Kryeministri Berisha: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ngjarje e shënuar në historinë politike të vendit
Kryeministri Berisha mori pjesë të martën në mbrëmje, në Koncertin e Orkestrës Sinfonike "Heinrich Heine", të Dyseldorfit, të organizuar me rastin e çeljes së muajit gjerman të kulturës në vendin tonë dhe 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, zoti Gernot Erler, Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, si dhe njohës dhe admirues të kulturës gjermane.
Ministri i Shtetit gjerman, zoti Gernot Erler në fjalën e tij, pasi uroi për ditën e 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënive diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale gjermane, vlerësoi përparimet e bëra në Shqipëri gjatë dy dekadave, pavarësisht kushteve të vështira të Shqipërisë në fillimet e transformimit të saj, si dhe inkurajoi ecjen përpara në rrugën e nisur.
Duke përshëndetur të ftuarit, Kryeministri Berisha u shpreh se vendosja e marrëdhënieve me Republikën Federale gjermane, 20 vjet më parë, përbën një ndër ngjarjet më të rëndësihme për Shqipërinë, në historinë e pasluftës së dytë Botërore. Kryeministri Berisha theksoi se shqiptarët nuk gabuan, kur besuan se do të gjenin tek kombi mik gjerman, mbështetjen për përpjekjet e tyre, drejt një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën shumë të çmuar që Gjermania i ka dhënë vendit tonë në shumë fusha si, infrastrukturë, arsim, kulturë, fushën e mbrojtjes, etj.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Është nder dhe nje kenaqësi e veçantë për mua të përshëndes sot, në 20 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale gjermane, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë politike të pasluftës së dytë botërore për vendin tonë. Vendosja e marëdhënieve diplomatike me Republikën Federale gjermane 20 vjet më parë përbënte për shqiptarët, që përjetuan një diktaturë të egër, një ngjarje të madhe shprese, besimi se kombi i madh dhe mik, gjerman, do të ndihmonte shqiptarët, në përpjekjet e tyre për një shoqëri të lirë dhe shqiptarët nuk gabuan.
Republika Federale gjermane menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mbështeti me të gjitha format e mundshme, forcat demokratike në Shqipëri. Pas rënies së murit të Berlinit në Tiranë, në korrik të vitit’ 90, punonjësit e ambasadës gjermane bënë çdo përpjekje, për të bërë që lëvizja e të rinjve shqiptarë drejt perëndimit të shndërrohej në një goditje të pashpresë për regjimin.
Zoti Ministër, punonjësi juaj I cili po përkthen tani ka qenë një ndër ata, më aktivi, dhe është një mik shumë i çmuar për qytetarët e Tiranës dhe qytetarët shqiptarë.
Qeveria gjermane menjëherë pas rënies së perdes se hekurt në Tiranë u angazhua në mbështetje të lëvizjes dhe të forcave demokratike. Në vizitën e tij në Tiranë, pas krijimit të Qeverisë së Stabilitetit, Ministri Gensher, në një akt mbështetjeje të forcave demokratike, kushtëzoi nënshkrimin e marrëveshjes së Aktit të Helsinkit nga qeveria shqiptare me praninë e opozitës në atë akt. Kancelari Helmut Kol më priti mua si shefi i opozitës, duke u bërë kështu Kryeministri i Parë i kontinentit që unë takoja në karrierën time politike.
Ndihma e vendit tuaj ka qenë një ndihnmë shumë e cmuar. Në 17 vite, Shqipëria qëndron në krye të ndihmës për frymë, të Republikës Federale gjermane dhe për këtë gjej rastin tu shpreh ju, qeverisë suaj dhe kancelares Merkel mirënjohjen më të thellë. Kjo ndihmë e madhe, ka përfshirë të gjitha fushat në të gjithë vendin. Nga projektet në infrastrukturë, tek ushtria, kultura, arsimi dhe për këtë jemi shumë mirënjohës. Ne kemi patur mbështetjen e madhe të qeverisë suaj në përpjekjet tona për integrimin europian dhe euroatlantik.
Zoti Ministrër,
Nesër është dita juaj kombëtare. Por dua të theksoj se kjo nuk është vetëm e juaja. Kjo është e mbarë kombeve të Evropës, në vecanti e kombeve që përjetuan diktaturat komuniste, të cilëve bashkimi i Gjermanisë iu bëri të mundur bashkimin me lirinë. Ndaj dhe ne festojmë sonte së bashku me ju këtë ditë të madhe.
Sot hapim javen e kulturës gjermane në këtë 20 vjetor me koncertin e orkestrës së Dysendorfit. Unë dua të përshëndes shumë përzemërsisht dirigjentin, instrumentistët dhe të gjithë këta artistë që sjellin këtu kulturën, gjuhën e muzikës, gjuhën më të bukur të kulturës suaj. Lidhjet kulturore midis dy popujve janë lidhje shumë të forta. Në Shqipëri autorë të tillë si Gëte, Shiler, Breht dhe shumë korifej të tjerë të kulturës suaj kanë admirues të shumtë. Por studiuesit gjermanë kanë qenë dhe albanologot më të shquar, antropologët më të njohur të identitetit shqiptar. Ata të cilët njohën gjuhën , identitetin tonë në një periudhë shumë kritike për kombin tonë, ndaj dhe ne iu jemi shumë mirënjohës atyre.
Sot, Shqipëria ka dy projekte të mëdha, atë të anëtarësimit në BE dhe anëtarësimin në NATO. Këto dy projekte, në Shqipëri, janë projekte të cilat kanë mbështtejen më të madhe. Ndaj dhe qeveria që unë kryesor është e vendosur të punojë me seriozitetin më të madh për të shndërruar nëpërmjet reformave të thella dhe të gjithanshme, në realitte këto dy projekte të mëdha . Në të gjithë këtë përpjekje jemi shumë të inkurajuar nga ndihma dhe nga mbështetja e juaj dhe e qeverisë tuaj. Ndaj dhe unë dua tu falenderoj edhe njëherë dhe tu uroj ju në këtë 20 vjetor me shumë mirënjohje, por tju uroj gjithashtu në prag të ditës suaj kombëtare, që është një ditë e madhe për të gjithë Evropën.”