E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e Zgjanës, në komunën Karbunarë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në inaugurimin e ujësjellësit të Zgjanës, në komunën e Karbunarës, Lushnjë. Ndërtimi i këtij ujësjellësi është mundësuar me financim nga buxheti i shtetit, me vlerë rreth 90 milionë lekë.  E pranishme në këtë inaugurim ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, deputeti i zonës Ilir Bano, Ministri i Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, Kryetari i komunës Karbunarë Neki Arapi, etj.

Nga ky ujësjellës përfitojnë furnizim me ujë të pijshëm 7 fshatra, me rreth 500 familje gjithsej.

Kryeministri Berisha falënderoi banorët e kësaj zone për pritjen vëllazërore, duke ndarë me ta gëzimin për inaugurimin e këtij ujësjellësi. “Ky është një investim prej rreth 90 milionë lekë, me synim që 7 fshatrat tuaja të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Në komunën tuaj qeveria ka bërë dhe do të bëjë investime të rëndësishme”, tha Kryeministri.

Ai vuri në dukje se para se të merrte pjesë në këtë përurim, inspektoi rrugën e Karbunarës, ku i premtoi deputetit të zonës dhe përfaqësuesve të komunës se rruga do të shkojë deri në fund.

“Në Karbunarë dhe në mbarë Lushnjën ne po vendosim një sistem elektrik 20 kilovolt, sistem i cili është më i miri dhe furnizon me energjinë e nevojshme gjithë këtë zonë. Ne kemi investuar në rrethin e Lushnjës për rrjetin elektrik 900 milionë lekë dhe jemi të vendosur ta përfundojmë shumë shpejt, në mënyrë që gjithë banorët e këtij rrethi të kenë furnizim me energji elektrike”, vijoi Kryeministri.

Duke iu përgjigjur kërkesës së kryetarit të komunës së Karbunarës për  ndërtimin e  një shkolle tjetër të mesme në këtë zonë, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do ta mbështes këtë projekt. “Kam kënaqësinë të jap fjalën për ndërtimin e një shkolle tjetër tek ju, në të cilën do të mund të shkollohen të gjithë fëmijët e komunës së Karbunarës”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se këto investime që shihen në Karbunarë po ndodhin në çdo komunë të këtij rrethi. “Një javë më parë kam qenë në Grabian dhe inauguruam rrugën prej 13.4 km, të asfaltuar sipas standardeve ndërkombëtare. Po në Grabian, nis ndërtimi i një shkolle të re të mesme, me një investim prej 32 milionë lekë. Po ashtu, janë një seri investimesh të tjera, në ujësjellës e kanalizime, investime në sistemin e ujitjes, etj”, shtoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se një ditë më parë vizitoi disa zona të Peqinit dhe inauguroi atje tre rrugë të asfaltuara sipas standardeve europiane, të treja rrugë komunash. “Ju jap fjalën se, si në Peqin,  ashtu edhe në çdo vend të Myzeqesë, nuk do të lëmë pëllëmbë rruge pa asfaltuar. Ne vërtetë jemi të përqendruara në ndërtimin e autostradave të mëdha por për ne janë të rëndësishme edhe rrugët e rrugicat tuaja. Ne duam që shqiptarët të ecin në rrugë të standardeve europiane dhe ju premtoj se investimet do të vazhdojnë në rrugë, ujësjellës e kudo. Edhe në Divjakë premtova se do të nisë segmenti rrugor Divjakë - Pushimi Shoferit. Pra,  Myzeqeja do të jetë e tëra me infrastrukturën që meriton”, theksoi Kryeministri    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›