Kryeministri Berisha: Qeveria ka si prioritet shtrirjen e Network-ut në të gjithë vendin

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Davos të Zvicrës, një takim me z. Paul Mauntfort, Zëvendëspresident i Shoqërisë prestigjoze amerikane të rrjetit Network CISCO. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi mundësitë e zhvillimit të infrastrukturës së rrjetit elektronik në Shqipëri, si dhe për gjetjen e rrugëve për shpërndarjen e lidhjeve kompjuterike dhe të Network-ut në një numër sa më të madh të popullsisë.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare ka si prioritet çuarjen e Shqipërisë në moshën dixhitale dhe shtrirjen e rrjetit të Network-ut në gjithë vendin.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe zoti Mauntfort diskutuan mbi rëndësinë e projektit për trajnimin e stafeve pedagogjike dhe për projektet akademike që ka kjo shoqëri në Shqipëri. “Ne do të ndërmarrim çdo hap për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse, për të pasur akses në fondet e mëdha, vecanërisht në ato amerikane, për të bërë të mundur që sa më shumë shqiptarë të kenë kompjuter dhe internet në shtëpi", u shpreh Kryeministri.
Zëvendëspresidenti i Shoqërisë amerikane të rrjetit Network CISCO, vuri në dukje se ishte i mirë informuar mbi sukseset e qeverisë shqiptare dhe se viti 2008 do të jetë për Shqipërinë një vit shumë i rëndësishëm për marrjen e rezultateve nga zbatimi i reformave të ndërmarra në vend. “Zbatimi i reformave të ndërmarra nga qeveria juaj ka bërë të mundur që edhe këtë vit Shqipëria të përfitojë nga Fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit. Kjo më gëzon dhe më jep shumë shpresë se Shqipëria do të ketë një rrjet informatik të zhvilluar”, tha zoti Mauntfort.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe Zëvendëspresidenti i Shoqërisë amerikane të rrjetit Network, CISCO, diskutuan edhe për krijimin e mundësive të lidhjeve elektronike midis biznesit të mesëm dhe të vogël dhe krijimin e qendrave të informacionit bujqësor, që do të bënte të mundur lidhjen e fermerëve me tregun. Ata ndanë të njëtin mendim se krijimi i një rrjeti elektronik midis biznesit të mesëm, e të vogël, do të ndihmojë zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre dhe lidhjen e tyre me tregjet.