Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB Srgjan Kerim: Shqipëria, një vlerë e madhe për OKB-në
Kryeministri Berisha mikpriti sot Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Srgjan Kerim.
Kryeministri Berisha theksoi se kjo vizitë e zotit Kerim është një shprehje më shumë e bashkëpunimit të shkëlqyer që Shqipëria ka me OKB-në dhe kontributit e rëndësisë që Shqipëria i jep mbarëvajtjes së misionit të Kombeve të Bashkuara.
Zoti Kerim e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen e ngrohtë. Ai u shpreh se konstatonte me kënaqësi progresin e madh që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre dy viteve, nga vizita e tij e fundit këtu.
Shqipëria, - u shpreh zoti Kerim - është kthyer në vlerë të madhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe reformave të rëndësishme që ajo ka ndërmarrë. OKB-ja do të përfitojë shumë nga suksesi i iniciativës “Një OKB”, në të cilën Shqipëria po dëshmon një rol udhëheqës.
Zoti Kerim e falënderoi, gjithashtu, Kryeministrin Berisha për kontributin e tij personal për suksesin e nismave të OKB-së dhe rolin e rëndësishëm që Shqipëria po luan përsa i përket fuqizimit të të ashtuquajturës pronësi rajonale të proceseve.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Kerim me reformat ekonomike dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria, me reformat për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, veçanërisht arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Si rezultat i luftës së suksesshme kundër krimit, Shqipëria renditet ndër vendet me treguesit më të ulët të kriminalitetit në Europë dhe është sot një vend i qetë dhe i sigurt, që ka rritur interesin e turistëve dhe biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.
Zoti Kerim shprehu vlerësimet për suksesin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se Shqipëria, nën qeverisjen e Kryeministrit Berisha, ka arritur rezultate të rëndësishme në këtë fushë, që nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një dukuri me të cilën përballen edhe vende të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Srgjan Kerim diskutuan edhe për zhvillimet në rajon.
Shqipëria dhe qeveria shqiptare po japin një kontribut të rëndësishëm për bashkëpunim rajonal dhe stabilitetin e rajonit. Shqipëria është kthyer në një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon, u shpreh zoti Kerim.