Kryeministri Berisha: Transferimi i kompanive të ujësjellës-kanalizimeve, afron shërbimet tek konsumatori
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha vlerësoi të një rëndësie të veçantë procesin e transferimit të kompanive të ujësjellës-kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore. Proces, i cili plotëson një nga detyrimet ligjore që, sipas ligjit, duhej të merrej para vitit 2003, si dhe në përmbushje e parimeve të Kartës Europiane për Decentralizimin.
“Me procesin e transferimit të kompanive të ujësjellës-kanalizimeve, u shpreh Kryeministri, - është realizuar një nga vendimet më të rëndësishme, që, sipas ligjit, duhej të merrej para vitit 2003. Me këtë vendim, ne plotësuam një nga detyrimet ligjore të mbajtura peng nga qeveritë e mëparshme, zbatuam një detyrim që buron nga parimet e Kartës Evropiane për Decentralizimin, vendosim ligjin e thyer të organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor dhe çuam shërbimet tek konsumatori”.
Kryeministri vlerësoi se vendimi ndryshon në mënyrë rrënjësore një situatë absurde, sipas të cilës, ministri i Ekonomisë ishte zotërues i 100 për qind të aksioneve të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, çka i nxirrte këto shoqëri realisht jashtë kontrollit. “Shoqëritë vërtet kishin borde, por në epokën e decentralizimit, as Ministria e Ekonomisë dhe asnjë ministri tjetër, nuk mund të ushtrojë kompetenca që u përkasin qeverive vendore,” nënvizoi Kryeministri.
Duke analizuar vendimin, Kryeministri tha se ky proces u realizua pas stanjacionit të këtij sistemi dhe ‘shërimit’ të tij nga borxhet ndaj KESH-it, sigurimeve shoqërore dhe tatimeve, kosto këto që do të mbulohen të gjitha nga buxheti i shtetit.
“Ne kemi vullnetin politik dhe jemi të zotuar për decentralizimin, por, natyrisht, procesi nuk ka qenë dhe aq i thjeshtë. Grupi ndërministror i transferimit, me përfaqësues nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ekonomisë dhe Financave, i kryesuar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e kompletoi këtë proces dhe vendimi për transferimin ishte një vendim shumë i drejtë dhe i rëndësishëm,” nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu faktin se ky proces, është shoqëruar, në kohën më të shpejtë të praktikuar, edhe me vendimet për shtesat e nevojshme që duhet të bëhen në statutin e shoqërive anonime shtetërore dhe shtesat në vendimet për këshillat mbikëqyrëse të shoqërive shtetërore, të cilat modifikohen tërësisht nga modeli i mëparshëm dhe kalojnë të tërë në autoritetin e qeveritarëve vendorë.
“Në këtë mënyrë, bie një piramidë qendrore këshillash dhe përgjegjësitë shkojnë direkt tek këshillat e përzgjedhur nga qeveritarët vendorë. Po kështu Ministria e Ekonomisë ka përgatitur udhëzimin, mbi bazën e të cilit do të zbatohet vendimi i Këshillit të Ministrave për transferimin e aksioneve të shoqërive anonime të ujësjellës-kanalizimeve tek njësite e qeverisjes vendore,” u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar këtë si modelin sesi një vendim shumë i rëndësishëm kompletohet, në një kohë relativisht të shkurtër, me të gjitha nën aktet e nevojshme për zbatim.
Duke përgëzuar për punën e bërë dhe mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi ministrin e Ekonomisë dhe ekspertët më të shquar të fushës së ujërave, Kryeministri rikonfirmoi vullnetin për thellimin e procesit të decentralizimit. “Ne duhet të kompetenca dhe t’i dërgojmë drejt qeverisjes vendore, sepse duam që shteti ligjor të funksionojë më mirë dhe më i plotë,” u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se procesi i transferimit të ujësjellës-kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore do të pasohet së shpejti nga decentralizime të tjera si vendimi i Ministrisë së Arsimit për decentralizimin e konvikteve dhe dhënien e tyre në autoritetin e qeverisë vendore apo vendimi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Kullotave për pyjet dhe kullotat e komunave.
“Pas decentralizimit fiskal, kalimit të mbledhjes së taksës së biznesit të vogël dhe administrimit të saj tërësisht nga qeveria vendore, ky vendim përbën një hap të dytë madhor në procesin e decentralizimit,” u shpreh Kryeministri. Duke kërkuar që në muajin dhjetor të jenë mbyllur problemet më kryesore të këtij procesi.
Kryeministri tha se krahas procesit të decentralizimit, do të ecet edhe me dekoncentrimin, të delegimit të autoritetit qendror tek autoritete lokale ekzekutive që përfaqësojnë qeverinë, prefekti. Për këtë qëllim, tha Kryeministri, është përgatitur një urdhër, por që duhet të studiohet në mënyrë që të zgjerohen gjithnjë e më shumë kompetencat e qeveritarëve vendorë, qofshin qarku, prefekture, bashkish e komunash.