Kryeministri Berisha pret zotin Erhard Busek, Koordinator Special i Paktit të Stabilitetit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim të veçantë zotin Erhard Busek, Koordinator Special i Paktit të Stabilitetit.
Gjatë këtij takimi u diskutua për organizimin dhe kooperimin nga strukturat përkatëse për mbajtjen e Tryezës së fundit të Paktit të Stabilitetit, që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 3 dhe 4 dhjetor 2007.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Busek për kontributin e tij dhe të Paktit të Stabilitetit në mbështetjen e dhënë për kalimin e vendeve të rajonit nga një situatë konflikti në një situatë kooperimi.
“Pakti i stabilitetit ka treguar se është një mekanizëm mjaft i frytshëm, duke shërbyer edhe si urë lidhëse e vendeve të rajonit me Bashkimin Europian.”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha garantoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha angazhimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për strukturimin e Këshillit Koordinator Rajonal që do të zëvendësojë Paktin e Stabilitetit.
Në vazhdim, Kryeministri Berisha e njohu zotin Busek me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, veçanërisht në fushën energjetike, në arsim, në infrastrukturë, në procesin e decentralizimit dhe duke i dhënë përparësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri u ndal në përparësinë që qeveria shqiptare i ka dhënë sektorit të arsimit, duke dyfishuar buxhetin për arsimin, duke rritur 4 herë investimet për universitetet, duke rritur 4 herë investimet për kërkimin shkencor, si dhe duke eliminuar fenomenin e korrupsionit në administrimin e testeve për hyrjen në universitete.
Nga ana e tij, zotin Busek shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e reformave në vend, si dhe falënderoi qeverinë për implementimin e shpejtë dhe për mbështetjen në Nismën për Antikorrupsionin dhe financimin e Zyrës Rajonale, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet e para që ka mbështetur këtë proces.
Më tej, zotin Busek shprehu dëshirën e tij që sa më shumë ekspertë shqiptarë të aplikojnë për të marrë pjesë në strukturat administrative të Zyrës së Koordinimit Rajonal.