Zonja Laura Bush e shoqëruar nga zonja Liri Berisha vizitojnë Qendrën "Bethany" dhe Maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë.
Zonja Bush : "Jam shumë e lumtur nga ky udhëtim në Shqipëri dhe besoj se në të njëtën mënyrë është ndjerë edhe Presidenti". Kjo ka qenë fraza me të cilën e përfundoi axhendën e saj në Tiranë, Znj. Laura Bush, e cila drekoi me znj. Liri Berisha dhe një grup grash të njohura të fushave të ndryshme në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit. "Kjo është një vizitë historike si për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe për Shqipërinë", u shpreh zonja e parë e SHBA-së duke dhënë përshtypjet e saj rreth vizitës së parë në Tiranë. "Pak më parë drekuam me znj. Berisha ku kishim një bisedë interesante mes femrave drejtuese këtu në Shqipëri. Diskutuam për projekte mjaft të suksesshme, dhe vetë pata mundësinë të vizitoj një qendër përkujdesje të fëmijëve të braktisur.
Falenderoj znj. Berisha që më shoqëroi në këtë vizitë të mrekullueshme", u shpreh znj. Bush gjatë një tryeze të rrumbullakët në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë"në Tiranë, ku merrte pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka dhe Drejtori i Maternitetit Halim Kosova.
Zonja Berisha : "Jemi shumë të lumtur që ju kemi mes nesh. Shumë gra nga Shqipëria do të kishin dashur të ishin sot këtu, për të shprehur vlerësimin e tyre për ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Megjithëse koha e qëndrimit tuaj këtu është e shkurtër, do të dëshironim të kalonit sa më mirë", u shpreh znj. Berisha gjatë drekës me znj Bush. Gjatë ngritjes së një dollie ajo uroi për shumë dashuri, miqësi, për zonjën e parë dhe vendin e saj. Gjatë takimit dy orësh u zhvillua një diskutim aktiv për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën, ndërsa u shkëmbyen informacione dhe programe, në çështjet e trafikut të qenieve njerëzore, të drejtat e grave, arsimimi dhe çështje të shëndetit të gruas. Gratë që ishin prezent në drekë në mënyrë spontane, ngritën një dolli duke kënduar së bashku, një kombinim një këngë nga Veriu dhe një këngë nga Jugu, "Lule bore"dhe "Drenovare".
Në fillim pjesëmarrëset kënduan njërën dhe më pas zonja Bush kërkoi një tjetër. Dollia e fundit e drekës ishte për shëndetin e vjehrrës së znj Bush, Barbara Bush me rastin e ditëlindjes saj, gjatë javës në vazhdim.
Gjatë vizitës në Qëndrën amerikane "Bethany", shtepine e përkujdesjes së fëmijëve nga mosha 0-3 vjeç, partnere me qeverinë shqiptare. Zonja Bush falënderoi drejtuesit e kësaj qendre për punën e admirueshme që po bëjnë për përkujdesjen e fëmijëve të braktisur. Ajo u takua edhe me fëmijë të shoqatës "Shpresë për Botën", ku përçoi mesazhin se të gjithë të rriturit duhet të kujdesen për fëmijët e braktisur. "Braktisja e fëmijëve është një problem në të gjitha vendet, por është detyrë e të rriturve në të gjithë botën që të kujdesen për fëmijët", tha Znj. Bush gjatë vizitës në qendrën Bethany. Në këtë qendër janë strehuar rreth 40 fëmijë të braktisur të moshës nga 0-3 vjeç..