E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentit Amerikan Xhorxh W. Bush dhe Kryeministrit Sali Berisha

Pas takimit dypalësh, Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush dhe Kryeministri Sali Berisha dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Fillimisht të dy personalitetet bënë këto deklarata:

Kryeministri Sali Berisha: I nderuar Zoti President Bush,
Të nderuar bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Bush,
zonja dhe zotërinj,

Sot është një ditë e bukur, e madhe dhe historike për mbarë shqiptarët.

Në mesin tonë ndodhet mysafiri më i madh dhe më i shquar që ne kemi patur në të gjitha kohërat, Presidenti i Shteteve tw Bashkuara tw Amerikws , vendit lider të botës së lirë, Xhorxh W. Bush, Zonja e Tij, Laura Bush dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Për mua, është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë, t'i falenderoj me mirënjohje dhe t'u uroj përzemërsisht mirëseardhjen, në këtë vizitë historike, vizita e parë e një Presidenti të Shteteve te Bashkuara te Amerikes në Shqipëri.

Faleminderit thellësisht nga zemra, Zoti President, që plotësuat një dëshirë të zjarrtë të shumëpritur të të gjithë shqiptarëve për t'ju patur mik në shtëpinë e tyre.

Tungjatjeta, është përshëndetja tradicionale e shqiptarëve për mikun, të cilën kam përzgjedhur për t'ju përshëndetur Ju në emër të tyre.

Mirëserdhët në Shqipëri President Bush!

Zoti President,

Ju jeni sot mysafiri dhe mik i nderuar i një kombi, mirënjohja, miqësia e të cilit ndaj kombit dhe vendit tuaj të madh, janë të gdhendura thellë në memorjen historike, në ndërgjegjen e qytetarëve të tij. Asnjë komb tjetër në rajon dhe në Europë nuk ka përjetuar vuajtje, spastrime etnike, racizma, copëtime, pushtime, diktatura të egra sa ne shqiptarët. Historia ka qenë e padrejtë dhe shpesh e ligë ndaj nesh.

Por sërish, ne kemi qenë të bekuar. Në të gjitha përpjekjet tona për të mbrojtur identitetin dhe vokacionin tonë kombëtar perëndimor, për të dalë nga koha e shtypjes në kohën e dinjitetit, nga koha e errësirës në kohën e lirisë, ne kemi fituar sepse kauza jonë e drejtë, ka patur mbështetjen e fuqishme të SHBA, mikut më të çmuar dhe më të madh të kombit shqiptar.

Zoti e bekoftë kombin tuaj të madh!

Në fillimet e shekullit që kaloi, Presidenti Willson nuk lejoi copëtimin e shtetit të sapo shpallur të pavarur shqiptar. Shtetet e Bashkuara tw Amerikws, 85 vjet më parë, njohën Shqipërinë. Vizita juaj në këtë përvjetor vjen si kurora më e bukur e tij, si ngjarja më kulmore në marëdhëniet e shkëlqyera miqësore ndërmjet dy vendeve tona.

Më vonë, Presidenti Thruman, bëri përpjekje të mëdha për të çliruar shqiptarët nga diktatura e tyre orvelliane. Në fillim të viteve '90, Presidenti Xhorxh Herbert Bush dhe administrata e tij dha ndihmë të jashtëzakonshme dhe historike për shembjen e Murit të Berlinit në tërësi, por edhe shembjen e tij në Tiranë dhe hapjen e dyerve të lirisë për shqiptarët. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Alenacën e Atlantikut të Veriut në betejën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi barbar dhe sot, qytetarët e Kosovës kanë tek Ju dhe administrata Juaj, shpresën dhe mbështetjen më të madhe për projektin e shtetit të tyre të lirë, të pavarur dhe të integruar në Europë.

Shekuj më parë e gjer sot, në vendin tuaj të bekuar kanë emigruar qindra dhe mijëra shqiptarë. Ata janë qytetarë të nderuar dhe besnikë në SHBA, por ata kanë dashur dhe duan shumë edhe kombin e tyre të origjinës. E kanë ndihmuar shumë atë. Ata kanë mbajtur gjithnjë të pashuar dritën e shpresës dhe lirisë për shqiptarët.

Unë dua t'ju përcjell atyre sot, në praninë Tuaj, përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë.

Ndjenjat miqësore ndaj kombit dhe vendit tuaj të madh dhe proamerikanizmi i shqiptarëve janë në të vërtetë edhe çështje e krenarisë së tyre kombëtare. Shqiptarët janë shumë krenarë për miqësinë me SHBA dhe bashkëpunimin që kanë me kombin tuaj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, për praninë e tyre krah jush në Irak, Afganistan dhe ju siguroj se do të jenë me ju ku të ketë nevojë për të dhënë ndihmesën e tyre të vogël modeste, por të vendosur kundër terrorizmit ndërkombëtar, këtij armiku më të rrezikshëm për popujt e lirë.

Por, para së gjithash, shqiptarët ndjehen krenarë me miqësinë ndaj kombit tuaj, sepse ndajnë me të vlerat dhe parimet e lirisë dhe demokracisë së orientuar nga tregu. Në këtë rrugë, ata kanë patur ndihmë të jashtëzakonshme politike, ekonomike, financiare, teknike, ushtarake dhe të gjithanshme nga SHBA, vendet e BE dhe vendet e tjera mike, për të cilën ne mbetemi gjithnjë thellësisht mirënjohës.

16 vjet më parë, Sekretari i Shtetit, Xhejms Bejker, do të sillte tek shqiptarët mesazhin "freedom works." Sot, pas 16 vjetësh, mund t'ju them se pavarësisht nga vështirësitë që ka përjetuar vendi, liria për shqiptarët ka funksionuar më shumë se për të tjerët. Kështu, Shqipëria nga vendi i lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me Kushtetutë, hiperkolektivizmit, skllavërisë së vërtetë njerëzore dhe i izolimit më të thellë, është sot vendi i pluralitetit të konsoliduar politik, ekonomik dhe i tolerancës së shkëlqyer ndërmjet besimeve fetare, i demokracisë që funksionon, është vendi i rritjes së shpejtë ekonomike në të cilin 80% e GDP vjen nga sektorë privat dhe ku të ardhurat për frymë janë rritur rreth 20 herë. Shqiperia që ka firmosur dhe po zbaton me sukses Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE dhe nga Samiti i Rigës mori mesazhin e mundësisë së ftesës për anëtarësimin në NATO, vendi që mikpret sot, Presidentin e SHBA, George W. Bush.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zonja dhe Zotërinj,

Në bisedimet tona ne diskutuam me Presidentin Bush marredhëniet e shkëlqyera miqësore, bilaterale dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Unë e njoha Presidentin me reformat e gjithanshme që qeveria ime ka ndërmarrë dhe rezultatet e tyre në konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, ndihmën e çmuar që institucionet e zbatimit të ligjit të SHBA dhe vendeve të tjera mike po japin në këtë drejtim, diskutuam për luftën kundër korrupsionit dhe ndihmesën e pritshme të madhe, për një seri projektesh që financohen nga llogaria e Mijëvjeçarit, si e-taksës, e-prokurimit dhe "one stop shop," reformat në institucionet e tjera dhe në sistemin gjyqësor, polici, arsim, etj.

Unë e njoha Presidentin Bush me reformat e rëndësishme që po ndërmarrim për shndërrimin e Shqipërisë në një vend atraktiv për investitorët amerikanë dhe të tjerë. Një seri kompanish amerikane të mëdha punojnë sot në Shqipëri. Jam i bindur se kjo vizitë do të inkurajojë shumë të tjerë. Një vend të veçantë në bisedimet tona, zuri çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si përparësia kryesore e Shqipërisë. Në këtë kontekst, ne kemi vendosur të rrisim me 2% të GDP buxhetin për forcat e armatosura, të trefishojmë praninë tonë në Afganistan, të zbatojmë me seriozitet kërkesat e ciklit të 9-të të MAP. Përveç këtyre, shtoj se mbi 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Mbështetja e Presidentit Bush dhe administratës së Tij, është e një rëndësie jetike për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si e ardhmja e tij më e sigurt.

Ne diskutuam gjerësisht për zhvillimet në rajon. Fill pas kësaj konference do të vazhdojnë gjatë drekës diskutimet për bashkëpunimin në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3 me miqtë tanë shumë të mirë, Kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader dhe Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski.

Një vend të veçantë në bisedimet tona i është kushtuar zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, në përputhje me propozimin e Presidentit Ahtisari, për pavarësinë graduale të saj, si kusht përcaktues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zonja dhe Zotërinj,

Në Dhjetorin e vitit '90 studentët dhe qytetarët e Tiranës, mbushën sheshet dhe rrugët e saj, me thirrjet "USA", "Rroftë Presidenti Bush," "E duam Shqipërinë si gjithë Europa," Presidenti Bush e vizitoi Shqipërinë në vitin 1994-1996 dhe me parë edhe Presidenti Xhimi Karter. Unë kam bindjen se pas kësaj vizite Zoti President, vendin tonë do ta vizitojnë edhe presidentë të ardhshëm të SHBA, por në memorien e qytetarëve shqiptarë do të mbahet gjithmonë mend, nderi i madh që iu bëtë Ju atyre, me vizitën e parë të Presidentit në detyrë të SHBA në Shqipëri.

Faleminderit shumë President Bush, mik i madh i kombit tim!

Presidenti Bush: Mirëdita!

Zoti Kryeministër faleminderit për mikpritjen, Falenderoj gjithashtu edhe Presidentin për mikpritjen.
Jam krenar që jam Presidenti i parë amerikan që vizitoj Shqipërinë. Është një nder i madh të përfaqësoj vendin tim këtu.
E kam pritur vërtetë me padurim këtë udhëtim. Po kështu edhe bashkëshortja ime, Laura. Arsyeja që jemi këtu është se më pëlqen të vizitoj vendet që po punojnë shumë për ngritjen e institucioneve të domosdoshme për forcimin e demokracisë. Vecanërisht jam i lumtur që jam këtu në Shqipëri, në një vend që ka flakur tej vargonjtë e një shoqërie shtypëse dhe tani po i dëshmon botës cfarë është e mundur. Unë e përgëzoj popullin shqiptar dhe ju falenderoj për pritjen e ngrohtë edhe nga njerëzit në rrugë.

Ne patëm një diskutim shumë të mirë. Mësova shumë rreth vendit tuaj. Mësova faktin që ky është një vend që përkrah tregjet dhe është angazhuar për të bërë reformat e nevojshme, për të siguruar që biznesmenët e vegjël të mbijetojnë, që sipërmarrja të jetë e fuqishme dhe që sistemi i taksave të jetë i drejtë.
Jam i impresionuar me vendosmërinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin, për të bërë të qartë se qeveria është e njerëzve, se qeveria mund të jetë e besueshme për popullin, duke larguar ata që do të përdornin postet e larta për të vjedhur taksapaguesit.

E vlerësoj këtë angazhim, Zoti Kryeministër.

E vlerësoj faktin që Shqipëria është një model i tolerancës fetare. Gjithashtu, vlerësoj faktin që Shqipëria është një vend mik i besueshëm dhe një aleat i fortë. Kjo vizitë sot do të përcjellë një sinjal tek populli shqiptar; ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu sikurse Amerika mund të mbështetet tek ju, për të punuar me përkushtimin e duhur për përhapjen e lirisë dhe, rrjedhimisht, edhe paqes.

Ne diskutuam një sërë cështjesh, diskutuam mbi problemet në Irak dhe Afganistan. Falenderoj Kryeministrin dhe qeverinë e tij për vendosjen e trupave shqiptare përballë rrezikut. Shqiptarët e njohin tmerrin e tiranisë. Për këtë, ata po punojnë për t`u sjellë shpresën e lirisë popujve që nuk e kanë shijuar atë. Kjo është një përpjekje dhe sakrificë e nderuar dhe, unë e vlerësoj sakrificën tuaj.

Shqipëria ka 120 trupa komando nga më të mirët në Irak. Unë pata privilegjin për t'u takuar me disa ushtarë shqiptarë. Kjo është ajo cfarë unë u thashë: Ju thashë para së gjithash se ju jeni të nderuar nga ushtria jonë. Ushtarët tuaj janë të mirë në punën e tyre. Ata janë të stërvitur mirë, të disiplinuar dhe trima. U thashë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë kontributin e tyre.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe qytetarët irakianë dhe, gjithashtu, u thashë atyre që kur të kthehen në shtëpi t`u dërgojnë fëmijëve dhe bashkëshorteve të tyre falenderimet e Shteteve të Bashkuara.
Familjet janë pjesë e jetës së një ushtari, aq sa është ai vetë.

Për këtë, Z. Kryeministër, ne ju falenderojmë shumë për angazhimin tuaj në lirinë e Irakut dhe të Afganistanit.
Kryeministri ka deklaruar se Shqipëria do të dërgojë 120 trupa shtesë në Afganistan këtë verë. Këto janë dy fronte jetike në luftën kundër terrorizmit dhe Shtetet e Bashkuara kanë një mik të fortë në Shqipëri në këtë luftë. Unë ju falenderoj për këtë.

Ne gjithashtu biseduam për NATO-n dhe aspiratën e Shqipërisë për t`u anëtarësuar në këtë Aleancë. Unë e përgëzova Kryeministrin për progresin që Shqipëria ka bërë në reformat ushtarake, si pjesë e kërkesave për anëtarësim në NATO, të cilat kërkojnë një reformim të Forcave të Armatosura. Shqipëria po punon me përkushtim për ta arritur këtë dhe për të plotësuar standardet e performancës për anëtarësim.

Me fjalë të tjera, antarësimi nuk vjen vetëm me vullnet të mirë por janë disa standarde që duhen plotësuar.

Gjithashtu, biseduam me Kryeministrin për dëshirën e madhe të Shqipërisë për t`u anëtarësuar në NATO. Unë e mbështes këtë. Unë i thashë Kryeministrit se nevojiten më shumë reforma politike dhe ushtarake, më shumë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe ai e kupton këtë. Ai më tha; jemi të vendosur. Kjo është ajo që Kryeministri pohoi; Shqipëria është e vendosur për t'i plotësuar këto standarde. Dhe unë i thashë se ne jemi të vendosur t`ju ndihmojmë.

Është shumë e rëndësishme për figurat politike këtu të kuptojnë çfarë kërkohet. Politikanët duhet të punojnë së bashku tani për të përmbushur standardet. Ata duhet të lënë mënjanë diferencat politike dhe të përqëndrohen në atë që është e drejtë për Shqipërinë. Nëse populli shqiptar dëshiron të anëtarësohet në NATO, atëherë politikanët duhet të punojnë për përmbushjen e standardeve.

Për këtë u bëj thirrje të gjithëve, qeverisë dhe opozitës, të bëjnë atë që është e domosdoshme për anëtarësimin në NATO dhe ne do t'ju mbështesim dhe do t'ju ndihmojmë. Mendoj se është gjë e mirë që Shqipëria të jetë vend i NATO-s. Pres me padurim t`ju uroj mirëseardhjen në NATO një ditë.

Ne gjithashtu diskutuam për çështjen e Kosovës. Unë jam një mbështetës i fortë i Planit të Ahtisarit. E thashë dje në Romë se koha është tani. Dikush më pyeti se kur do të përfundojë kjo? Kur do të marrë fund ky proces? I thashë se koha e duhur është tani. Me fjalë të tjera, bëra të qartë dy gjëra; së pari se duhet të lëvizim, dhe së dyti rezultati përfundimtar është pavarësia. Ne harxhuam shumë kohë duke diskutuar për këtë çështje këtu.

Kryeministri kishte dëshirë të njihej me qëndrimet e mia. Ai dëshironte të sigurohej se ajo që unë thashë të ishte e qartë për këdo dhe ajo që unë thashë është: Pavarësia është rezultati, le ta çojmë procesin përpara.

Ne dëshirojmë të sigurohemi që Serbia të kuptojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratën e tyre për integrim më të ngushtë me Perëndimin. Kjo nënkupton bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në mënyrë dypalëshe. Gjithashtu, ajo nënkupton anëtarësim të mundshëm në NATO.

Unë i bëj thirrje Kryeministrit të bashkëpunojë me udhëheqësit e Kosovës për të ruajtur gjakftohtësinë gjatë këtyre fazave përfundimtare të procesit të statusit final të Kosovës. Ai më siguroi se do ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka kontakte të mira atje dhe kosovarët drejtojnë sytë tek udhëheqja e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Shqipërisë. Ata janë të gatshëm ta ofrojnë një gjë të tillë.

Gjithashtu ne diskutuam një sërë çështjesh dhe më duhet të them se jam shumë i impresionuar nga biseda, me vizionin dhe dëshirën për të ndihmuar. SHBA dëshiron të jetë një mik dhe aleat i mire i Shqipërisë.

Sërish ju falenderoj për mikpritjen dhe e di që jeni krenarë për progresin historik që keni bërë.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar, sigurisht, edhe popullin e Shteteve të Bashkuara.

Më pas Presidenti Xhorxh W. Bush dhe Kryeministri Sali Berisha iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Kryeministër, Presidenti Bush u shpreh se ju e keni garantuar se do të flisni me udhëheqësit kosovarë. Por shtyrja e herë pas hershme e Statusit të Kosovës, si dhe propozimi i fundit i Presidentit të Francës Sarkozy për spostimin në kohë të kësaj çështjeje për një periudhë gjashtëmujore, mund të bëjë që liderët kosovarë ta humbasin durimin dhe ndoshta të kemi një vetshpallje të pavarësisë nga ana e tyre. Në këtë rast, cili do të ishte qëndrimi i Shqipërisë dhe a e keni diskutuar këtë opsion me Presidentin Bush?

Kryeministri Berisha: Ne diskutuam gjerësisht me Presidentin Bush për Kosovën. Ajo që unë mund t'ju transmetoj publikisht lidershipit dhe qytetarëve të Kosovës është se projekti i tyre ka mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e plotë të Presidentit Bush. Në këtë kontekst, sikundër dhe më parë, edhe tani, as nuk pres dhe as nuk këshilloj ndonjë lëvizje, përkundrazi, presistencë dhe gjakftohtësi. Projekti i tyre është plotësisht në mendjen dhe zemrën e Presidentit Bush.

Desha të shtoj, më shumë për qytetarët e Kosovës dhe udhëheqjen e saj, se në diskutimin tim konstatova një vetëdije të plotë nga Presidenti Bush për pasojat e zgjatjes së papranueshme, ose të pajustifikueshme të procesit. Në këtë kontekst, ata duhet të jenë shumë të qartë që Presidenti është i vetëdijshëm për këto pasoja dhe nuk i dëshiron ato.

Presidenti Bush: Ajo që është e rëndësishme për popullin e Kosovës është që të dinë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria e mbështesin me forcë pavarësinë, siç bënë shumica e pjesëmarrësve në samitin e G8-ës.

Rekomandimi i Presidentit Sarkozy ishte që të përpiqej të siguronte pak kohë në mënyrë që njerëzit të sheshojnë diferencat. Megjithatë, ajo që do të jetë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara, dhe mendoj se shumica e anëtarëve të G8-ës, ishin me atë që në fund të çdo procesi do të jetë pavarësia e sigurtë.

Kjo është e rëndësishme të kuptohet.

Cështja është pavarësia ose jo, ne besojmë fuqishëm në pavarësi. Lëvizjet diplomatike janë të domosdoshme për ta arritur këtë.
Unë besoj se është e rëndësishme që ta çojmë proçesin përpara dhe koha është tani. Me këtë unë dua të them se Sekretarja Rice do të punojë shumë për të kuptuar nëse mund të arrijmë një marrëveshje për këtë. Dhe nëse jo, ne duhet të lëvizim. Pavarësia është objektivi ynë dhe kjo është ajo çfarë populli i Kosovës duhet të dijë.

Pyetje: Faleminderit Zoti President. Dje, ju kërkuat vendosjen e një afati për veprimin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Kur mendoni se duhet të jetë ky afat? Dhe a jeni të shqetësuar ndopak se ky qëndrim do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet me Rusinë? A ka ndonjë mundësi që ju të merreni me propozimin e Rusisë për mbrojtjen ndaj raketave?

Presidenti Bush: Faleminderit. Kam një sërë komentesh për këtë. Para së gjithash, nuk mendoj se kam kërkuar vendosjen e një afati. Mendoj se kam thënë koha, apo jo? Cfarë thashë ekzaktësisht? Unë thashë "afat"? Në rregull, pastaj nënkuptova atë që thashë. Problemi është nëse do të ketë dialog të pafund mbi një çështje për të cilën ne e kemi ndarë mendjen.

Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur.

Diskutimet e G8-ës synonin të gjitha të përcaktonin nëse ka apo jo një rrugë për ta bërë këtë të pranueshme për Rusinë. Idealja do të ishte që Rusia të thoshte po, ne e kuptojmë dhe e pranojmë këtë përfundim. Siç duket, ata nuk janë në këtë pikë akoma. Prandaj, arsyeja përse unë thashë se ka nevojë për lëvizje është se kjo çështje nuk mund të lihet në dorë të fatit, pasi jam i shqetësuar për mospërmbushjen e pritshmërive në Kosovë.
Kjo është ajo që desha të them. Prandaj, ne do ta çojmë procesin përpara.

Presidenti Putin bëri një propozim interesant për sistemin e mbrojtjes nga raketat për Europën. Edhe unë bëra një propozim interesant për sistemin e mbrojtjes ndaj raketave në Europë pasi të gjitha synojnë mbrojtjen e Europës dhe nuk synojnë Rusinë.

Arsyeja që e bëra këtë është sepse kërcënimi i vërtetë me të cilin ne do të përballemi, do të jetë nga kombet batakçinj që mund të synojnë përhapjen e armëve.

Kështu që, mendoj se është në interes të paqes që ne të kemi kapacitetin të mbrohemi nga raketa të tilla dhe prandaj duhet të ecim përpara. Presidenti Putin më tha; mendoj se ideja ishte e arsyeshme. Ky është përdorimi i përbashkët i radarit në Azerbajxhan. Unë thashë; mirë, përse nuk e konsiderojmë këtë? Por, gjatë diskutimeve u bë e qartë se edhe ai kishte dyshime për propozimin e bërë nga unë, si për efektivitetin, ashtu edhe për domosdoshmërinë.

Unë thashë se ju propozuat një ide dhe unë propozova një ide, përse nuk formojmë një grup të përbashkët për të diskutuar idetë e përafërta në mënyrë transparente? Ju propozoni njerëz nga ministria juaj e Jashtme dhe e Mbrojtjes, ne të propozojmë njerëz nga Departamenti i Shtetit dhe i Mbrojtjes, për t'u ulur së bashku dhe për të diksutuar idetë e ndryshme rreth teknologjisë, se si të mbrohemi nga raketat dhe pozicionimin e radarëve për të siguruar një mbrojtje efektive.

Mendoj se deklarata e tij ishte e rëndësishme. Me fjalë të tjera, ai pranoi se ka mundësi për të bashkëpunuar. Kjo është ajo që bëjnë miqtë. Rusia nuk është armiku ynë. Siç e thashë disa herë, Lufta e Ftohtë ka përfunduar dhe tani ne po përballemi me rreziqet e shekullit të 21-të. Unë e vlerësoj pranimin e tij se mund të gjendet një mundësi për të punuar së bashku, për t'u përballur me këto kërcënime. Unë e mora këtë si një gjest shumë pozitiv dhe pres me padurim për të vazhduar bisedimet për këtë çështje, në korrik, kur ai të vijë në Maine.

Pyetje: Zoti Berisha, u vu re që në takimin tuaj me Presidentin Bush një vend kryesor ka zënë çështja e integrimit të Shqipërisë në NATO. Edhe qeveria juaj, por edhe qeveritë e mëparshme shqiptare kanë deklaruar një integrim dhe anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. A mund të na siguroni se ju keni marrë mbështetjen e Presidentit Bush për një anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë në NATO dhe a keni vënë re diferenca dhe shpejtësi të ndryshme të vendeve të Kartës së Adriatikut përgjatë këtij proces anëtarësimi?

Kryeministri Berisha: Së pari, mund t'ju siguroj plotësisht se Presidenti Bush dhe administrata e tij mbështesin fuqimisht projektin e Shqipërisë për anëtarësimin e plotë në NATO. Në këtë kontekst, duhet thënë se kjo ndihmë dhe kjo mbështetje ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme, në të gjitha reformat e institucioneve demokratike, në reformën e Forcave të Armatosura dhe në bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s gjatë këtyre viteve.

Natyrisht, ftesa është e përcaktuar të jepet mbi bazën e performancës dhe ne jemi shumë të vendosur të marrim çdo vendim, të miratojmë çdo ligj, të ndërmarrim çdo reformë e cila e bën Shqipërinë të përshtatshme për të marrë ftesën. Mendoj se bashkëpunimi në kuadër të Kartës Adriatik 3 ka qenë shumë i frytshëm dhe i suksesshëm. Të tre vendet tona kanë të përbashkëtat dhe specifikat e tyre. Po të marrim nivelin ku ka nisur Shqipëria dhe progresin e saj, ajo ëhtë ndër më të vlerësuarit.

Së dyti, Shqipëria ka patur një bashkëpunim luajal, të shkëlqyer, 15 vjeçar me NATO-n. Nuk mund të mos theksoj një moment; kur në vitin 1999 Millosheviçi spastroi 1 milionë qytetarë shqiptarë nga vatrat e tyre mijëvjeçare, vendet mike ndërtuan kampet për t'i pritur ata, por mbi 500 mijë familje shqiptare i shndërruan shtëpitë e tyre në çadra mikpritje të NATO-s. Ju mund të më thoni se ata e bënë për shqiptarët. Absolutisht po. Por askush nuk mund të provojë se shqiptarët nuk do ta bënin këtë për çdo qytetar të ndonjë etnie tjetër që do të ishin në nevojë siç ishin shqiptarët e Kosovës. 93 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në NATO. Pra, edhe ne kemi avantazhet tona.

Pyetje: Ju keni thënë që ka ardhur koha për të bërë përparime në Planin Ahtisari për Kosovën. Cfarë do të bëni ju për të bërë këtë përparim dhe çfarë do të bëni atëherë?
Presidenti Bush: Ajo që ju bëni është tu kërkoni diplomatëve tuaj të punojnë me diplomatët rusë, dhe me diplomatët e BE-së, për të parë nëse ka diferenca.

Me fjalë të tjera, duhen bërë përpjekje nëse mund të gjejmë një rrugë që të gjithë të thonë; mirë, është ide e mirë. Dhe nëse nuk arrihet në asnjë pozicion, pas një kohe ju do të thoni; mjaft, Kosova është e pavarur. Ky është qëndrimi që ne kemi marrë.

Populli i Kosovës ka nevojë të dijë se ky është një qëndrim i fortë dhe i prerë.

Edhe pse ka bisedime diplomatike për të gjetur një rrugë dhe për të ecur përpara, për akomodimin e Rusisë dhe Serbisë në Bashkimin Europian, shumica e popujve europianë janë në favor të kësaj.

Pozicioni i Bashkimit Europian është në mbështetje të Planit të Ahtisari.

Ata shpresojnë se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje në një sërë interesash, kështu që tranzicioni drejt pavarësisë duhet të jetë sa më i lehtë dhe më i butë që të jetë e mundur. Por, nëse është e qartë se kjo nuk do të ndodhë në një periudhë kohe relativisht të shkurtër, në gjykimin tim, ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Në këtë rast afatin.
Faleminderit të gjithëve për vëmendjen.

Zoti Kryeministër, ishte një konferencë shtypi e mrekullueshme. Jam krenar që jam Presidenti i parë amerikan që mban një konferencë për shtyp në tokën shqiptare. Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›