E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Malit të Zi Zhelko Perovic, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë ambasadorin e Malit të Zi Zhelko Perovic, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit Perovic, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve. Dy vendet tona, - u shpreh Kryeministri - kanë një bashkëpunim shumë të mirë si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh. Dy palët u shprehën për intensifikimin e mëtejshëm të kontakteve në nivelet më të larta politike.

Ambasadori Perovic e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit të Malit të Zi Milo Djukanovic.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Perovic shprehën angazhimin e dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit për finalizimin e infrastrukturës së rëndësishme rrugore që lidh dy vendet. Në këtë kuadër, ata  vlerësuan shumë të rëndësishme mirëfunksionimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes dy vendeve, në Murriqan. Gjithashtu, ata shprehën angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në fushën e turizmit.

Ambasadori Perovic e falënderoi Kryeministrin Berisha për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj pavarësisë së Malit të Zi dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në shërbim të stabilitetit e sigurisë në rajon.

Me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi dhe të Kosovës, rajoni i Ballkanit Perëndimor është edhe më i lirë, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në përfundim të takimit, ambasadori Perovic vlerësoi mikpritjen shqiptare, duke theksuar se në Shqipëri ndjehet si në shtëpinë e tij.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›