E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projekti për kaskadën e Devollit një hap i rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjetike të rajonit

-          Në prani të Kryeministrit Berisha, nënshkruhet Marrëveshja e koncensionit të formës BOT mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kompanive EVN AG, Austria dhe STATKRAFT AS, Norvegji për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë lumit Devoll.

-          Përfaqësuesit e kompanive u shprehën se projekti për kaskadës e lumit Devoll është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Europë në fushën e hidroenergjisë.

Sot, në prani të Kryeministrit Sali Berisha u zhvillua, në mjediset e hotel Sheraton, ceremonia e firmosjes së Marrëveshjes së koncensionit të formës BOT mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kompanive EVN AG, Austria dhe STATKRAFT AS, Norvegji për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë lumit Devoll. Zbatimi i këtij projekti në tërësinë e tij ka avantazhin e madh të optimizimit të plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tre hidrocentraleve të planifikuar, me parametra:

§  Kapaciteti:                             320 MW

§  Tunele:                                  62 km

§  Investime:                             rreth 1 miliard Euro

§  Përfitimi:                               rreth 1 miliard Euro

Marrëveshja e koncesionit u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe nga përfaqësuesit e dy kompanive EVN dhe STATKRAFT.

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur firmosjen me sukses të kontratës me dy ndër kompanitë më të mëdha në Europë për energjinë, e cilësoi  projektin për kaskadën e Devollit një ndër më të mëdha në historinë e vendit dhe kurorëzim i politikës së ndjekur nga qeveria për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja.

“Këtë kontratë, ne e firmosim me dy kompani ndër më të njohurat në Europë për energjinë, EVN, kompani kryesore në Austri dhe STATKRAFT, kompani kryesore në Norvegji. Kjo përbën një ngjarje për Shqipërinë, përbën kurorëzimin me sukses të një politike, e cila ka synuar dhe synon të shndërrojë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, përbën kurorëzimin me sukses të një pune të shkëlqyer që kompanitë EVN dhe STATKRAFT bënë në studimin e Kaskadës së Devollit.”

Përfaqësuesit e dy kompanive, Burkhard Hofer, Drejtor Ekzekutiv i EVN-së dhe Ragnvald Naero, Zëvendëspresident Ekzekutiv i STATKRAFT, duke falënderuar qeverinë shqiptare për realizimin me sukses të kësaj kontrate,  u shprehën se projekti për kaskadës e lumit Devoll është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Europë në fushën e hidroenergjisë. Ata u shpreh në se kishin një besim shumë të madh te Shqipëria, që gjatë këtyre viteve ka arritur shumë dhe ka zhvilluar një mjedis të mirë për biznesin.

Kryeministri Berisha e konsideroi projektin për kaskadën e Devollit një nga hapat e rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël energjetike të rajonit.

“Në ndërtimin e saj, - theksoi Kryeministri - ujërat e Devollit që në shekuj e mijëvjeçarë ka sjellë shumë më tepër përmbytje se vaditje dhe janë derdhur të pavlerë në dete, valorizohen dhe i parashikuar tërësisht për energji piku, ato fitojnë vlerën më të madhe të mundshme. Ky është vizioni im për potencialet e mëdha energjetike të vendit dhe unë jam i vendosur të bëj çdo përpjekje që Shqipëria të shndërrohet në një vend të tillë. Kjo vepër për pozicionin që ka afër me kryeqytetin dhe qytetet e tjera të mëdha të vendit, merr një rëndësi të veçantë dhe shndërrohet në një faktor madhor të stabilitetit të furnizimi me energji, por gjithashtu edhe në një eksportues të rëndësishëm në kohë piku të energjisë.”

Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vepër e madhe, në ndërtimin  së cilës do të angazhohen mbi 5 mijë punëtorë direkt në frontin e punës dhe 2500 të tjerë ndihmës, është një kryevepër e ndërtimit në gjininë e vet, pasi parashikon 62 kilometra tunele.

Kryeministri theksoi se koncesioni me dy këto kompani, me eksperiencë të madhe në ndërtimin, menaxhimin dhe mbrojtjen e mjedisit në fushën energjetike, përbën garanci të madhe që ky projekt të jetë shumë i suksesshëm në të gjitha fushat, miqësor ndaj ambientit dhe i bazuar në tunele, ai nuk është më projekt dekadash, por shekujsh, sepse ka teknologjinë më të mirë për t’i shpëtuar potencialet nga ezaurimet e sedimenteve.

Kryeministri Berisha tha se nga ky projekt përfitimi i Shqipërisë do të jetë edhe disa miliardë të tjerë, për shkak të grishjes së investitorëve, nga lajmi i një projekti që bazohet në 62 kilometra tunele dhe nga dy kompanitë më të mira të Europës në fushën e energjisë.  

Ministri Ruli u shpreh se pas kontratës të nënshkruar nga qeveria shqiptare me kompaninë Verbund [për hidrocentralin e Ashtës], të tjerë investitorë hynë në tregun elektroenergjetik shqiptar dhe kjo është shprehje e qartë e politikës së qeverisë që ka synuar në vazhdimësi tërheqjen e vëmendjes së investitorëve vendas e të huaj për ta parë Shqipërinë jo më si një vend me risk të lartë investimi, por si një vend me burime natyrore të shumta ende të pashfrytëzuara, si vendin e duhur për të bërë biznes.

 
19/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›