E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria mbetet e e vendosur t’u japë shqiptarëve një infrastrukturë europiane

Kryeministri Berisha inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës Fier Shegan – Allkaj, në Krutje. Kjo rrugë ka një gjatësi 12.7 kilometra dhe është investim i buxhetit të shtetit, me vlerë financiare 257.5 milionë lekë. Përfundimi i plotë i kësaj rruge parashikohet në muajin dhjetor  të këtij viti.  Në këtë inspektim Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi, Kryetari i komunës Allkaj Petrit Malia, deputeti i zonës Ilir Bano, etj.  

Kryeministri shprehu nderimin e tij të madh për shpirtin punëtor të banorëve të  kësaj zone. “Kam ardhur këtu dy vjet më parë nga një rrugë që atëherë kalohej vetëm me fuoristradë, bashkë me mikun tim Ilir Bano, i cili më thotë nëse është e mundur të premtojmë ndërtimin e kësaj rruge. Unë i thashë se do ta premtojmë këtë rrugë dhe do ta bëjmë atë. Rruga ishte e gjatë, por unë shpreh kënaqësinë që vij sot, në stadin para asfaltimit përfundimtar dhe do të vij të festoj bashkë me ju përfundimin e saj shumë shpejt”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri vlerësoi se kjo është një rrugë jetike për Myzeqenë, ndërsa premtoi se faza e dytë e kësaj rruge do të jetë Divjakë- Pushimi i Shoferit.

Më tej, Kryeministri përgëzoi drejtuesit vendorë për punën e mirë të bërë dhe projektet e realizuara. “Konstatoj punën e përgjegjshme të autoriteteve vendore. Kudo që shkoj unë shoh punë të realizuara shumë mirë dhe kjo më gëzon shumë sepse janë paratë tuaja. Isha në Grabian, ku përuruam një rrugë të standardeve europiane, prej 13 kilometrash”, vijoi Kryeministri

Në rrethin e Lushnjes, Kryeministri tha se është investuar për ndërtimin e 20 kabinave elektrike, në mënyrë që banorët e kësaj zone të kenë furnizim me energji njësoj si Tirana.   Në Karbunarë u inaugurua ujësjellësi i Zgjanës, një investim prej 90 milionë lekë. Ndërkohë, 70 milionë lekë janë investuar në tubacionin e Gajasit, i cili trefishon furnizimin me ujë për këtë zonë, 20 milionë janë investuar për ujësjellësin e Zhelizhanit. Gjithashtu, po ndërtohen ujësjellës edhe në fshatra të tjera.

Kryeministri tha se qeveria po mban premtimin edhe në ndërtimin e shkollave të reja. “Kemi investuar në ndërtimin e shkollës në Zhelizhanë, ndërkohë që premtova sot ndërtimin e një gjimnazi të ri në Karbunarë, premtim të cilin do ta realizojmë.  

Gjithashtu, Kryeministri tha se qëndrimi i qeverisë së tij është t’ju japë shqiptarëve një infrastrukturë europiane, duke theksuar se qeveria po investon në autostrada,  rrugë kombëtare, e rrugë rurale.

“Shoh me shumë kënaqësi se në zonën tuaj, në komunat e kësaj zone, ne kemi investuar në të gjitha projektet të marra së bashkë rreth 1 miliardë lekë.  Dua t’ju përshëndes dhe dua të shpreh bindjen se shpejt do të takohemi për të inauguruar këtë rrugë që inspektojmë sot”, theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›