E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projektet e reja që do të zbatohen në komunat dhe bashkitë e vendit, një hap i madh, i rëndësishëm, për një infrastrukturë moderne në Shqipëri

-          Fondet  e  shpërndara për rajonet, mundësojnë të realizohen, në bashkitë dhe komunat e vendit   rreth 380 projekte, të cilat përfshijnë rrugë dytësore, fshatrash dhe komunash, lagjesh dhe qytetesh, shkolla, kanalizime dhe ujësjellës

Nën drejtimin e kryeministri Berisha u zhvillua sot, mbledhja e Komitetit të Zhvillimit të rajoneve, e cila finalizoi shpërndarjen e grantit të fondit të rajoneve, pas diskutimeve të gjera që janë bërë me autoritetet vendore.

Duke marrë fjalën, Kryeministri u shpreh se ky grant bën të mundur të hapen në mbarë vendin, në bashkitë dhe komunat e tij rreth 380 projekte, të cilat përfshijnë, rrugë dytësore fshatrash dhe komunash, lagjesh dhe qytetesh, shkolla, kanalizime dhe ujësjellësa. Kryeministri theksoi se këto janë projekte, me të cilat hidhet një hap tjetër i madh, për një infrastrukturë moderne në Shqipëri.

Kryeministri  tha se shpërndarja e këtyre fondeve është bërë mbi bazën e kritereve të reja, të drejta dhe të ndershme, të cilat janë shpallur publikisht. “Për arsye të mirëkuptueshme qeveria ka përparësuar gjatë viteve që shkuan, rrethe të tëra dhe kjo ka qenë e pashmangshme. Nuk mund të mos përparësohej ultësira bregdetare në infrastrukturën e saj, pasi dihej se pa një infrastrukturë të pranueshme dhe moderne , potenciali turistik i vendit nuk mund të zhvillohej. Në shpërndarjen  e këtyre fondeve, këtë vit është marrë parasysh mesatarja e investimeve në katër vitet e shkuara dhe është bërë një përpjekje e madhe për të zhdukur pabarazinë.” tha kryeministri.

Kryeministri shprehu besimin se qeveritë vendore do ta vlerësojnë këtë hap, i cili është tërësisht neutral dhe i domosdoshëm.

Duke përgëzuar të gjitha bashkitë dhe komunat  e vendit, të cilat gjejnë projektet e tyre, në këtë shpërndarje, kryeministri garantoi të gjitha të tjerat që nuk janë përfshirë për shkak të përparësive, se nuk do të lihen pas dore, por do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh nga ky komitet, gjatë periudhës që vjen. “ Besoj që qeveritë vendore ta vlerësojnë këtë hap, edhe ata që kandidojnë edhe ata që nuk kandidojnë. Ky është një hap tërësisht neutral, sikundër është i domosdoshëm. Janë bërë të gjitha përllogaritjet ndaj dhe duhet të përgëzoj të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, që gjejnë projektet e tyre në këtë shpërndarje, kryekëput transparente dhe ti garantoj ata, të cilët nuk janë përfshirë  dot, për shkaqe të përparësive dhe asgjë tjetër, se nuk do të injorohen, por ky komitet do ti shqyrtojë me seriozitetin më të madh gjatë periudhës që vjen.” u shpreh kryeministri.

Duke theksuar se nisja sa më shpejt nga puna për procedurat e prokurimeve, si një proces transparent, është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha ftoi opozitën të mos e politizojë këtë proces. “Uroj që të nisë sa më shpejt puna për procedurat e prokurimeve, një proces transparent, një proces në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ftoj opozitën të mos politizojë se për mua shumë absurd përpjekja e tyre për të politizuar amnistinë, e cila është kryekëput jopolitike.”

Më gjerësisht në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:

"Sot, në këtë mbledhje i japim fund, pas diskutimeve të gjera që janë bërë me autoritetet vendore, shpërndarjes së grantit të fondit të rajoneve, i cili bën të mundur të hapen në mbarë vendin, në bashkitë dhe komunat e tij rreth 380 projekte. Këto projekte përfshijnë rrugë dytësore, fshatrash dhe komunash, lagjesh dhe qytetesh, përfshijnë shkolla, kanalizime dhe ujësjellës, pra në tërësinë  e tyre këto janë projekte, me të cilat ne bëjmë një hap tjetër të madh, për një infrastrukturë moderne në Shqipëri.

Në shpërndarjen e këtij fondi, në një kohë kur transhin e tij të parë, ne me vendim të përbashkët e dedikuam për shlyerjen e të gjitha punimeve të bëra sipas një formule, ku fatmirësisht për transparencën që ka sjellë ka patur një unanimitet pothuajse total, nga autoritetet kontraktuese, të shumta, të qeverive vendore dhe kanë konstatuar se është bërë një disbursim vërtetë transparent, i bazuar në dokumentacionin që ata kanë sjellë, pra tani ne bëjmë shpërndarjen e projekteve të reja.

Këtë shpërndarje natyrisht e bëjmë mbi bazën e kritereve të reja. Këto kritere janë të shpallura publikisht dhe janë kritere të drejta dhe të ndershme. Për arsye të mirëkuptueshme qeveria ka përparësuar gjatë viteve që shkuan rrethe të tëra dhe kjo ka qenë e pashmangshme. Nuk mund të mos përparësohej ultësira bregdetare në infrastrukturën e saj, pasi dihej se pa një infrastrukturë të pranueshme dhe moderne, potenciali turistik i vendit nuk mund të zhvillohej. Nuk mund të mos përparësoheshin zonat me potencial të lartë prodhimi, pasi kapja e tregut nga ana e tyre përbënte një domosdoshmëri dhe një leverdi të madhe, jo vetëm për prodhuesit, por në tërësi për vendin. Të mos harrojmë se vitin e kaluar falë politikave të ndjekura, këtyre politikave është arritur të dyfishohet prodhimi. Eksporti i zarzavateve, një arritje shumë e madhe. Është arritur të nxitet, të rritet në progresion gjeometrik sipërfaqja  e serave të diellit,të përmasave të ndryshme.

Pra këto politika kanë qenë të drejta. Natyrisht askush nuk mund të mbetet i harruar dhe është ligji i një veprimtarie transparente, i një qeverisjeje të mirë   që përparëson ato, të cilat janë lënë për një shkak ose një tjetër, në plan të dytë. Pra, në shpërndarjen  e këtyre fondeve këtë vit është marrë parasysh mesatarja e investimeve në katër vitet e shkuara dhe është bërë një përpjekje e madhe për të zhdukur pabarazinë, gjithnjë është fjala për frymë.

 Në shpërndarjen e fondeve këtë vit , një peshë më të madhe ka marrë varfëria dhe kjo është e domosdoshme dhe këtu duhet të theksojmë se të dhënat tona janë të përafërta dhe jo të sakta. Këtë vit dhe vetëm këtë vit, Instituti i statistikës do të fillojë përllogaritjen në rajone të GDP, e cila në mënyrë të padiskutueshme do të jetë me diferenca të ndjeshme, të mëdha. Në studimin që i është bërë varfërisë nga BB, Ultësira bregdetare ka një ndër më të ultat që mund të ekzistojë, por mesatarja e vendit shkon dhe jo aq e ulët, shkon deri në 12 % sepse kemi dhe zona varfërie.

Natyrisht, në asnjë vend nuk ka një GDP direkt për rajonet. Edhe në vendet e zhvilluara, prodhimin e brendeshm e kanë me dallime, por politikat e qeverisë synojnë që këto dallime të shkojnë drejt ngushtimit dhe të mos ndikohet me politika, në zgjerimin dhe thellimin e tyre. Kështu që këtë ndarje që bëhet sot mendoj se me ndonjë korrigjim të vogël, të propozimeve që janë bërë ne përmbushim kriteret dhe japim mundësi të nisin punimet në 380 rrugë, ujësjellësa, shkolla, kanalizime, pra projekte të reja të cilat do të ndryshojnë në mënyrë thelbësore infrastrukturën në bashki dhe komuna , do të punësojnë një numër të madh njerëzish dhe do të ndikojnë pozitivisht në furnizimin me ujë, në shkollimin, do të ndikojnë pozitivisht në daljen në treg të prodhimeve, etj.

Besoj që qeveritë vendore ta vlerësojnë këtë hap, edhe ata që kandidojnë edhe ata që nuk kandidojnë. Ky është një hap tërësisht neutral, sikundër është i domosdoshëm. Janë bërë të gjitha përllogaritjet ndaj dhe duhet të përgëzoj të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, që gjejnë projektet e tyre në këtë shpërndarje, kryekëput transparente dhe ti garantoj ata, të cilët nuk janë përfshirë  dot, për shkaqe të përparësive dhe asgjëje tjetër, se nuk do të injorohen, por ky komitet do ti shqyrtojë me seriozitetin më të madh, gjatë periudhës që vjen.

Uroj që të nisë sa më shpejt puna, për procedurat e prokurimeve, një proces transparent, një proces në interesin më të mirë, të qytetarëve shqiptarë. Ftoj opozitën të mos politizojë se për mua ishte shumë absurde përpjekja e tyre për të politizuar amnistinë , e cila është kryekëput jopolitike.

Unë prisja  një entuziazëm nga opozita. Realisht mund të ishte ajo iniciatore  e saj, pasi ajo është konsultuar më parë, grupet e interesit janë konsultuar, ministri Bode ka bërë takime vjeshtën që shkoi dhe ishte anoncuar, megjithatë shpresoj se do ta shqyrtojnë sërish me objektivitet, qëndrimin ndaj amnistisë fiskale.

I siguroj se në rast se do të ishin ata, iniciatorë të saj , qeveria nuk do ta kishte refuzuar, por në rregullin e pluralizmit eshtë që qeveria nuk i dikton iniciativat opozitës, sikundër është e lirë, ka tagër të ndërmarrë iniciativat  e veta. Sidoqoftë, një ligj që votohet bashkërisht ka firmën e secilës palë, ka firmën e të gjithë deputetëve, ndaj dhe njëherë dua të shfrytëzoj këtë takim dhe ti bëj thirrje që me rastin e 22 marsit, një dite të shënuar për të gjithë shqiptarët, ditë të cilët shqiptarët me votën e lirë u ndanë nga një regjim, nga i cili vuajtën më shumë se të gjitha kombet e Evropës, nga regjimet komuniste, të arrijnë në një vendim të përbashkët, ta votojnë atë ligj.

E garantoj opozitën se amendamentet e saj do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh dhe besoj se nuk duhet të bëhet kurrsesi një objekt kundërshtirash në parlament, sikundër duke ditur se qeveria nuk mund të përcaktojë qëndrimet  e opozitës ne do të përgatitemi edhe për skenarin B, faljen.

Natyrisht, falje nuk mund të ketë spektrin që ka amnistia, por ne do të dëshironim që të gjithë forcat politike në parlament të ishin dakord që ky akt fisnik, sepse gjithnjë amnistitë janë të bazuara në virtytin e fisnikërisë, plotësisht i merituar për biznesin shqiptar, e meriton biznesi si gjenerator kryesor i mirëqenies, prosperitetit, i atyre që kemi arritur deri më sot, të mos bëhet një problem kundërshtie të pamerituar.”


11/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›