E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në ceremoninë inaguruese të betimit të Presidentit të 44 të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli mori pjesë në ceremoninë inaguruese të betimit të Presidentit të 44 të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës, Barac Obama, në Uashington DC.   Për këtë ceremoni po punohej prej muajsh nga një komisionin i përbashkët kongresmenësh dhe senatorësh drejtuar nga Dianne Feinstein.   Ky komision bëri kujdes për çdo detaj të kësaj ceremonie, por mbi të gjitha mori masa për të realizuar dëshirën e madhe të presidentit Obama që kjo të ishte ceremonia e të gjithë amerikanëve.   Të gjithë atyre amerikanëve që mbështetën gjatë fushatës elektorale, që i besuan ndryshimit dhe që besuan në sloganin e famshëm Po ne mundemi.   Mbi dy milion amerikanë morën pjesë në këtë ceremoni duke ardhur nga të gjitha shtetet e këtij vendi të madh, duke shënuar kështu një numër rekord pjesëmarrësish.
Pavarësisht nga moti i ftohtë ata shkuan në sheshin para Capitol Hill shumë orë përpara nisjes së ceremonisë.   Kryetarja e Kuvendit mori pjesë edhe në njërën prej ceremonive festive  me rastin e betimit të presidentit të ri Obama, organizuar në Muzeun Amerikan të Artit Smithsonian.   Kryetarja, Jozefina Topalli do të jetë pjesëmarrëse edhe në konferencën ku do të diskutohet mbi prioritetet dhe sfidat e 100 ditëve të para të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barac Obama.   Duke folur mbi ceremoninë dhe fjalimin e Presidentit të ri të SHBA-së, Kryetarja e Kuvendit u shpreh:   "Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme, për të cilën është e vështirë të gjesh fjalë për ta përshkruar. Unë ndihem shumë e nderuar që pata mundësi të marr pjesë në këtë ceremoni për ta ndjekur nga afër, vetëm pak metra larg foltores qëndrore. Ishte kënaqësi të shihja pjesëtarët e Senatit dhe Kongresit si edhe kryetaren e tij, të pranishëm në këtë ceremoni. Ishte kënaqësi e veçantë të ndiqja nga afër  fjalimin e presidentit të ri Obama i cili ndiqej nga mbi 2 milion amerikanë, një fjalim i cili konsiderohet më i rëndësishmi i çdo presidenti.
Ishte një ceremoni e organizuar në mënyrë të tillë, që bënte pjesë të saj të gjithë qytetarët e këtij kombi të madh.
Njerëzit kishin ardhur të shumtë nga të gjitha shtetet e këtij vendi dhe kanë një pritshmëri të jashtëzakonshme në kohë sfidash të mëdha. Presidenti do përballet me sfidën dhe zgjidhjen e problemeve të tregjeve financiare, me problemet e humbjes së punës apo të shtëpive të qytetarëve amerikanë.
Mëgjithatë në fjalimin e tij Obama u ndal në ato që janë sfida  kryesore të këtij fillim shekulli të ri; ai flet për punën që do të bëjë për më shumë paqe në botë, për punën që do të bëjë për të rimëkëmbur dhe për të bërë edhe një herë lidere ekonominë amerikane , ai flet për shpresën dhe për fuqinë e madhe që kjo shpresë ka tek ata që e kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre muajve dhe që kanë investuar tek presidenti i ri Obama pritshmëritë  e tyre më të mëdha.   Është një ndër fjalimet  më të jashtëzakonshme, më inspiruese dhe një ceremoni padyshim ndoshta më e madhja në historinë e këtyre ceremonive presidenciale, zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme.
U ndjeva mirë në këtë ceremoni që përbënte momentin kulmor, por jam ndjerë mirë edhe në ceremonitë festive që janë zhvilluar një ditë përpara dhe po  zhvillohen këto ditë nga stafi dhe mbështetësit kryesor të Pesidentit të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu e konsideroj si shumë të rëndësishme edhe konferencën që do të zhvillohet për atë që do të jetë perspektiva në 100 ditët e ardhshme në mënyrë  të veçantë për sfidën ekonomike, edhe në kaudër global, të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".      
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›