Kryeministri Berisha: Projektet në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit janë një histori suksesi e paprecedentë në 20 vitet e fundit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë festive të organizuar për suksesin e Programit të Pragut të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, z. Aleksandër Arvizu, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit, z.Genc Pollo, Drejtori i USAID në Shqipëri z. Joseph Williams, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, zoti Eugen Wolfarth, përfaqësues të institucioneve kushtetuese të vendit, ministra të kabinetit qeveritar, etj.
Kryeministri Berisha vlerësoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në kuadër të projekteve të Pragut të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ka qenë një histori suksesi e paprecedentë në këto 20 vite të fundit, histori e cila ndikoi në mënyrën më thelbësore në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimet ekonomike të vendit.
Kryeministri i shprehu mirënjohjen e thellë Ambasadorit Arvizu dhe qeverisë së SHBA-ve, për këtë bashkëpunim të shkëlqyer dhe përmendi një sërë projektesh të realizuara me sukses në këtë drejtim, si regjistri elektronik i biznesit, prokurimet elektronike, taksat elektronike, Administrata tatimore, Task-Force në luftën kundër korrupsionit, etj.
Ekonomia shqiptare, theksoi Kryeministri, pa këto projekte nuk do të ishte absolutisht kjo që është sot.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu dëshirën dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për të vazhduar këtë partneritet dhe udhëtim me USAID dhe qeverinë amerikane, pasi janë edhe një seri projektesh të tjera jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, Kryeministri iu referuar pjesëmarrjes së tij në Samitin e organizuar nga Presidenti Obama dhe nga zonja Dilma Rousseff, Presidente e Brazilit, në nismën “Partneritet për qeveri të hapur”. Një nga kushtet më themelore të kësaj nisme është publikimi i të gjitha shpenzimeve çdo ditë on-line, në mënyrë që taksapaguesit të shohin se ku shkojnë paratë e tyre. Kryeministri informoi se i ka kërkuar ministrit Bode që të marrë kontakte me USAID dhe të gjenden mundësitë e bashkëpunimit që kjo nismë të realizohet sa më shpejt edhe në vendin tonë, pasi baza ligjore për këtë gjë ekziston.
Kryeministri ftoi sërish opozitën që të lenë mënjanë kundërshtitë dhe të dy palët të punojnë në pikat ku bashkohen. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi nismën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, për të cilën theksoi se mazhoranca në parlament është e gatshme të votojë secilin opsion të ofruar në këtë aspekt, të mbështetura edhe nga ekspertët ndërkombëtarë. “Le të heqim dorë nga kushtet për hequr imunitetin tonë, por le të heqim imunitetin sa më shpejt, si dëshmi të përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atij parimi të madh që është barazia para ligjit. Ndaj, në këtë fushë, besoj se nëse i lëmë kondicionalitetet, ne mund të japim frytet e para të një bashkëpunimi me një interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, pasi lufta kundër korrupsionit është kushti themelor për zbatimin e reformave dhe suksesin e tyre”, tha Kryeministri Berisha.
Programet e pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) (programi I dhe II), kanë asistuar vitet e fundit qeverinë shqiptare për të ndërmarrë një sërë reformash me ndikim të madh, që kanë synuar ndër të tjera, reduktimin e korrupsionit dhe informalitetit, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Projekti i parë i Shqipërisë, Pragu i Sfidës së Mijëvjeçarit (2006-2008) përbënte një marrëveshje me vlerë 13.850.000 USD ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të administruar nga USAID. Ky projekt ndihmoi qeverinë shqiptare në zbatimin e një sërë reformash me ndikim të lartë me synim reduktimin e korrupsionit dhe të informalitetit si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri në fusha si; Administrata Tatimore, Prokurimit Publik, Regjistrimi i bizneseve.
Projekti i dytë i Shqipërisë, Pragu i Sfidës së Mijëvjeçarit (2009-2011) me vlerë 15.700.000 USD, ishte në vijim të reformave në fusha si; Licencimi i biznesit, Administrata Tatimore, Planifikimi Kombëtar i Territorit, Njësitë e Përbashkëta të Hetimit (zbatuar nga Zyra e Asistencës për Trajnim dhe Zhvillim të Prokurorisë OPDAT), Gjykata Administrative.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra
Zoti Ambasador Arvizu
Zoti Williams, Drejtor i USAID në Shqipëri
Zoti Ambasador i OSBE Wolfarth
Të nderuar drejtues të institucioneve kushtetuese të vendit
Të nderuar të pranishëm!
Sot ne festojmë së bashku një histori suksesi të paprecedentë në këto 20 vite të fundit, histori e cila ndikoi në mënyrën më thelbësore në jetën e qytetarëve shqiptarë, suksesin e projekteve në kuadrin e Programit të Pragut të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri, të zbatuar me kompetencë të madhe nga USAID dhe nga kompani të kontraktuara nga USAID dhe qeveria shqiptare.
E them këtë sepse, këto 20 vite, vende mike, institucione ndërkombëtare, i kanë dhënë Shqipërisë miliarda dollarë, SHBA rreth 1 miliardë, Banka Botërore, Komisioni Evropian akoma më shumë, por në të gjitha këto fonde, nuk mund të gjesh 30 milionë dollarë që të jenë shumëfishuar në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, jo 10 herë, por 100 herë dhe më shumë.
Ndaj dhe unë dua të shpreh këtu mirënjohjen e thellë Ambasadorit Arvizu dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për këtë ndihmë jashtëzakonisht të rëndësishme. Mirënjohja ime shkon tek Ambasadorja Marsi Ries, pioniere e këtij bashkëpunimi dhe ambasadori Daniloviç, drejtues asokohe i Sfidës së Mijëvjeçarit, te zoti Williams, por edhe tek pararendësit tuaj, të cilët të gjithë së bashku, me kaq kompetencë, me kaq dashuri, me kaq përkushtim me ekipet tuaja, i bëtë të mundura këto projekte që ndryshuan në mënyrë thelbësore jetën dhe zhvillimet ekonomike në këtë vend.
Ideja kryesore e fondit te Pragut të Mijëvjeçarit ishte lufta kundër korrupsionit dhe ne në atë periudhë ramë dakord që i gjithë ky fond të adresohej në ato fusha ku korrupsioni krijonte dhe problemet më të mëdha. Sot ne jemi këtu mirënjohës ndaj të gjithë atyre që i bënë të mundur ato projekte.
Shqipëria, në projektin e Regjistrimit të biznesit, vjen sot e 9-ta në botë për procedurën e regjistrimit të biznesit. Nga 4 mijë euro dhe 42 ditë që duheshin për të regjistruar një biznes, sot e rregjistron atë brenda gjysmë ore dhe vetëm një euro. Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme.
Shqipëria, në projektin tjetër të prokurimeve elektronike, nga një vend që 70 për qind të prokurimeve i kishte direkte, pothuajse pa procedurë, u shndërrua në vendin e parë në botë me prokurime 100 për qind elektronike. Këtu në këtë sallë, ne vijmë me suksesin e vërtetë i cili i përkthyer në vlera, së bashku me procedura të tjera të prokurimit, ka realizuar uljen me 27 për qind të kostos së prokurimeve në Shqipëri. Ka bërë që Shqipëria, pas certifikimit që iu bë këtij sistemi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, të marrë çmimin e dytë për Shërbimin Civil, për transparencën, kjo para së gjithash për procedurën dhe vullnetin e hekurt politik për të zbatuar këtë procedurë. Ky program bëri të mundur këtë projekt.
Taksat, të cilat ishin një moçal i vërtetë korrupsioni, ku sipas BB-së 1.4 miliardë dollarë përfundonin nëpër xhepat dhe kontot e zyrtarëve nga këto taksa, njohën një modernizim të shpejtë dhe shumë të suksesshëm. Ne nuk përfituam dot disa qindra milionë dollarë për të cilat kishim nevojë, në kuadrin e kompaktit. Por e vërteta është se edhe këtu ne fituam edhe këtu dhjetë herë më shumë, sepse ne, në sajë të këtyre projekteve, ia dolëm që në katër vite të mbledhim nga taksapaguesit shqiptar 5.2 miliardë dollarë më shumë, ndonëse bëmë dhe uljen më të madhe të taksave në Evropë. Ndaj këto projekte nuk i kanë ndier vetëm biznesmenët, vetëm zyrtarët, këto i kanë ndier shqiptarët në të katër anët e vendit që shohin se paratë publike po shndërrohen në infrastrukturë, po i nxjerrin ata nga infrastruktura mesjetare që kishin dhe po u japin atyre infrastrukturën që meritojnë, rrugë të reja. Janë asfaltuar mbi 9 mijë km rrugë jashtë çdo lloj parashikimi optimist. Ko u bë e mundur nga këto 5.2 miliardë dollarë që u mblodhën më tepër. Sot 98 për qind e shqiptarëve marrin ujë të rrjedhshëm, jo 24 orë ujë, por ama marrin ujë të rrjedhshëm. Kjo u bë e mundur nga këto projekte.
Në këtë kuadër, u vendos Task Force e luftës kundër korrupsionit , e kryesuar nga Prokuroria dhe e përbërë nga përfaqësues të SHISH, të Tatimeve, Taksave, të Policisë kriminale. U hap një kapitull i ri në luftën kundër korrupsionit dhe qindra zyrtarë janë përballur dhe po përballen me ligjin për abuzime dhe korrupsion.
Ekonomia shqiptare, pa këto projekte nuk do të ishte absolutisht kjo që është sot. Dy vitet e fundit Shqipëria ka marrë më shumë se 2 miliardë dollarë investime. Vitin e kaluar ka marrë 1 miliardë e 97 milionë dollarë. Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon në të cilin u rritën investimet. Në tërësi ato ranë në mbarë botën. Në Shqipëri, nga 2006 deri në 2010, ato janë rritur me 316 për qind. Kjo rritje është paralel me trefishimin e eksporteve, të cilat pritet që gjatë këtij viti të jenë të trefishuara krahasuar me 2006.
Këto projekte janë projekte që ndryshuan kohën. Por, zoti Ambasador Arvizu, në këtë sistem, reformat janë “perpetum mobile”, që do të thotë: nga ndryshimi vijmë e drejt ndryshimit duhet të shkojmë. Ndaj shpreh mirënjohjen time për këtë ndihmë të jashtëzakonshme, por edhe dëshirë time që këtë udhëtim ta vazhdojmë. Janë një seri projektesh të tjera jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Unë sapo kthehem nga një Samit i organizuar nga Presidenti Obama dhe nga zonja Dilma Rousseff, Presidente e Brazilit, për nismën e tyre “Partneritet për qeveri të hapur”. Një nga kushtet më themelore është publikimi i të gjitha shpenzimeve çdo ditë on-line, në mënyrë që taksapaguesit të shohin se ku shkojnë paratë e tyre. Sapo u ktheva prej andej, unë i kërkova z. Bode që të marrë kontakte menjëherë me mikun tonë, partnerin tonë USAID që, në kuadër të kësaj nisme, edhe ne të fillojmë punën e ta bëjmë sa më shpejt realitet këtë. Baza ligjore ekziston për këtë gjë.
Sikundër, jam këtu sërish për të ftuar opozitën që të lemë mënjanë kundërshtitë dhe të punojmë aty ku bashkohemi. Është normale që mes qeverisë dhe opozitës, ka, do të ketë dhe duhet të ketë kundërshti, ka, do të ketë dhe duhet të ketë opsione të ndryshme. Unë u ndjeva mirë sepse, në një seminar, krahas opsionit për të hequr imunitetin me ligj organik, të sugjeruar nga Komisioni i Venecias, u mbështet nga ekspertë ndërkombëtar edhe opsioni për ndryshimin e Kushtetutës. Unë garantoj opozitën se jam i gatshëm për secilin nga këto dy variante. Le të heqim dorë nga kushtet për të hequr imunitetin tonë, por le të heqim imunitetin sa më shpejt, si dëshmi të përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atij parimi të madh që është barazia para ligjit. Ndaj, në këtë fushë, besoj se nëse i lëmë kondicionalitetet, ne mund të japim frytet e para të një bashkëpunimi me një interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Lufta kundër korrupsionit është kushti themelor për zbatimin e reformave dhe suksesin e tyre. Në mënyrë absolute, kurrë ndonjëherë kjo luftë nuk mund të pushojë dhe nuk mund të ketë asnjë moment që të gjendesh i qetë. Unë nuk jam aspak fatalist, por qenia njerëzore ka genet e babëzisë, ndaj dhe duhet mbrojtur që të mos kalojë në afera korruptive. Ajo mbrohet nëpërmjet procedurave, mbrohet nëpërmjet ligjeve, mbrohet mbi të gjitha nëpërmjet transparencës, mbrohet nëpërmjet ndëshkimit.
Ndaj shpresoj që kjo ngjarje e madhe të na frymëzojë për të marrë dhe këtë vendim shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të shënojmë një stad të ri në luftën kundër korrupsionit. Edhe njëherë shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj me shumë mirënjohje, por edhe t’ju ftoj dhe të kërkoj që ta vazhdojmë këtë udhëtim, këtë betejë, për modernizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve shqiptare, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, kundër korrupsionit. Ky është shërbimi më i madh që u bëjmë atyre. Faleminderit”
21/10/2011