E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria ka akorduar një fond për nxitjen e zhvillimit të vreshtarisë

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Reç – Qafëgrade, rrugë e cila lidh fshatrat e komunës Qendër dhe të Shkrelit. Projekti u realizua me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 20 milionë lekë.     

Kryeministri tha se me këtë rrugë, zona merr një zhvillim të ri, ndërsa theksoi se projekti i qeverisë për të realizuar lidhjen e qendrave të komunave me akset kombëtare, po ecën me shpejtësi të madhe.

Kryeministri nënvizoi se zona e Reçës është një zonë me potenciale të mëdha turistike, minerare, por mbi të gjitha, është treva më e përshtatshme për zhvillimin e vreshtave. Në këtë drejtim, Kryeministri tha se qeveria mbetet e  vendosur të mbështesë fermerët e kësaj zone. “Qeveria ka akorduar një fond, gjithnjë në rritje, me të cilin nxit zhvillimin e vreshtarisë. Ky projekt, që është në zbatim e sipër, do ta shndërrojë këtë zonë, në zonën e rrushit dhe të verës Kallmet, e cila ka qenë “zonjë” në buketën e verërave shqiptare për shekuj me radhë. Ne do ta rikthejmë atë sërish”, u shpreh Kryeministri.


19/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›