Kryeministri Berisha: Qeveria është e angazhuar seriozisht në reformat integruese në BE
- Kryeministri merr pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 1 vjetorit të nënshkrimit të MSA-së
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 1 vjetorit të Nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Duke përshëndetur të pranishmit, Kryeministri theksoi se qeveria, gjatë këtij viti, ka bërë përpjekjet më serioze për të konkretizuar dhe për të zbatuar këtë kontratë të madhe, ndërsa nwnviuzoi se po me kwtw seriozitet do të vazhdojë të punojë që vendi të afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian.
"Dua t'ju siguroj për vendosmërinë tonë të plotë për të zbatuar nen për nen këtë Marrëveshje, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë me dinjitet të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata e asociimit të saj dhe të meritojë sa më shpejtë që të jetë e mundur statusin e vendit kandidat, nëpërmjet përpjekjeve të saj serioze", tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por veçanërisht për Qeverinë austriake dhe Kancelarin Shussel, i cili, tha Kryeministri "u bë një promotor i këtij procesi"
Në përshendetjen e tij, Kryeministri u shpreh:
"Është nder i veçantë për mua t'ju përshëndes sot në këtë përvjetor të parë nënshkrimit të kontratës më të madhe të kombit shqiptar me Europën, Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Një vit më parë, përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës shqiptare morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate në Luksenburg. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian erdhi si rezultat i një përpjekjeje të madhe të shqiptarëve për të ndërtuar lirinë, shtetin ligjor, demokracinë, në vendin më të shtypur dhe më të varfëruar të kontinentit.
Kjo marrëveshje erdhi si kurorëzim i kësaj përpjekjeje të madhe të suksesshme. Ajo ishte gjithashtu rezultat i një ndihme dhe i solidaritetit më të madh që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre. Ajo vinte si rezultat i një kapitulli të ri të madh që kombi shqiptar dhe kombet mike nisën të shkruanin pas shembjes së perdes së Hekurt, "Murit të Berlinit" në Tiranë. Kjo marrëveshje erdhi si rezultat i një dëshmie nga ana e Shqipërisë dhe e shqiptarëve se në vendin e tyre demokracia, me gjithë vështirësitë që njeh, është një sistem që funksionon, është një sistem i pakthyeshëm, është një sistem ku qytetarët e saj bëhen gjithnjë e më të lirë, gjithnjë e më prosperues.
Qeveria, gjatë këtij viti ka bërë përpjekjet më serioze që të konkretizojë, të zbatojë më seriozitet këtë kontratë të madhe. Këto përpjekje kanë bërë që një numër i madh kombesh dhe vendesh anëtare të Bashkimit Europian të votojnë, pas Parlamentit Europian, në parlamentet e tyre dhe të ratifikojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë. Të tjera vende kanë përgatitur të gjitha aktet dhe do ta votojnë së shpejti. Më mbetet t'i siguroj për vendosmërinë tonë të plotë për të zbatuar nen për nen këtë marrëveshje, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë me dinjitet të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata e Asociimit të saj, të meritojë sa më shpejtë që të jetë e mundur statusin e vendit kandidat, nëpërmjet përpjekjeve të saj serioze.
Këto dy ditë, 10-12 qershor, janë ditë shumë të bardha, ditë të bekuara, ditë të mëdha në historinë tonë kombëtare. Së pari koiçidojnë me Lidhjen e Prizrenit. Po ashtu, në 12 qershor, trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut hynë në Kosovë për të çliruar një popull që po përjetonte genocidin. Ndërsa sot ne festojmë këtë datë të madhe. Pra, 10-12 qershori janë data shumë të mëdha dhe kam shumë kënaqësi, të nderuar miq, që i festoj së bashku me ju.
Të gjitha këto, përfshi edhe vizitën e jashtëzakonshme të Presidentit Bush, po t'i shohim në vetvete, janë data të përpjekjes së vokacionit perëndimor të shqiptarëve, të përpjekjeve të tyre për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe kulturën e tyre perëndimore. Edhe Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit, krahas aspekteve ekonomike, tregtare e ligjore, në moralin e saj është një marrëveshje e cila afron kulturën tonë, popullin tonë, me popujt e tjerë, si një kulturë thellësisht perëndimore.
Dua t'u shpreh mirënjohje të thellë ju, të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Por është rasti t'i shpreh një mirënjohje të veçantë Qeverisë austriake dhe Kancelarit Shussel, i cili u bë promotor i këtij procesi, vendeve që e miratuan Marrëveshjen dhe t'u siguroj se ne, me seriozitetin më të madh do të punojmë për t'u afruar gjithnjë e më shumë me vendet tuaja. Faleminderit".