Gjermania ka qenë dhe do të jetë partnere e sigurt për Shqipërinë
Kryeministri Berisha përshëndeti me përzemërsi, sot gjatë një takimi, Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z. Gernot Erler, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri, në kuadër të "Tetorit gjerman" dhe 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimin e frytshëm e të ngushtë që karakterizon marrëdhëniet midis dy qeverive dhe dy vendeve tona.
Kryeministri Berisha shtoi se Shqipëria ka patur privilegjin të jetë vendi që ka marrrë ndihmën më të madhe financiare nga Gjermani, për numër popullsie. Ndihma e Gjermanisë ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e çmuar në zbatimin e mjaft projekteve në fusha të ndryshme, si në zhvillimin e infrastrukturës, energjisë, furnizimit me ujë të pijshëm, edukimit, në fushën e mbrojtjes, etj
Kryeministri Berisha falënderoi Ministrin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që ka treguar Gjermania për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë dhe institucioneve të saj në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Kryeministri e njohu Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z. Gernot Erler , me reformat dhe nismat e ndërmarra nga qeveria në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Ai theksoi se dy projektet më parësorë të qeverisë janë integrimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Europian dhe në këtë proces janë bërë përparime të mëdha e të rëndësishme.
Kryeministri theksoi se demokracia shqiptare është e re, por funksionale.
Nga ana e tij, Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z. Gernot Erler, shprehu vlerësim të plotë për zhvillimet pozitive në Shqipëri, duke theksuar se ndihej mjaft i impresionuar nga ndryshimet rrënjësore në vend. Ai veçanërisht vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria, veçanërisht ato në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen dhe ndihmën e shtetit gjerman për Shqipërinë.
Ministri e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z. Gernot Erler, siguroi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Ai gjithashtu u shpreh se procesi i ratifikimit te MSA nga Gjermania do të përfundojë shumë shpejt.
Zoti Gernot Erler vlerësoi lart rolin konstruktiv dhe kontributin e Shqipërisë në çështjen e Kosovës, por edhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
“Gjermania ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë partnere shumë e rëndësishme dhe e ngushtë e Shqipërisë në zbatimin dhe eficencen e reformave, në procesin e integrimit në NATO dhe BE si dhe nëzhvillimin ekonomik e politik të saj.”-shtoi Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z. Gernot Erler.