E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Prokurimi i plotë elektronik, proçes i rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe reduktimin e korrupsionit

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri  Berisha cilësoi si shumë të rëndësishëm vendimin për kalimin në prokurimin e plotë elektronik. Zbatimi i projektit të financuar nga USAID u bë i mundur në kuadrin e pragut të Llogarisë së Mijëvjeçarit.

Kryeministri nënvizoi se ky projekt së bashku me projektin e regjistrimit të bizneseve, i cili do të shtrihet së shpejti në 18 rrethe të vendit, do ti japë fund njëherë e mirë  korrupsionit në fusha të ndryshme.

Kryeministri u shpreh se prokurimi elektronik, i cili si një proces me etapa, do të reduktojë maksimalisht korrupsionin, duke siguruar kështu një transparence më të madhe.

Kryeministri theksoi se faza e parë e zbatimit të projektit solli një ndihmesë shumë të madhe, pasi nëpërmjet tërheqjes së dokumentave në internet, u hoqi mundësinë të korruptuarve,  që me qëndrimet e tyre antiligjore, tu mohonin të drejtën e aplikimit kompanive të ndryshme.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Sot, ne marrim një vendim tjetër të rëndësishëm, që ndan dy epoka, epokën dixhitale me epokën e defterit. Vendimi për prokurimin e plotë elektronik ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Në kuadrin e pragut të Llogarisë së Mijëvjecarit një nga projektet bazë, krahas “One stop Shop”, që u inagurua më 10 Shtator,  ka qenë prokurimi elektronik. Prokurimi elektronik i cili filloi si proces me etapa dhe që tani ka përfunduar plotësisht, do të japë në mënyrë të sigurtë, për shkak të integritetit të procesit, një transparencë të madhe dhe zvogëlim maksimal të korrupsionit. Në fazën e parë u krijua mundësia e tërheqjes së dokumentave nga faqja e internetit të Agjencisë së prokurimeve publike dhe kjo ka dhënë një ndihmëse shumë të madhe me uljen e korrupsionit në këtë proces, sepse të korruptuarit me mekanizmat e tyre, për ti dhënë tenderin atij që donin, me nje qëndrim haptas antiligjor iu mohonin të drejtën e tërheqjes së dokumentave kompanive të tjera. Nuk mund të them se ishte nje veprim masiv, por ndodhte dhe ne konstatuam se kjo ishte përgjegjëse për 25 deri në 30 % të rasteve të korrupsionit. Me krijimin e mundësisë së tërheqjes së dokumentacionit nga faqja e internetit të APP, ky mekanizëm në fakt u zhvlerësua. Të gjitha kompanitë ka mbi 7 muaj që i tërheqin pa asnjë lloj vështirësie të gjitha dokumentat në sitin e internetit të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Tashmë, prokurimi në Republikën e Shqipërisë do të jetë tërësisht elektronik dhe vlerësuesit, ofertuesit kontratorë nuk do të mund të njohin më njëri-tjetrin dhe ky është një ndryshim epokal për çështjen e prokurimeve publike dhe luftën kundër korrupsionit. Ky projekt, sikundër projekti i parë i regjistrimit të biznesit, i cili do të shtrihet së shpejti në 18  rrethe, do ti  japë fund njëherë e mirë korrupsionit të fusha të ndryshme.

Në moshën dixhitale erdhën edhe pranimet në universitete dhe kjo solli përjashtimin tërësisht të korrupsionit nga ky proces. Mund të kem patur dëshirë të ndihmoj të rinj e të reja, por në mënyrë absolute nuk kam patur asnjë mundësi dhe ata nuk kanë mbetur zemërthyer sepse unë u kam dhënë një përgjigje. Të dhënat kompjuterike mbi bazën e kritereve nuk njohin gjë tjetër, përveçse pikëve  që  shpërndahen në universitete."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›