E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shpreh solidaritetin ndaj kombit japonez dhe qeverisë japoneze, në një moment tragjedie të rëndë natyrore që goditi Japoninë

Kryeministri Berisha, në emër të qeverisë shqiptare shprehu sot, ndjenjat e solidaritetit, ndaj kombit japonez dhe qeverisë japoneze, në një moment tragjedie të rëndë natyrore, e cila u shkaktua nga tsunami dhe tërmeti i fortë që goditi këtë vend.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të zhvillimit të Rajoneve, kryeministri Berisha u shpreh me këto fjalë për  fatkeqësinë natyrore që ndodhi në Japoni:

“Le të shprehim ndjenjat më të thella të solidaritetit, të simpatisë, me kombin e madh japonez, perandorit, madhërisë së tij Akihito, kryeministrit Kan, në një moment tragjedie të madhe natyrore. Ky komb përballet sot, me një nga fatkeqësitë më të mëdha  natyrore, në historinë  e Japonisë.

Tsunami me dallgë me një lartësi prej 10 metrash dhe një tërmet  prej 8.9 shkallësh ka goditur Japoninë  me rezonim të fuqishëm në të gjithë brigjet e Pacifikut, duke shkaktuar shkatërrime të paimagjinueshme dhe humbje jetësh akoma të pallogaritshme.

Le të shprehim ne, solidaritetin më të madh, me qeverinë e Japonisë. Le të lutemi që të jetë sa më i vogël numri i papërcaktuar i viktimave, pasi dallga 10 metërshe e lartë e ujit të oqeanit Pacific ka rrafshuar gjithçka që ka gjetur përpara, po kështu edhe tërmeti. Tsunami ka goditur prefekturën  e Miagit dhe qytetin e  Cendai , kurse tërmeti është në afërsi të Tokios.”


11/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›