Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur nga tërmeti në Kinë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë një vizitë në Ambasadën e Republikës së Kinës, në Tiranë, për të shprehur ngushëllimet për humbjet e mëdha të jetëve dhe shkatërrimet që shkaktoi tërmeti i rënë në Kinë disa ditë më parë.
Kryeministri la një shënim në librin e ngushëllimeve, ndërsa i shprehu Ambasadorit kinez në Tiranë, zotit Wang Junling, solidaritetin e qeverisë shqiptare dhe gjithë kombit shqiptar në këtë ngjarje të rëndë.
Nga ana e tij, Ambasadori I Republikës së Kinës në Tiranë, zoti Wang Junling, vlerësoi mbështetjen dhe kontributin e qeverisë shqiptare në këtë ngjarje dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për ngushëllimet e tij të sinqerta.
Duke folur për mediat, Kryeministri Berisha tha:
“Dua t’i shpreh kombit kinez, familjeve të viktimave, ngushëllimet më të thella, simpatinë dhe solidaritetin më të madh për humbjet e mëdha të jetëve dhe shkatërrimeve që krijoi tërmeti i fuqishëm në vendin tuaj.
Shqiptarët ndihen shumë të trishtuar nga kjo tragjedi që goditi një vend dhe një popull mik. Ndaj me ju dhimbjen për këtë humbje të madhe dhe vlerësoj shumë reagimin e shpejtë dhe ndërhyrjen e fuqishme të qeverisë suaj dhe të mbarë shoqërisë, për të zvogëluar në maksimum pasojat shkatërrimtare të tërmetit.
Kontributi ynë në këtë tragjedi ishte modest, por solidariteti dhe simpatia ndaj jush është e madhe”.