Kryeministri Berisha: Qeveria do të hartojë së shpejti vendime të reja për letrat me vlerë, të cilat do ti japin një nxitje të madhe tregut të tyre

Kryeministri Berisha kërkoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikes, si dhe Ministri i Financave, përgatitjen për mbledhjen e ardhshme të vendimit, ose të ndërhyrjeve të posaçme në ligj, të dyfishimit të përdorimit të letrave me vlerë. Gjithashtu kryeministri kërkoi shtyrjen e afatit të përdorimit të tyre edhe në gjysmën e parë të mandatit të ri. “E kam theksuar dhe e theksoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë në të vërtetë letër me vlerë, detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve , detyrim ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht.”, u shpreh në këtë kontekst kryeministri.
Kryeministri ftoi qytetarët që pas këtij vendimi i cili do ti japë një nxitje të madhe tregut të letrave me vlerë, të bëjnë çdo përpjekje për përdorimin e letrave të tyre me vlerë, në të gjithë gamën e cila mund të zgjerohet edhe më shumë.
Kryeministri premtoi se gjatë kësaj jave do të bëhen të gjitha amendimet e nevojshme, në mënyrë që tregu i letrave me vlerë të ketë një frymëmarrje më të madhe. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për gjallërimin e përdorimit të tyre.” përfundoi kryeministri.
Më konkretisht, lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti ministër i financave dhe i ekonomisë. Në mbledhjen e ardhshëm duhet të përgatisim vendimin apo ndërhyrjen në ligj të dyfishimit të përdorimit të letrave me vlera. Aty ku janë20, aty do të jenë 40, aty ku janë 30 do të behet 60. Zoti ministër i financave, duhet që vendimi të vijë në qeveri për të shtyrë afatin e përdorimit të tyre edhe gjysmën e parë të mandatit të ri. E kam theksuar dhe e theksoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë në të vërtetë letër me vlerë, detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve , detyrim ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht.
Ndaj të dashur qytetarë, ju lutem pas këtij vendimi, i cili do ti japë një nxitje të madhe tregut të letrave me vlerë, të bëni çdo përpjekje për përdorimin e letrave tuaja me vlerë, në të gjithë gamën, e cila dhe mund të shtrihet më tej. Ndërtesat e sipërmarrjeve private të cilat kanë qenë pronë publike, ato mund të shiten ose sipërmarrësi mund të paguajë me letra me vlerë, ose dhe në destinacione të tjera. Ne duhet të bëjmë gjithçka për gjallërimin e përdorimit të tyre. Asnjë ligj nuk pengon sepse përkundrazi në qoftë e se e konceptojmë këtë si një borxh ndaj qytetarëve shqiptarë, kjo prevalon dhe le të bëjmë ne gjatë kësaj jave të gjithë amendimet e nevojshme në mënyrë që tregu i letrave me vlerë të kenë një frymëmarrje të madhe.
10/04/2013