E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e banesave sociale në Korçë

Kryeministri Berisha  mori pjesë në nënshkrimin  e kontratës  për ndërtimin e banesave sociale, mes Bashkisë Korçë dhe Entit Rregullator të Banesave.
Duke shprehur kënaqësinë për ecurinë e mbarë të projekteve në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të mbështesë çdo projekt për t`a shndërruar Korçën në një rreth model. “Më vjen mirë që kjo kontratë që nënshkruajmë sot ishte një angazhim që unë mora në vizitën time të mëparshme këtu. Sot  ajo bëhet realitet. Ju keni gjetur truallin atëherë le ta ndërtojmë sa më shpejtë, në  mënyrë që ata që janë në nevojë të mund të strehohen”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Duke iu referuar inaugurimeve të shumta gjatë vizitës së ditës së sotme në rrethin e Korçës, Kryeministri Berisha tha se qeveria do të ketë në qendër të vëmendjes dhe punës së saj investimet në këtë zonë. “Së bashku sot inauguruam 3 rrugë në këtë qytet, por ju garantoj se edhe 30 të tjera, nëse nevojiten, ne do t’i inaugurojmë. Tre projekte të tjera nga 40 milionë secila janë në punë e sipër. Ne Korçën, qytet e fshat do ta shndërrojmë në rrethin model përsa u përket stadardeve. Korça merr 24 orë ujë, ajo në një kohë sa më të shkurtër do të ketë sistemin më të mirë të kanalizimeve dhe të pastrimit të ujërave”, tha më Kryeministri. 

Më tej Kryeministri u zotua se qeveria do të realizojë një korpus universitar në qytetin e Korçës duke nënvizuar se universitetet duhet të jenë ndërtesa shumë serioze, shumë të bukura dhe Korça e meriton këtë.

Gjithashtu Kryeministri tha se është në përfundim e sipër edhe Unaza e qytetit të Korçës, ndërsa shtoi se edhe rruga pedonale do të realizohet. “Unaza e qytetit do të përfundojë gjithashtu edhe pedonalja do të bëhet. Unë jam në favor të tyre, ne po e realizojmë në Shkodër, këtë do ta bëjmë në Korçë dhe të shohim edhe në qytete të tjera ku mund t’i ndërtojmë, pasi kjo është një ide shumë e mirë. Aq më tepër kur në këtë qytet ka një traditë të shëndetshme shëtitje, ka një park  të bukur, klima është e mrekullueshme dhe shëtitja ka kuptim të gjithanshëm”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›