Kryeministri Berisha: Dhënia me koncesion e shërbimeve publike, sektorit privat, rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimeve
Kryeministri Berisha veçoi në mbledhjen e sotme vendimin për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve rrugore dhe përcaktimin e autoritetit kontratues. Kryeministri u shpreh se miratimi i këtij vendimi përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm, pasi bën të mundur rritjen e shkallës së përgjegjsisë, përmirësimin e cilësisë dhe të standardit të shërbimeve.
Kryeministri kërkoi nga ministritë hartimin e projektvendimeve të cilat mundësojnë dhënien me koncesion të shërbimeve publike, sektorit privat, në mënyrë që këto shërbime të përmirësohen në të ardhmen.
Duke folur për këtë vendim, ndër të tjera, kryeministri tha:
“Në serinë e vendimeve dhe projektligjeve që do të diskutojmë sot, do të vlerësoja më të rëndësishmin vendimin për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve rrugore dhe përcaktimin e autoritetit kontratues.
Ky vendim përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm, një shërbim jashtëzakonisht voluminoz dhe me përgjegjësi të mëdha në të gjitha aspektet, siç është shërbimi i kontrollit të detyrueshëm të automjeteve, i cili do ti jepet me koncesion kompanive të mëdha të kësaj fushe, të cilat do të tregojnë interes. Në këtë mënyrë do të rritet shkalla e përgjegjsisë, do të përmirësohet cilësia dhe standardi i shërbimeve. Ndaj dhe njëherë ju bëj thirrje që sa më shumë projektvendime për shërbime të kësaj natyre, ku ne i besojmë sektorit privat, shërbimet publike nëpërmjet koncesionit, të hartohen, aq më shumë përmirësime do të shënohen në tërësi.”