do të rris rrogat e pensionet. Një gjë duhet ta dinë qytetarët shqiptarë se në rritjet e rrogave e pensioneve të tyre, asnjë qindarkë e vetme nuk është borxh i këtij shteti ndaj kujt, është e tëra para e buxheti, e taksave të shqiptarëve. Po, janë rritur rrogat e mësuesve të nxënësve tanë dhe ato janë taksat e prindërve të tyre. Kjo në sajë të performancës ekonomike. Ne nuk tërhiqemi nga ky koncept.
Lidhur me taksat, asgjë më vulgare dhe banale nuk ka, sesa të spekulosh me termat. Të dashur mësuese dhe mësues, ne jemi vendi i taksave të ulëta. Unë kam bindjen më të thellë se një nga faktorët më kryesorë, që ne ia dolëm të kemi 9.2 miliardë dollarë më shumë se qeveria paraardhëse, qëndron në sistemin e ulët të taksave. Është e vërtetë që mësuesi paguan 10 përqind, si edhe kryeministri paguan 10 përqind, por kryeministri paguan pesë herë më shumë se mësuesi, sepse rroga e kryeministrit është 4.5 rroga mësuesi. Pra, është spekulim të thuash se paguajnë njëlloj.
Së dyti, vërtetë taksa e sheshtë është 10 përqind. Më lejoni ta ilustroj me një shembull dhe po marr si referencë pagën e edukatores së kopshtit, e cila më parë kishte një pagë 200 mijë lekë dhe paguante një taksë 5 përqind, pra, gjithsej 10 mijë lekë. Sot, edukatorja merr 480 mijë lekë dhe paguan 48 mijë lekë taksë dhe i mbeten 430 mijë lekë. Atëherë cila është më e drejtë, kur paguante 10 mijë lekë taksë e merrte 200 mijë lekë rrogë, apo tani kur paguan taksë 48 mijë lekë dhe merr 430 mijë lekë? Sigurisht që është e dyta dhe nuk ka mësues që do të donte ta ndërronte.
Ky sistem, ndër të tjera, synon të nxisë biznesin e punësimin, ky sistem synon të shmangë evazionin. Sot perëndimi është në kohë krize dhe sot katedrat e universiteteve kanë kryer studimet më të shkëlqyera për krizën, borxhin dhe taksat. Grupet e Harvardit dhe grupe të tjera deklarojnë se taksa e sheshtë është taksa që i afrohet taksës ideale më shumë se çdo taksë tjetër. Për t’ju bindur se nga vjen taksa progresive, po citoj pikën e dytë të Manifestit të Karl Marksit. Pika e parë e Manifestit thotë: në vendet e zhvilluara duhet të aplikohet heqja e pronësisë mbi tokën. Pika e dytë: taksë e rëndë progresive. Me këto taksa, do ndërtojnë Shqipërinë?! I ka mbetur mendja tek daja i vet.